Pretendimi: Mos i përdorni dritat LED sepse janë të dëmshme për shëndetin e njeriut
Verdikti: E pavërtetë
Ndriçimi LED është provuar tashmë prej vitesh si një teknologji që kursen energjinë elektrike, ofron më shumë jetëgjatësi të llambave dhe konfort në dritë në krahasim me llambat inkandeshente. Megjithatë, postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se kjo teknologji e re është e dëmshme për shëndetin e njeriut.
“Inkandeshentja përballë LED”- titullohet një video e postuar në Facebook, ku personi në video këshillon që të evitohen dritat LED për shkak të probleme shëndetësore që sjellin.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Në një tjetër postim të një video me filmim të ngadalësuar të një dhome më ndriçim LED, ku mund të dallohet pulsime të shpeshta të dritës, pretendohet gjithashtu se “Dritat LED vezullojnë 100,000 herë në sekondë… Drita e rreme i bën njerëzit të sëmuren..!!”.
Postimet e shpërndara në rrjetet sociale
Fillimisht, verifikuam pretendimin për dëmtimin e mundshëm të shëndetit nga ndriçimi LED. Kërkimet shkencore kanë konfirmuar se ndriçimi LED, ashtu si çfo formë tjetër ndriçimi e fortë, mund të ndikojë në nivelin e melatoninës. Melatonina është një hormon natyror që prodhohet kryesisht nga gjendra pineale në trurin e njeriut. Ai luan një rol në menaxhimin e ciklit gjumë-zgjim dhe ritmit cirkadian.
Nivelet e melatoninës janë më të larta gjatë natës dhe më të ulëta gjatë ditës, duke nënkuptuar kontributin e saj në rregullimin e ritmit cirkadian dhe ndryshimin ditor.
Mjekët kanë zbuluar se qëndrimi në orët e vona të natës para ekraneve të pajisjeve elektronike, që janë të ndriçuara me LED, ndikon në çrregullimin e prodhimit të melatoninës dhe si rrjedhojë regjimin e gjumit. Si rrjedhojë këshillohet që të kufizohet qëndrimi para ekraneve si dhe të ulet ndriçimi i fortë i dritave të shtëpisë për të ndihmuar ardhjen e gjumit.
Përsa i përket pretendimit për dëmet që mund të ketë pulsimi i llambave LED, pretendohet 100 mijë pulsime në sekondë, iu drejtuam ekspertit të energjisë, Azmer Duleviç. “Ndriçimi LED mund të bëhet i dëmshëm vetëm nëse fluksi i tij është më i lartë dhe më intensiv sesa duhet për një ambjent ose nëse është përballë syrit të njeriut. Në kushte normale të Lux nuk ka asnjë pasojë”.
Inxhinieri Duleviç rrëzon edhe pretendimet për rrezikun nga pulsimet e dritës LED. “Pulsimet janë normale në përdorimin e tensionit alternative (AC). Këto pulsime janë të pakapshme nga syri i njeriut dhe mund të maten vetëm nëpërmjet matjes me oshiloskop. Sidoqoftë, në një system me tension 230 Volt dhe frekuencë 50 Hz si ai i yni, llambat LED pulsojne vetëm 100 herë në sekondë”.
Llambat LED (akronim i Light Emitting Diode) funksionojnë duke kaluar elektrone përmes një gjysmëpërçuesi (dioda), i cili krijon elektroluminescencën. Këto llamba nuk kërkojnë fije si llambat inkandeshente, dhe as nuk mbështeten në gaz si halogjenet ose fluoreshencat. Ata gjithashtu nuk digjen dhe nuk kanë nevojë të ngrohen si llambat fluoreshente.
Në llambat LED të furnizuara me rrymën elektrike alternative (AC) është logjike që do të ketë ndryshim të drejtimit të rrymës. Frekuenca e rrymës alternative, numri i cikleve për sekondë në një valë sinusi AC, matet me njësinë matëse Herc (Hz), ku 1 herc është i barabartë me 1 cikël për sekondë.
Një llambë LED pulson dy herë më shumë se koha e hercit e furnizuar nga sistemi i energjisë AC. Pra në një system furnizimi 50 Hz përllogaritet që të ketë deri 100 pulsime në sekondë. Sigurisht, këto pulsime nuk janë të perceptueshme nga syri i njeriut.