BallinaFaktometerPa kategoriU premtua ndriçimi i 15 kalave historike, por ende nuk janë gjetur fondet!

U premtua ndriçimi i 15 kalave historike, por ende nuk janë gjetur fondet!

Në janar të 2021, Ministrja e Kulturës Elva Margariti deklaroi se do të punohej për ndriçimin e 15 kalave në të gjithë Shqipërinë. Faktoje bëri një verifikim nga veriu në jug të Shqipërisë, ku konstatoi se vetëm 5 prej tyre ndriçohen, aty ku bizneset ofrojnë shërbime. Ministria e Kulturës tha se është në proces lobimi me donatorët për ngritjen e fondeve, ndërsa në listën e investimeve 2021-2023 si pjesë e projektbuxhetit 2021 në Kuvend, nuk rezultojnë projekte dhe fonde të alokuara, për zbatimin e projektit të ndriçimit të 15 kalave.


Në fillim të vitit 2021 Ministria e Kulturës Elva Margariti deklaroi:

“Falë projektit të rikualifikimit të monumenteve të kulturës do të ndriçohën 15 kala në të gjithë Shqipërinë, duke kthyer krenarinë e harruar”.

Postimi i Ministres së Kulturës, Elva Margariti në rrjetet sociale, 9 janar 2021

Në postimin e bërë në rrjetin social në Facebook, ministrja e Kulturës e shoqëron njoftimin me hashtagun #Punëtqëdotëçojmëpërpara2021.

Në fund të muajit maj, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtij zotimi. Në kërkesën për informacion drejtuar Ministrisë së Kulturës pyetëm se cilat ishin kalatë që do të ndriçoheshin dhe sa ishte buxheti i parashikuar për këtë projekt.

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Kulturës, 25 maj 2021

Në përfundim të afatit të parashikuar nga ligji “Për të drejtën e informimit”, Faktoje e ankimoi mosdhënien e informacionit në Zyrën e Koordinatorit për të Drejtën e Informimit.

Ankimim te Komisioneri për të Drejtën e Informimit, 16 qershor 2021

Pas ankimimit te Komisioneri për të drejtën e Informimit, përgjigjja që morëm nga Ministria e Kulturës ishte se përmes buxhetit të shtetit është bërë i mundur hartimi i projekteve për ndriçimin e 15 kalave. Ndërsa për zbatimin e tyre ministria do të vijojë planifikimin dhe ngritjen e fondeve në vijim.

Përgjigje e Ministrisë së Kulturës, 24 qershor 2021

Bazuar në këtë përgjigje, Faktoje shkoi në terren për të verifikuar situatën, në muajt qershor, korrik dhe gusht, kur edhe numri i vizitorëve e turistëve është më i madh. Verifikimin për pjesën më të madhe të kalave nëse ishin të ndriçuara (aty ku ishte e mundur) e bëmë kryesisht në orët e mbrëmjes.

Kalaja e Lezhës

Kalaja mesjetare e Lezhës është ndërtuar mbi rrënojat e Akrolisit antik në shekullin IX, duke marrë kështu karakterin e një qendre antike qytetare (sipas informacionit që gjejmë në faqen zyrtare të Bashkisë Lezhë).

Faktoje shkoi në Kalanë e Lezhës, më 22 korrik 2021, por konstatoi se ajo nuk ndriçohej.

Gjatë bisedës me banorët e zonës, të cilët gjatë mbrëmjes shëtisnin pranë kalasë, mësuam se ky monument ndriçohej të paktën deri dy vite më parë, ndërsa tani jo.

Mungesa e ndriçimit në kalanë e Lezhës, 22 korrik, ora 21:00

Kalaja e Shurdhahut në Vaun e Dejës

Kajala e Shurdhahut ndodhet në ishullin me të njëjtin emër që gjendet në lumin Drin, ku shtrihej dikur qyteti mesjetar i Sardës. Ishulli është afërsisht 16.09 km nga qyteza e Vaut të Dejës.

Në 22 korrik 2021, tentuam të bëjmë verifikimin për kalanë e Shurdhahut, por ishte e pamundur në mbrëmje. Kjo sepse në ishull shkohej vetëm me varkë dhe sipas banorëve kjo gjë nuk praktikohej gjatë natës për shkak të errësirës.

Foto ilustruse, Ishulli i Shurdhaut

Kalaja e Prezës

Kalaja e Prezës është ndërtuar mbi një shkëmb, i cili zgjatet duke u ulur në drejtimin veri-jugu. Vetë kështjella ndodhet në majën më të lartë të vargut kodrinor, që shtrihet ndërmjet dy luginave, sipas informacioneve që gjenden online.

Kalaja e Prezës, nuk ndriçohej edhe pse përgjatë gjithë kalasë kishte llampa ndriçuese, të cilat nuk ishin të ndezura. Kjo të paktën deri në 22 korrik kur bëmë verifikimin në terren.

Mungesa e ndriçimit në kalanë e Prezës, foto 22 korrik ora 23:00

Mungesa e ndriçimit në kalanë e Prezës, foto 22 korrik ora 23:00

Kalaja e Petrelës

Që prej lashtësisë nga kjo kala kontrollohej kryqëzimi I rrugëve me rëndësi ekonomike dhe ushtarake, si rruga Egnatia (dega Durrës-Tiranë-Elbasan).

Nga vëzhgimi në terren konstatuam se Kalaja e Petrelës ndriçohej, pasi brenda saj ofrohen shërbime, duke e bërë atë të vizitueshme edhe gjatë orëve të mbrëmjes.

Kalaja e Petrelës, 14 korrik 2021 ora 20:30

Kalaja e Petrelës, 14 korrik 2021 ora 20:30

Kalaja e Petrelës, 14 korrik 2021

Kalaja e Elbasanit

Kalaja e Elbasanit është ndërtim romak ngritur në fillim të shekullit të III-të kur asokohe rrethonte qytetin, i cili shtrihej mbi një sipërfaqe 10 ha. Ajo u ngrit si një kështjellë ushtarake për strehim si dhe për kontrollin e rrugës së njohur Egnatia, një nga rrugët më të rëndësishmë të perandorisë romake.

Edhe në Kalanë e Elbasanit, një pjesë e të cilës shërben si hapësirë shërbimi ka ndriçim gjatë orëve të mbrëmjes.

Kalaja e Elbasanit, 14 korrik 2021 ora 21:45

Kalaja e Elbasanit, 14 korrik 2021 ora 21:45

Kalaja e Borshit

Kalaja e Borshit ose Kodra e Sopotit, siç njihet ndryshe, ndodhet në Veri të fshatit Borsh dhe në perëndim të fshatit Fterrë. Sipërfaqja e saj është shkëmbore. Nga ana Perëndimore mali formon disa tarraca natyrale, ku duken një sërë rrënojash të godinave mesjetare.

Më 27 korrik Faktoje shkoi pranë Kalasë së Borshit, por nuk e gjeti të ndriçuar edhe pse ka interes nga ana e turistëve, të cilët përpiqen të shfrytëzojnë orët e ndriçimit natyral, deri pas perëndimit të diellit për ta vizituar.

“Kalaja e Borshit nuk është ndriçuar kurrë, këtu vijnë shumë turistë edhe në muzgun e mbrëmjes”- thanë banorë të zonës për Faktoje.

Kalaja e Borshit, 26 korrik ora 20:30

Kalaja e Borshit, 26 korrik ora 20:30

Kalaja e Himarës

Kalaja e Himares, një ndër kalatë më të rëndësishme dhe të lashta në vend ndodhet mbi malet Akrokeraune dhe mendohet të jetë ndërtuar nga Kaonët, fisi ilir. Gjatë shek. VI kalaja u riparua nga Justiniani, i cili urdhëroi rindërtimin e kështjellës për të qënë të përgatitur nga sulmet barbare sllave.

Ndriçimi në kalanë e Himarës e bën edhe më tërheqës këtë monument të lashtë të kulturës, që në këtë periudhë të vitit vizitohet edhe më shumë nga vizitorë vendas dhe të huaj.

Kalaja e Himarës, 26 korrik ora 21:50

Kalaja e Himarës, 26 korrik ora 21:50

Kalaja e Kaninës

Kalaja e Kaninës ndodhet 6 km larg nga qyteti i Vlorës, në një kodër me lartësi 380 m mbi nivelin e detit. Muri rrethues është i gjatë 1 km dhe në të gjithë sistemin fortifikues dallohen disa faza ndërtimi, që shtrihen në dy periudha, atë antike si dhe në atë mesjetare, përkatësisht bizantine, veneciane dhe turke.

Kalaja e Kaninës më herët, sipas asaj që tregojnë banorët ka qenë e ndriçuar, por elementët ndriçues ishin vjedhur dhe që prej asaj kohe ky monument nuk ka pasur ndërhyrje. Një mësues i asaj zone, që nuk pranoi të identifikohej tha për Faktoje:

“Nuk ka ndiçim kalaja, para shumë vitesh të gjithë banorët e zonës kemi kontribuar financimin e tyre dhe për një kohë është ndriçuar, por llampadarët janë vjedhur, dhe që atëherë nuk ka ndriçim tek kjo kala.”

Kalaja e Kaninë gjatë ditës, 26 korrik 2021

Kalaja e Kaninës ditën, 26 korrik 2021

Kalaja e Porto Palermos

Kalaja është e vendosur në një pozicion strategjik në gjirin e vogël të Porto Palermos. Ajo ndodhet jo larg fshatit të Qeparosë dhe ka formë trekëndore. Gjatë verifikimit në 26 korrik, konstatuam se kjo kala nuk ndriçohej.

Kalaja e Porto Palermos, 26 korrik 2021 ora 21:00

Kalaja e Porto Palermos, 26 korrik 2021 ora 21:00

Kalaja e Libohoves

Kalaja e Libohovës, pranë Gjirokastrës është një nga shumë fortifikimet e ndërtuara nga Ali Pashë Tepelena në fund të shek. XVIII. Ajo është vendosur në një pikë dominuese mbi qytetin e sotshëm.

Edhe tek ky monument kulturor nuk ka asnjë element ndriçimi nga verifikimi që bëmë në terren.

Kalaja e Libohovës, 27 korrik 2021

Kalaja e Libohovës, 30 korrik 2021 ora 19:30

Kalaja e Libohovës, 30 korrik 2021 ora 19:30

Kalaja e Tiranës

Kjo kala ndodhet në qendrën historike të qytetit të Tiranës. Mendohet se kalaja i përket njërit prej fortifikimeve të ndërtuara ose të rindërtuara nga Perandori Justinian në shek. IV – VI të erës sonë. Brenda mureve të kalasë së Tiranës është krijuar një zonë pedonale, e shndërruar në një hapësirë rekreative dhe shërbimi.

Kalaja e Tiranës

Kalaja e Durrësit

Kalaja u ndërtua nga perandori i Perandorisë Bizantine Anastasi me origjinë nga Durrësi. Në atë kohë, Anastasi e bëri Durrësin një nga qytetet më të fortifikuara përgjatë Adriatikut.

Kalaja pësoi dëme nga tërmeti i 26 nëntori 2019 dhe aktualisht po i nënshtrohet rikonstruksionit. Megjithatë ajo ishte e ndriçuar në pjesën e padëmtuar ku ka edhe hapërisa shërbimi.

Kulla Veneciane, Kalaja e Durrësit, 10 gusht 2021, ora 22:30

Muret rrethuese se Kalaja e Durrësit, 10 gusht 2021, ora 22:30

Kalaja e Bashtovës

Kalaja e Bashtovës ngrihet pranë fshatit të Vilë-Bashtovës në një distancë prej 3-4 km, në veri të grykëderdhjes së lumit Shkumbin. Kështjella është ndërtuar në shekullin XV dhe u ka shërbyer Venecianëve, për shkembime tregtare.

Kjo kala sipas verifikimit në terren na rezulton e pandriçuar.

Kalaja e Bashtovës, 10 gusht 2021, ora 21:15

Kalaja e Peqinit

Kalaja e Peqinit, themelet e së cilës mendohet se i përkasin periudhës romake, në kohën e ndërtimit të rrugës “Egnatia”, është rikonstruktuar gjatë pushtimit turk.   Gjatë verifikimit që bëmë në datë 10 gusht konstatuam se në kala nuk kishte asnjë element ndriçues.

Kalaja e Peqinit 10 gusht 2021 ora 20:30

Kalaja e Peqinit 10 gusht 2021 ora 20:30

15-Kalaja e Kepit të Rodonit

Muri i kështjellës së Kepit të Rodonit arrin një gjatësi prej 400 metrash dhe në kulmet e saj kishte kulla të rrumbullakëta. Pranë kalasë ndodhen edhe rrënojat e Kishës së Shën Pjetrit, të cilat konsiderohen nga banorët si vend i shenjtë. Ne kemi bërë një verfikim gjatë orëve të paradites pranë këtij monumenti, pasi në orët e mbrëmjes terreni i vështirë e bën të pamundur vajtjen. Nga vëzhgimi kryer në mesin e muajit qershor, nuk kemi konstatuar elemente ndriçues, ndërsa banorë të zonës tregojnë se ky monument nuk ndriçohet natën.

Kalaja e Kepit të Rodonit

Pas verifikimit në terren Faktoje konstatoi se nga lista e 15 kalave që përmes buxhetit të shtetit u është bërë i mundur hartimi i projekteve për ndriçim, vetëm 5 prej tyre janë të ndriçuara, pikërisht ato ku ofrohen shërbime nga bizneset, kryesisht për lokale.

Faktoje iu drejtua përsëri Ministrisë së Kulturës për ta pyetur se kur parashikohet të nisë puna për ndriçimin e këtyre kalave dhe cilat prej tyre ishin ndriçuar që nga janari e deri më tani.

Kërkesë për informacion drejtuar Ministrisë së Kulturës, 29 korrik 2021

Ministria e Kultutrës na dha këtë përgjigje:

“Lidhur me miratimin e projektit “Hartimi i projektit elektrik për ndriçimin e jashtëm të 15 kalave”, informojë se për periudhën e cituar nuk është zbatuar ende projekti i ndriçimit në këto 15 kala.

Përgjigje e Ministrisë së Kulturës, 5 gusht 2021

Njëkohësisht, Ministria e Kulturës përmes projekteve në fushën e trashëgimisë kulturore, është në procesin e lobimit me donatorët brenda dhe jashtë vendit, me qëllim ngritjen e fondet në funksion të implementimit të këtyre projekteve për të cilat do të informoheni në vijim.

 Sipas buxhetit të fundit të rishikuar të vitit 2021, fondet për programin “Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë” janë 7.5 milione lekë ose rreth 61,500 Euro. Pra, nuk ka një projekt të buxhetuar për zbatimin e projekteve të ndriçimit 15 kalave përgjatë vitit 2021 (siç ilustrohet në tabelën më poshtë).

Gjatë verifikimit Faktoje iu referua edhe listës së investimeve 2021-2023 të paraqitur si pjesë e projektbuxhetit 2021 në Kuvend, me investimet e detajuara për programin “Trashëgimia Kulturore dhe Muzetë”, ku nuk rezultojnë projekte dhe fonde të alokuara, për zbatimin e projekte të ndriçimit të 15 kalave.

Ndërkohë që detajimin e investimeve për vitin 2021 botuar në faqen e Ministrise se Financave në seksionin “Investime Vjetore” (të dhënat janë publikuar për tremujorin e parë 2021) gjetëm vetëm një çelje si pjesë e buxhetit operativ për projekte elektrike ndriçimi në vlere 600,000 lekë, ose rreth 5,000 Euro ne total, që janë të pamjaftueshme për zbatimin e projekteve.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img