Pretendimi: Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi goditjen e Amerikës me raketa
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————
Një fjalim i presidentit rus Vladimir Putin më 21 nëntor është raportuar nga disa media shqipfolëse në mënyrë hiperbolizuese duke e transmetuar si një konfirmim të nisjes së luftës me ShBA.
Në të vërtetë, presidenti Putin zgjodhi që t’i drejtohej kombit në një transmetim televiziv në mbrëmjen e lëshimit të një rakete të re balistike ruse, të quajtur Oreshnik, ndaj qytetit ukrainas Dnipro. Kjo ishte hera e parë që Rusia përdorte një armë të tillë që thuhet se mund të mbajë edhe mbushje bërthamore dhe të udhëtojë në distanca ndërkontinentale. Kjo ishte një përgjigje e Rusisë pas sulmeve me raketa të Ukrainës në brendësi të territoreve ruse, pas aprovimit të dhënë nga ShBA.
Faktoje.al shqyrtoi transkriptin e plotë të deklaratës televizive të Putin të publikuar nga gazeta Le Monde si dhe disa media të tjera prestigjioze. Mes rreshtave të deklaratës mund të dallohen se kërcënimi i Putin shkon për ShBA, që lejuan përdorimin e armëve të tyre ndaj territoreve ruse, por megjithatë, nuk ka përmendet specifikisht nisja e një sulmi ndaj Shteteve të Bashkuara apo paralajmërimi ndaj qytetarëve të këtyre vendeve për t’u futur në vende të sigurta.
Putin citohet të jetë shprehur: “Ne do të përcaktojmë objektivat gjatë testeve të mëtejshme të sistemeve tona të avancuara raketore bazuar në kërcënimet për sigurinë e Federatës Ruse. Ne konsiderojmë se kemi të drejtë të përdorim armët tona kundër objekteve ushtarake të atyre vendeve që lejojnë përdorimin e armëve të tyre kundër objekteve tona dhe në rast të përshkallëzimit të veprimeve agresive, ne do të përgjigjemi me vendosmëri dhe në mënyrë të njëjtë. Unë rekomandoj që elitat qeverisëse të vendeve që po hartojnë plane për të përdorur kontingjentet e tyre ushtarake kundër Rusisë, ta konsiderojnë seriozisht këtë”.
Kjo retorikë e përgjigjes dhëmbë për dhëmbë e Putin është dëgjuar në çdo fjalim të tij që prej nisjes së konfliktit në Ukrainë. Pavarësisht se situara është tensionuar pas kapërcimit të raketave në brendësi të territorit rus, Putin nuk duket se ka urdhëruar ende një kundërpërgjigje ndaj ShBA dhe vendeve evropiane përtej qyteteve ukrainase.
Në rastin e objektivave civile, Putin u shpreh: “ Vetëkuptohet që kur zgjedhim, nëse është e nevojshme dhe si masë hakmarrëse, objektiva që do të goditen nga sisteme si Oreshnik në territorin ukrainas, paraprakisht do të sugjerojmë që civilët dhe qytetarët e vendeve mike që banojnë në ato zona të largohen nga zonat e rrezikut. Ne do ta bëjmë këtë për arsye humanitare, hapur dhe publikisht, pa frikën e kundër-lëvizjeve që vijnë nga armiku, i cili gjithashtu do të marrë këtë informacion.”
Ndërsa lufta në Ukrainë vijon në vitin e tretë, gjëja e fundit që i duhet rajonit në këto kohë tensionesh është alarmizmi që i fryn zjarrit.