Pretendimi: Proteinat peplomere nga vaksinat mRNA anti-Covid riprodhohen vazhdimisht brenda qelizave.

Verdikti: E pavërtetë


Kur po mbushen katër vite nga shpërthimi i pandemisë së Covid-19, shkenca ka arritur të kuptojë më mirë se si funksionon infektimi dhe rolin që luajnë vaksinat kundër këtij virusi të ri. Megjithatë, informacionet kontradiktore që shoqëronin të panjohurat në nisjen e pandemisë vijojnë të prodhojnë informacione të dyshimta. Një prej tyre është dhe teknologjia mRNA e vaksinave të reja.

Në një artikull të 7 marsit 2024, portali mast.al jep lajmin: “Shokante: Thumbi nga Vaksinat mRNA Kundër Covid Riprodhohet Vazhdimisht Brenda Qelizave të të Vaksinuarve”. 

Në brendinë e tij, artikulli nuk përmban asnjë burim, studim, apo referencë për ta mbështetur këtë pretendim.

Artikulli nuk shpjegon as çfarë do të thotë me ‘thumbi nga vaksinat’, që duket se i referohet proteinave peplomere, të cilat quhen edhe proteina thumb sepse ngrihen si thumba nga sipërfaqja e viruseve.

Proteinat peplomere (bojëqielli) në virusin SARS-CoV-2 

Virusi hyn në qelizat njerëzore me anë të këtyre proteinave, dhe fakti që janë jashtë virusit do të thotë që sistemi imunitar i njeh lehtësisht.

Vaksinat anti-Covid udhëzojnë qelizat e njeriut që të prodhojnë proteina thumb të padëmshme, të ngjashme me ato të prodhuara nga SARS-CoV-2. Kur sistemi imunitar i njeh këto proteina të reja, fillon të gjenerojë antitrupa dhe të formojë një mbrojtje imunitare ndaj tyre. Me anë të këtij procesi, trupi përgatitet kundër një infektimi të ardhshëm.

Në fakt, sipas Shoqërisë Amerikane së Sëmundjeve Infektive (IDSA) proteinat peplomere të gjeneruara pas vaksinimit zgjasin për disa javë në trup. 

Nuk ka prova se proteinat peplomere riprodhohen vazhdimisht brenda qelizave njerëzore. 
Studime shkencore të deritanishme, konfirmojnë se kodi mRNA që udhëzon qelizat të krijojnë këto proteina çmontohet nga qeliza pak pasi proteina krijohet. mRNA është shumë delikate, një nga arsyet pse vaksinat mRNA duhet të ruhen me kujdes në temperatura shumë të ulëta.