Në 2015-n kreu i Bashkisë së Vlorës, Dritan Leli premtoi më shumë shërbime dhe vëmendje për të moshuarit ndër të cilat edhe qendrën ditore për këtë komunitet. 7 vite pas këtij premtimi dhe 7 muaj para zgjedhjeve lokale të radhës, ky premtim u përmbush pjesërisht dhe jo me fondet e pushtetit lokal, por nga palët e treta. “Lajm i mirë“ është se tashmë 7300 të moshuar mbi 65 vjeç do të marrin shërbim social, shëndetësor bazik, trajtim ushqimor dhe socializim e argëtim në një qendër e cila mbështetet nga organizata dhe komunitetet fetare.
Jerola Ziaj
Teksa garoi për postin e kreut të Bashkisë së Vlorë në vitin 2015, në mandatin e tij të parë Dritan Leli premtoi se do të kishte më shumë vëmendje për të moshuarit. “Do të ndërtojmë qendrën ditore për të moshuarit ku do të ofrohet shërbimi i munguar, në një ndër qytetet më të rëndësishme në vend për këtë kategori sociale.“ Por gjatë drejtimit të bashkisë së Vlorës nga kryebashkiaku Leli, kjo kategori nuk njohu më shumë shërbime dhe mbështetje sociale, ashtu sikundër iu premtua.
Teksa na ndajnë edhe pak muaj nga përfundimi i mandatit të dytë, kryebashkiaku Leli në mungesë të ngritjes së një qendre të mirëfilltë ditore për të moshuarit me fondet e bashkisë, mbështeti një projekt të UNFPA i cili po zbatohet nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin duke përmirësuar kështu shërbimin ndaj një komunitetit me ndjeshmëri të lartë sociale. Kryebashkiaku premtoi se do të ndërtonte qendrën ditore, megjithatë, kjo e fundit është “sajuar“ në mjediset e konvikteve të shkollës së mesme Industriale falë një ndërhyrjeje strukturore të bashkisë. Aktualisht bashkia e Vlorës mbështet duke i ofruar projektit, objektin ku është vendosur streha, ndërsa pagat e punonjësve mbulohen nga projekti. Vendimi është marrë në 29 Dhjetor 2021 nga këshilli Bashkiak i Vlorës, por zbatimi i tij nisi në shtator 2022, për shkak të pandeminisë. Në buxhetin e Bashkisë për vitin 2022 nuk ka fonde të dedikuar kategorisë së të moshuarve as në zërin e investimeve as në atë të shpenzimeve.
Gjatë periudhës së pandemisë 2020- 2022 të moshuarit u asistuan nga bashkia kryesisht me staf për shpërndarje ndihmash ushqimore të cilat vinin nga donatorë të tjerë, kryesisht Forcat e Armatosura apo Rezervat e Shtetit. Situata ishte e njëjtë edhe gjatë mandatit të parë të kryebashkiakut Leli, në buxhetin e parë të hartuar nën drejtimin e tij nuk ka asnjë fond të parashikuar për këtë kategori.
Vlora numëron rreth 7300 të moshuar të grupmoshës mbi 65 vjeç, ndaj për kryetaren e këshillit bashkiak të Vlorës, Migena Balla, ky shërbim ishte i domosdoshëm. “ Prej vitesh është shtruar si kërkesë dhe është bërë premtim për një qendër tjetër për moshën e tretë, por nuk ka qënë e mundur. Kjo moshë, sidomos pas një periudhe të gjatë pandemie, ka qenë shumë e ngarkuar emocionalisht dhe është përballur me mungesën e institucioneve që ofronin shërbime të dedikuara kësaj moshe. Projekti për ngritjen e Qendrës për moshën e tretë po zbatohet nga ACPD me mbështetjen e UNFPA-së, por ajo do të jetë edhe në përgjegjësinë e bashkisë për të siguruar shërbime për të moshuarit, bazuar në Planin Kombëtar të Plakjes. Qëllimi është që kjo qendër ditore të pilotohet me mbështetjen e UNFPA dhe më pas t’i dorëzohet bashkisë për administrim.“- shtoi Balla. Qendra vizitohet nga mesatarisht 30 të moshuar në ditë, ndërsa ofron shërbim 5 ditë në javë. “Po punojmë që një pjesë e ambjenteve tona, t‘i kalojnë qendrës ditore të të moshuarve“ – tha Zare Balla, drejtore e konvikteve në Vlorë. “Akualisht aksesojmë të njëjtin ambjent sa i përket mencës si dhe kuzhinës e cila aksesohet nga të moshuarit vetëm tri herë në javë, ndërsa gjatë ditëve të tjera atyre iu shpërndahen vaktet e drekës.“- shtoi ajo.
“Mund të kalosh pak kohë me miq e shokë. Që kur më ka ndërruar jetë bashkëshortja më duket shtëpia bosh se fëmijët i kam jashtë. Bëhet punë e madhe në këtë qëndër dhe stafi është i përkushtuar mbase nuk e mbyllin si bëjnë me gjithë të tjerat.- thotë 78 vjeçari Kujtim Hoxha.
Në këtë qendër do të ofrohen rreth 25.000 mijë shërbime në vit, veç mbështetjes sociale dhe ushqimit spikasin aktivitete argëtuese deri te kurset e kërcimit. Mesararisht është parashikuar ofrimi i 2 ose 3 shërbimeve në ditë, ndërsa qendra ka frekuentim ditor të rreth 30 të moshuarve – tha për Faktoje Inva Shero administratore e qendrës.
Ne u pëpoqëm të merrnim një reagim nga kryebashkiaku i Vlorës në lidhje me këtë çështje, por ai ishte i padisponueshëm. Çuditërisht ai reagoi pas interesimit tonë në profilin e tij në Facebook: “Qendra e të Moshuarve në Vlorë pret përditë dhjetëra njerëz në kushte të vështira ekonomike, për të ngrënë drekën njësoj siç do të bënin në shtëpi. Bashkia e Vlorës, në bashkëpunim me Kishën Katolike dhe Qendrën Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin, kujdeset që të gjitha kushtet, që nga pastërtia, shija, shërbimi e deri te harmonia me njëri me tjetrin, të jenë optimale.“-shkruante Leli në postimin e datës 25 nëntor 2022.
Foto e postuar nga kryebashkiaku Dritan Leli ne 11 nëntor 2022
Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e bërë nga kryebashkiaku i Vlorës Dritan Leli në 2015-n, ta kategorizojmë pjesërisht të mbajtur.