Pretendimi: Kjo foto tregon presidentin francez Macron duke u puthur me një burrë.

Verdikti: Gjeneruar me IA

———————————————

Në rrjete sociale po qarkullon një seri fotosh që duket se tregon presidentin francez Emmanuel Macron duke u përqafuar dhe puthur me një burrë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Reverse Image, Faktoje gjeti se tre fotot e para u postuan më 2 gusht 2024 në Instagram nga llogaria Legend Media, e cila e përshkruan veten si një kompani mediatike franceze. Këto foto duket se tregojnë Macron duke u ndeshur me shaka me një burrë në një varkë. 

Përshkrimi që shoqëron fotot thotë: 

“Kohë pushimi për Brigitte dhe Emmanuel Macron, të cilët po kalojnë sërish pushimet verore në Fort de Brégançon, rezidenca verore e krerëve të shtetit francez. Çifti presidencial gjithashtu rimodeloi vendin midis 2018 dhe 2023.”

Një artikull i 3 gushtit 2024 me titull, “Emmanuel Macron pa bluzë dhe duke luajtur luftash me pushime: fotot që ndezin rrjetet sociale”, raportoi se Macron është me pushime dhe “fotot tregojnë Presidentin pa këmishë, të buzëqeshur, dhe duke luajtur në një varkë me truprojat e tij.”

Më 5 gusht, në Tëitter nisi të qarkullonte një video që duket se tregonte truprojën e Macron duke i hedhur krahun presidentit dhe duke e puthur më pas. 

Megjithatë, sic vërejtën dhe përdoruesit e Twitter, në videon e plotë dallohet se kemi të bëjmë me një klip të gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).

Origjina artificiale e videos është vecanërisht e dallueshme në videon e ngadalësuar më poshtë, ku duket barku i Macron duke u valëvitur dhe dora e truprojës e cila kalon nga një pozicion në tjetrin shumë shpëjt në mënyrë të panatyrshme, dhe në një moment duket sikur kalon tejpërtej trupit të Macron. 

Imazhi që po qarkullon në rrjete sociale është shkëputur nga kjo video, por duket edhe më i besueshëm pasi nuk përmban treguesit e zakonshëm të gjenerimit me AI.