Nga Jona Plumbi- Në një takim me drejtuesit e agjencive më të mëdha të lajmeve në botë, presidenti rus Vladimir Putin, i njohur për përdorimin e argumenteve ligjore të shtrembëruara për të mbuluar qëllimet e tij politike, edhe këtë herë zgjodhi të justifikojë luftën në Ukrainë me një precedent të njohur: Kosovën.
Putin artikuloi një justifikim për luftën në Ukrainë dhe aneksimin e territoreve lindore, Donetsk dhe Luhansk duke theksuar se “nga pikëpamja e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së, këto dy rajone kishin të drejtë të shkëputeshin nga Ukraina”
E drejta e popujve për vetëvendosje ishte argumenti i tij i parë. Opinioni i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për Kosovën, që vendosi se një shpallje e njëanshme e pavarësisë nuk përmban shkelje të së drejtës ndërkombëtare, ishte argumenti i dytë. Këto dy elemente, sipas tij, përbënin një bazë të padiskutueshme për ndarjen e Donbasit dhe ndërhyrjen e mëvonshme ushtarake të Rusisë.
Mediat reaguan menjëherë. Në Shqipëri, të tunduar nga dëshira për një titull që premton klikime të shumta, mediat njoftuan se Putini “njeh” Kosovën.


Por Putin nuk bëri asgjë të tillë.
Njohësi i politikave ndërkombëtare, Ledion Krisafi, shpjegon se kjo nuk mund të quhet njohje nga Rusia për Kosovën, pasi që të ketë njohje duhet që ajo të bëhet zyrtarisht dhe në këtë rast Putin thjesht përdori shembullin e Kosovës si model për rajonet e Ukrainës me idenë që nëse Kosova ka marrë pavarësinë, ky është precedent për çdo rajon tjetër në botë.
Pra, përdorimi që Putini i bën rastit të Kosovës nuk është ndryshim diplomatik, por një manipulim taktik. Ai nuk e përkrah të drejtën e Kosovës për vetëvendosje, por përdor argumentin ligjor të Perëndimit për të justifikuar një agresion ushtarak.
Kjo vërtetohet edhe nga fakti se kjo nuk është hera e parë që Putin përdor këtë taktikë. Ai prej vitesh përdor lexime të së drejtës ndërkombëtare për të justifikuar ndërhyrje dhe aneksime. Gjeorgjinë në vitin 2008. Krimenë në 2014-ën. Donbasin në 2022-shin. Në çdo rast, Putin ngre një kornizë të rreme legjitimiteti që, kur analizohet më nga afër, bie ndesh me vetë parimet që pretendon të mbrojë.
Për shembull, në vitin 2022 mediat shqiptare njoftuan se “Putin njeh pavarësinë e Kosovës” pikërisht sepse ka krahasuar njohjen e pavarësisë së rajoneve të Ukrainës lindore bazuar mbi precedentin e Kosovës.
Edhe asokohe, pak ditë pas kësaj deklarate, ambasadori i Rusisë në Serbi sqaroi se “nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë ndryshim në qëndrimin e Federatës Ruse sa i përket çështjes së Kosovës” duke vërtetuar se e gjitha është një taktikë politike dhe jo një njohje e Kosovës.
Sa i përket opinionit të GJND-së për Kosovën, vendimi nuk dha njohje ndërkombëtare apo status shtetëror. Gjykata sqaroi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk përbënte shkelje të së drejtës ndërkombëtare.
“Gjykata ka arritur në përfundimin se miratimi i deklaratës së pavarësisë së 17 shkurtit 2008 nuk shkeli të drejtën ndërkombëtare të përgjithshme, rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit ose Kornizën Kushtetuese. Si pasojë, miratimi i asaj deklarate nuk shkeli asnjë rregull të zbatueshëm të së drejtës ndërkombëtare”, shkruan opinioni i gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Në anën tjetër, Ledion Krisafi, shpjegon se paralelizmi që Putin bën mes Kosovës dhe rajonit të Donbasit nuk qëndron.
“Ukraina është shtet unitar, Jugosllavia ka qenë shtet federal. Kushtetuta e 1974-ës i dha Kosovës një status më të lartë duke i dhënë atribute të një Republike brenda Jugosllavisë. Si pjesë e shpërbërjes së Jugosllavisë, Kosovës i lindte e drejta të kërkonte shkëputje nga Federata ashtu si subjektet e tjera federale”– Ledion Krisafi, studiues i marrëdhënieve ndërkombëtare.
Kjo gjë nuk ka ndodhur me Donjeckun dhe Luhanskun, vijon ai, pasi asnjë prej tyre nuk ishte subjekt federal, sepse vetë Ukraina nuk është shtet federal.
Për Krisafin çështja mund të shtrohet edhe në një aspekt moral pasi në Kosovë ka pasur përpjekje për, të paktën, dëbimin e një popullsie të tërë, gjë që prapë nuk ka ndodhur në Ukrainë.
