*Shkrimi është prodhuar nga të rinjtë pjesëmarrës të projektit “Youth RAP” që Faktoje po zbaton së bashku me organizatën IREX.
Seni Cene
Vit pas viti, Korça po shndërrohet në modelin e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik nga turizmi. Turistë vendas dhe të huaj e zgjedhin Korçën në çdo stinë të vitit. Sipas të dhënave zyrtare nga INSTAT, qarku i Korçës regjistroi 628 mijë vizitorë në gjashtë muajt e parë të këtij viti, me një rritje 21.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Por Korça bumin e saj e njeh në dimër. Për shkak të numrit të lartë të turistëve gjatë dimrit strukturat akomoduese në Korçë, bujtina, hotele, hostele etj, shtojnë stafin për t’ju përgjigjur nevojave të klientëve.
Nëse i referohemi të dhënave zyrtare të INSTAT, korçarët paraqesin një interes më të lartë se qarqet e tjera për tregun e punës, pasi 68.7% e tyre ishin në punë ose në kërkim të saj.
Ndërkohë, sipas një vëzhgimi që ne kemi bërë në terren, në prag të ardhjes së dimrit, rezulton se shumica e të punësuarve në strukturat akomoduese dhe ato të shërbimeve në Korçë janë të rinj.
Konkretisht rreth 60% e të punësuarve janë nxënes dhe studentë që angazhohen me orare të pjesshme, paralelisht me shkollën apo universitetin që ndjekin.
I tillë është dhe rasti i një 18-vjeçareje që ne biseduam. Alesia është në vitin e fundit të gjimnazit dhe pas shkollës ajo punon në një kreperi. “ Gjatë verës punoja me orar të plotë, por tani vazhdoj punën me kohë të pjesshme për shkak të angazhimit që kam me shkollën.” – na thotë ajo duke shtuar se ka vendosur të punojë në mënyrë që të përballojë vetë shpenzimet e universitetit vitin e ardhshëm.
“Punoj nga ora 13.00 deri në orën 18.00. Është pak e lodhshme sepse ka ngarkesë por familja ime nuk i përballlon dot të gjitha shpenzimet për universitetin që dua të ndjek vitin e ardhshëm ndaj përpiqem tia dalë mbanë. Marr një pagë mujore prej 17.000 mijë lekësh.” – përfundon ajo.
Kejdi është një 17 vjeçar i vetëpunësuar pranë biznesit të familjes. “Kemi një bujtinë dhe unë jap kontributin tim aty, bashkë me familjarët. Merrem me pritjen e turistëve të huaj dhe më pëlqen pasi kjo punë më ndihmon edhe të praktikojë gjuhë të ndryshme.” – na thotë ai.
Ndërsa Ambrio, është një 16 vjeçar që ka pasion programimin. Kohët e fundit ai është angazhuar me një kompani online, ku ndihmon në programim.
“Unë arrij të fitoj edhe 1000 euro në muaj sepse kompania më paguan me përqindje bazë. Puna më merr vetëm tre orë nga dita ndaj jam I lumtur, pasi jo vetëm që bëj punën që dua por edhe fitoj shumë para në pak kohë.” – thekson Ambrio duke shtuar se me pagën e tij ndihmon familjen dhe ka nisur të kursejë para për në universitet ndaj se mendon fare largimin nga Shqipëria.
Jona është 23 vjeç dhe ndjek studimet e larta për infermieri në Universitetin e Korçës. Ajo punon me kohë të pjesshme në një kompani call-center.
“Me pagesën që marr nga puna arrij të mbuloj të gjitha shpenzimet si dhe të ndihmoj familjen time. Unë punoj 5 orë dhe arrij të marr 75.000 lekë në muaj.” -tregon ajo.
Shifrat flasin për një rritje të numrit të vizitorëve dhe bizneseve të shërbimit në funksion të turizmit. Vetëm në vitin e fundit, Korçës i janë shtuar shumë hotele dhe njësi akomodimi, gjë që tregon se turizmi është, veç të tjerave, një drejtim i duhur i zhvillimit ekonomik të qytetit.
*Fotografia kryesore e marrë nga webi.