Identiteti Digjital Europian, një sistem i propozuar nga Komisioni Europian, nuk është një mjet kontrolli dhe monitorimi të qytetarëve. Verifikimi i Faktoje shpjegon se qëllimi i këtij sistemi vullnetar është harmonizimi i identifikimit digjital nëpër vendet e BE dhe rritja e kontrollit që qytetarët e BE do të kenë mbi përdorimin e të dhënave të tyre personale nga kompanitë teknologjike.

————————————————————

Në rrjetet konspiracioniste po qarkullon një variant teorie konspirative tekno-distopike, sipas së cilës Bashkimi Europian do të përdorë sistemin e Identitetit Digjital Europian për të monitoruar dhe kontrolluar qytetarët.

Fillmisht, lind nevoja të shpjegohet çfarë është ekzaktësisht Identiteti Digjital Europian (eID). Bëhet fjalë për një projekt të Komisionit Europian, i cili ka qenë lajmëruar më parë, dhe u prezantua më në detaj në Qershor 2021.

Sipas faqes zyrtare të KE, “Identiteti Digjital Europian do të jetë i disponueshëm për qytetarët, rezidentët dhe bizneset e BE që duan të vetë-identifikohen apo të konfirmojnë disa të dhëna të caktuara personale. Mund të përdoret për shërbime publike dhe private, online dhe offline, nëpër BE.”

eID do të jetë i disponueshëm për të gjithë qytetarët e BE, por përdorimi i tij do të jetë vullnetar. 

Vende të ndryshme të BE kanë implementuar tashmë sisteme të ngjashme. Megjithatë, këto sisteme kombëtare nuk janë të pajtueshme me njëra tjetrën. Si pasojë, qytetarët e BE shpesh nuk mund ta përdorin identitetin e tyre kombëtar digjital jashtë vendit të tyre. Kjo do të ndryshojë me futjen e një identiteti të përbashkët europian.

Një nga qëllimet e eID është që qytetarët e BE të mund të përdorin identitetin e tyre digjital për të aksesuar shërbimet digjitale të kompanive si Facebook dhe Google duke patur kontroll mbi të dhënat e tyre personale. eID do të lejojë qytetarët e BE të vendosin vetë se cilat të dhëna duan të ndajnë me kompani të ndryshme digjitale.

eID do të përdoret gjithashtu për të aksesuar shërbime publike, për të aplikuar për universitet, për të hapur një llogari bankare, për të marrë makina me qera, për të bërë check-in në hotel, etj. 

Në fjalë të tjera, qëllimi i kësaj risie është të zëvendësojë dokumentet fizike të identifikimit dhe dokumentet zyrtare, duke marrë në konsideratë privacinë e përdoruesit. Një nga argumentet kryesore në favor të eID është pikërisht se do t’i japë më shumë kontroll qytetarëve mbi përdorimin dhe ndarjen e të dhënave të tyre personale.

E gjithë kjo nuk do të thotë se sistemi që BE po përpiqet të krijojë nuk mund të përdoret për qëllime të tjera, përtej qëllimeve për të cilat është konceptuar tani. Megjithatë, përdorimi i eID për survejim digjital dhe lavazh truri për të bërë qytetarët të bindur nuk duket se ka gjasa.

Kjo lloj mbikqyrjeje do të thoshte se brenda Bashkimit Europian ka patur një degradim domethënës në nivelin e kulturës demokratike dhe shkelje të parimeve ligjore të BE. Do të ishte gjithashtu në mospajtim me politikat që BE ka adoptuar tashmë, si Rregullacioni Europian për mbrojtjen e të dhënave personale, dhe politikat që planifikon të adoptojë, si rregulla më strikte për shërbimet digjitale dhe sistemet e njohjes së fytyrave.

Si përfundim, pretendimi se implementimi i Identiteti Digjital Europian është hapi i parë i një konspiracioni për kontrollin dhe monitorimin e popullatës nuk është i bazuar në fakte.