E shtunë 8 janar 2022
📍 Ora 11:00 Në zonën rreth “Kalasë së Tiranës”, “Rrugën e Elbasanit” dhe hapësirën para selisë së PD-së u grumbulluan mbështetës të ish kryetarit të PD, Sali Berisha i cili kishte paralajmëruar më herët se nëse zoti Lulzim Basha nuk largohej nga selia, do të hynin përmes një proteste paqësore. Brenda selisë së PD, ndodheshin që prej orës 10:00 kryetari Lulzim Basha me deputetë mbështetës të tij.
📍 Ora 12 00 Pas tentativës për të hyrë brenda në seli, dyert e të cilës ishin të mbyllura, nisën aktet e dhunshme, thyerje xhamash, goditje e dyerve me sende të forta dhe përpjekje për të hyrë edhe përmes dritareve të katit të dytë të ndërtesës.
📍 Ora 12:30 selitë diplomatike të SHBA dhe vendeve të BE të akredituara në Tiranë reaguan duke dënuar dhe bërë thirrje kundër akteve të dhunës.
📍 Ora 12 30 Nisën kundërpërgjigjet nga brenda ndërtesës me tymuese dhe objekte të forta, ndaj protestuesve që tentuan të hyjnë me forcë në seli. Një pjesë e tyre arritën të hyjnë në zyrat e forumit rinor në katin e parë të ndërtesës, ndërkohë që dyert komunikuese me katin e dytë ishin të blinduara, duke penguar tentativën e protestuesve për të vijuar më tej.
📍 Ora 13 00 Nisi ndërhyrja e policisë për largimin e protestuesve me gazlotsjellës.
📍 Ora 13 30 Drejtori i Policise së Tiranës Lorenc Panganika konfirmoi se forcat policore ndërhynë, pasi u konstatua se po rrezikohej jeta e personave brenda selisë së PD. Deri në atë moment konfirmoheshin zyrtarisht nga policia një qytetar dhe një efektiv policie të plagosur lehtë.
📍 Ora 14 20 ish kryetari i PD Sali Berisha, i cili përgjatë gjithë protestës konfirmonte se nuk ishin kryer akte të dhunshme në selinë e PD, njoftoi mbylljen e saj, duke paralajmëruar vijimin në forma më të fuqishme gjatë ditëve në vazhdim.
📍 Ora 14:30 Ndërsa zona përreth selisë dhe brenda saj ishte kthyer në një skenë krimi, Policia e Shtetit njoftoi se në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë ka filluar kryerja e veprimeve hetimore.