Kompania e veshjeve sportive Puma përfundoi marrëveshjen për sponsorizimin e ekipit të futbollit të Izraelit, por ky vendim ishte marrë përpara sulmeve të Hamas në tetor. Vendimi nuk ka lidhje me presionet për bojkot siç pretendohet në postime të shpërndara në rrjetet sociale.
Kompania sportive PUMA është vendosur nën shënjestër të grupeve pro-palestineze si pjesë e kompanive që mbështesin Izraelin. Faji i saj i vetëm është marrëveshja për pajisjen me uniforma dhe pajisje të tjera sportive të ekipti kombëtar të futbollit të Izraelit. Por, ditët e fundit, të njëjtat grupime pretendojnë se presioni i tyre ka detyruar kompaninë gjermane që t’i japë fund marrëveshjes së sponsorizimit duke nisur nga viti 2024.
“Puma i jep fund marrëveshjes së sponsorizimit me kombëtaren izraelite. Ky është një nga rezultatet e presionit në rrjetet sociale…”-shkruajnë përdorues në rrjetet sociale.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në lidhje me këto pretendime, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim, duke iu referuar informacioneve nga mediat ndërkombëtare. Në një kërkim të bërë, rezulton se lajmi është i vertetë, pra që Puma do t’i japë fund sponsorizimit të ekipit kombëtar të futbollit të Izraelit vitin e ardhshëm. Mirëpo, ndryshe nga çfarë pretendohet në informacionet që qarkullojnë në rrjetet sociale, kjo nuk ka ardhur për shkak të presionit online.
Sipas “Reuters”, një zëdhënës i firmës gjermane të veshjeve sportive ka deklaruar se vendimi ishte marrë përpara sulmit të Hamasit më 7 tetor.
“Kontratat e disa federatave si Serbia dhe Izraeli do të skadojnë në vitin 2024,”- tha zëdhënësi në një email zyrtar për mediat ndërkombëtare.
Më tej ai shtoi se vendimi u mor në vitin 2022 si pjesë e strategjisë së re të Puma-s ‘fewer-bigger-better strategy’ (më pak-më e madhe-strategji më e mirë) dhe ishte në përputhje me afatet kohore të përcaktuara për dizajnimin dhe zhvillimin e fanellave të ekipeve dhe fokusimit në ekipe më të mëdha që përkthehen në fitime më të larta.
Thirrjet për bojkot ndaj kompanive të ndryshme janë bërë më të forta dhe janë zgjeruar në shumë firma dhe produkte, pas ofensivës ushtarake të Izraelit në Rripin e Gazës.
Në një artikull të publikuar më 12 dhjetor, Faktoje raportoi se fushata e fundit e kompanisë Zara kishte ngjallur zemërim në rrjetet sociale, ku klientët kërkuan bojkot ndaj saj. Mirëpo, ndryshe nga çfarë pretendohej në artikuj të shpërndarë, Zara sqaroi se fushata nuk kishte asnjë lidhje me luftën në Gaza, duke bërë të ditur se fotot ishin realizuar në muajin shtator.