MERXHAN DACI
Shqipëria ka 520,759 nxënës nga kopështi deri në shkollën e mesme por vetëm 413 psikologë dhe punonjës socialë duke llogaritur edhe ata të institucioneve arsimore private. Raporti i thjeshtë tregon se një psikolog mbulon afro 1260 nxënës, fakt ky që konfirmon shqetësimin e psikologëve shkollorë për ngarkesën e lartë.
Psikologët u bënë pjesë e shkollave shqiptare për herë të parë në vitin 2013. Që prej asaj kohe ata kanë qenë pjesë e debatit publik nëse numri i tyre është i mjaftueshëm dhe nëse roli i tyre është funksional dhe efiçient.
Institucionet e arsimit konfirmojnë se në shkollat publike të të gjithë vendit shërbejnë 227 psikologë dhe dhjetra punonjës socialë të cilët mbulojnë disa shkolla. Psikologët vetë por edhe shoqatat që mbrojnë të drejtat e tyre thonë për “Faktoje” se ata kanë ngarkesë të madhe dhe se shërbimi psiko-social do kohë që të quhet i mirëfilltë.
————————————————————————————————
Psikologët që punojnë në shkolla kanë si qëllim kryesor që të promovojnë zhvillimin mendor e fizik të nxënësve si dhe rritjen e cilësisë së procesit mësimor. Psikologu po ashtu bashkëpunon me mësuesit duke ndihmuar në zhvillimin e përgjithshëm social të nxënësve.
Në gusht të vitit 2013 u ngrit për herë të parë Njësia e Shërbimit Psiko-Social për sistemin arsimor parauniversitar. Ky shërbim parasheh që të vlerësojë gjendjen psiko-sociale të nxënësve me probleme të të nxënit ose sjelljes dhe në bashkëpunim me mësues dhe drejtues të insitucioneve arsimore dhe prindërit. Po ashtu planifikon dhe realizon shërbime që ndihmojnë në zhvillimin arsimor, social dhe personal të nxënësve.
Asokohe, me firmën e ish-ministrit të Arsimit dhe Shkencave Myqerem Tafaj u miratua urdhri për ngritjen e këtij shërbimi i cili sanksiononte si më poshtë:
- 1 psikolog/punonjës social për 3000- 3500 nxënës të kopshteve dhe arsimit bazë
- 1 psikolog/punonjës social për 2800- 3500 nxënës të arsimit të mesëm të lartë
- 1 psikolog/punonjës social për 2500- 3000 nxënës të arsimit fillor dhe të mesëm
- 1 psikolog/punonjës social për 200 nxënës të arsimit special
Sipas urdhrit tashmë të ish-ministres së Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla, i datës 3 prill 2018 thuhet se “Në institucionet e arsimit të mesëm të lartë të sigurohet një psikolog dhe një punonjës social për 1800-2300 nxënës, ndërsa për çdo institucion të arsimit të mesëm të llojit gjimnaz me mbi 700 nxënës të sigurohet një psikolog ose një punonjës social.”
Megjithatë, edhe pse ky urdhër do të shtonte numrin e psikologëve në shkollat e vendit, përsëri psikologët detyrohen të mbulojnë disa shkolla apo kopështe njëherësh.
Të dhënat që vijnë nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Urdhri i Psikologut thonë se në të gjithë vendin në shkollat publike punojnë 227 psikologë. Përveç tyre, në këto shkolla shërbejnë edhe 85 punonjës socialë. Po ashtu, shkollat dhe kopështet private kanë një numër prej 101 psikologësh dhe punonjësish socialë.
Ilir Havolli, kryetar i Shoqatës së Psikologëve të Shqipërisë, i pyetur nga “Faktoje” nëse numri i psikologëve në shkollat shqiptare është i mjaftueshëm, thotë se ky numër është mjaft i vogël në raport me nevojat që kanë shkollat.
“Është një numër jashtëzakonisht i vogël në raport me numrin e nxënësve që vijojnë procesin mësimor në ato shkolla. Një psikolog punon në disa shkolla me një numër të madhe nxënësish”, tha Havolli.
Sipas Havollit, roli i psikologut duhet marrë më seriozisht teksa dukuritë negative në shkolla janë në rritje dhe nevoja për qasje direkte është e menjëhershme.
“Dihet shumë mirë se në shkollat tona janë në rritje shumë dukuri negative siç janë duhanpirja, përdorimi i substancave narkotike, sjelljet devijante, pastaj duhet të mos e anashkalojmë edhe gjendjen psikologjike të nxënësve dhe ngarkesat e tyre si pasojë e planit edukativo-arsimore shumë të ngarkuar, orarit të provimeve, depresioneve të ndryshme”.
I pyetur nëse ky rol kryhet i plotë dhe funksional nga psikologët, Havolli ka disa rezerva duke ia faturuar problematikat kryesisht ngarkesës së madhe.
“Nuk kryhet i plotë sepse shumica e psikologëve janë të angazhuar në disa shkolla përnjëherësh dhe potenciali për të mbuluar një numër kaq të gjerë të shkollave është mjaft i vogël, prandaj puna e psikologut nuk është efektive kur ai mbulon një numër të madhe nxënësish. Duhet që në çdo shkollë të kishte psikolog resident e jo në lëvizje, që të njihen me problematikat e çdo nxënesi”, tha Havolli duke shtuar se sa më i madh që është numri i nxënësve aq më i vogël është efikasiteti dhe suksesi i psikologut.
Ornela Belba, psikologe që mbulon njëherësh shkollat “Hasan Prishtina”, “4 dëshmorët” dhe një kopësht fëmijësh në kryeqytet thotë se shërbimi psiko-social ka shumë rëndësi por se ka ende punë për t’u konkretizuar.
“Shërbimi psiko-social ka një funksion shumë të rëndësishëm në shkollë. Ai identifikon dhe parandalon problematika te ndryshme, menaxhon konfliktet ne shkollë duke monitoruar vazhdimisht palët në konflikt. Realizon seanca këshillimi. Një rol të rëndësishëm ka në aktivitetet parandaluese dhe sensibilizuese që realizohen me qëllim luftën ndaj fenomeneve të ndryshme sociale”, tha Belba.
“Është profesion që ka akoma shumë punë për tu konkretizuar. Por nëse do mbulonim vetëm një institucion do ishte më produktive puna jonë.”
Shkolla, psikologu dhe bullizmi
Në Shqipëri por jo vetëm, rolin e psikologut në shkolla e kanë lidhur ngushtë me fenomenin e bullizmit i cili raportohet se ndodh shpesh në shkollat shqiptare duke u manifestuar në forma të ndryshme.
Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian, në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë publikuan në 11 prill të vitit 2017 studimin e parë kombëtar mbi bullizmin dhe ekstremizmin në shkollat e Shqipërisë.
Studimi zbuloi që 1 në 5 nxënës nga klasa e 4-t deri në klasën e 12-të pohuan se janë prekur nga bullizmi në shkollë. Rreth gjysma e të prekurve vuajnë nga bullizmi psikologjik, 35 për qind nga ai verbal dhe dhe pjesa tjetër nga bullizmi fizik.
Studimi përforcoi më shumë idenë se bullizmi si fenomen është prezent dhe po shtohet në shkollat e Shqipërisë.
Psikologia Ornela Belba pohon se bullizmi është i pranishëm në shkollat që ajo mbulon dhe se shërbimi psiko-social ndihmon për luftimin e kësaj dukurie.
“Bullizmi është një fenomen i pranishëm në shkolla. Vështirësia qëndron tek ndërhyrja. Në fillim të cdo viti shkollor bëj një pyetësor ku fëmijët janë të lirë të shprehin shqetësimet e tyre. Fëmijët janë mësuar me prezencën time dhe besimin e kanë krijuar, kjo ma lehtëson më shumë punën”, tha Belba duke shtuar se shkollat kanë tashmë një strategji antibullizëm dhe se sipas saj shërbimi psiko-social po punon për ta luftuar atë”.
Shërbimi psiko-social si shërbim relativisht i ri në shkollat shqiptare ka qenë disa herë që nga dita e krijimit pjesë e debatit publik me në temë arsimin dhe është shigjetuar kryesisht si jo-funksional dhe jo-efiçient. Vetë raporti i madh i nxënësve me numrin e vogël të psikologëve konfirmon mangësitë e një shërbimi kaq të rëndësishëm që duhet të izolojë që në krye të herës dukuritë negative gjatë rrugës së shkollimit të fëmijëve shqiptarë.