Pretendimi: Këto imazhe tregojnë këngëtare të famshme që adhurojnë djallin
Verdikti: Gjeneruar me AI
—————————————————
Një video që duket se tregon këngëtaret Britney Spears, Rihanna, Beyonce dhe Ariana Grande duke kryer rituale satanike po qarkullon në rrjet si provë për sekretet e panjohura të VIP-ave që adhurojmë.
Megjithatë, konspiracionistët e shqetësuar për ndikimin ‘satanist’ të këtyre këngëtareve të famshme tek publiku mund të flenë të qetë. Imazhet e treguara në video nuk janë të vërteta, por janë gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, një tregues se imazhi është gjeneruar me anë të një programi kompjuterik janë ‘gabimet’ në detaje. Sipas hulumtimeve, imazhet e krijuara artificialisht shpesh prodhojnë duar dhe këmbë të papërsosura.
Imazhet që shfaqen në video
Detaji i parë që vëmë re në këto imazhe është se simbolet e vizatuara në tokë në secilin prej tyre duken të papërfunduar apo të papërcaktuar. Programi AI është përpjekur të prodhojë një pentagram, simboli që shoqërohet më shpesh me Satanizmin, por nuk ia ka dalë me sukses. Një sataniste e vërtetë do të mësonte të vizatonte formën e thjeshtë të yllit me pesë cepa të paktën përpara se të niste ritualin.
Më tej, në imazhet e mësipërme shohim se këmba dhe gishtat e Beyonce shfaqen të deformuar ndërsa Ariana Grande duket se ka dy palë këmbë.
Megjithëse imazhet e gjeneruara me anë të programeve AI sa vijnë e bëhen më të shpeshta në rrjet, lexuesi skeptik mund t’i dallojë si të pavërteta duke i kushtuar vëmendje detajeve dhe duke përdorur të menduarit kritik.