Ndeshja e 10 shtatorit mes kombëtares shqiptare dhe asaj polake në stadiumin “Air Albania” në Tiranë u kthye në ‘ushqim’ për propagandë në disa media serbe. E gjitha nisi me gjestin e golashënuesit për ekipin e Shqipërisë, Mirlind Daku që hoqi fanelën e kombëtares duke ekspozuar tatuazhin në shpatullën e djathtë në nder të luftëtarit të UÇK, Agim Ramadani. Mediat serbe e cilësuan këtë akt si provokim duke e quajtur Ramadanin “terrorist”, një narrativë e bazuar në dizinformim dhe gjuhë urrejteje.

Jona Plumbi

Mediat e rajonit kanë raportuar gjerësisht “acarimin” në disa artikuj në gjuhën serbe për shkak të ekspozimit që golashënuesi i kombëtares shqiptare, Mirlind Daku i bëri tatuazhit të tij. Detaji që shkaktoi zhurmën ishte simboli i tatuazhit në shpatullën e sportistit, Katana që identifikon luftëtarin e UÇK, Agim Ramadani  dhe numri138 që përkon me brigadën që ai udhëhiqte.

Sulmuesi gjilanas e bëri gjestin festiv pasi shënoi golin e dytë për Kombëtaren Shqiptare ndaj Polonisë në stadiumin ‘Air Albania’, në ndeshjet eliminatore për Kampionatin Europian 2024.

*Imazh i tatuazhit të futbollistit Mirlind Daku

UEFA e ndëshkoi futbollistin shqiptar me kartonin e verdhë, bazuar në rregulloren e ndeshjeve që përcakton se kur lojtari feston golin duke hequr bluzën apo mbuluar kokën me të, do të marrë karton të verdhë.

Daku deklaroi se golin ia dedikoi familjes së tij dhe gjithë dëshmorëve të Kosovës të rënë për liri.

Ia dedikoj familjes time, që më ka përkrahur gjithmonë, por edhe gjithë dëshmorëve në Kosovë, që kanë dhënë gjithçka për Atdheun dhe kanë kontribuuar që ne të mblidhemi nga të gjithë trevat dhe të luajmë me këtë fanelë”, deklaroi  Daku pas fitores.

Retorika serbe

Shënoi një gol për një fitore të rëndësishme në kualifikuese dhe më pas tregoi një tatuazh të madh të një terroristi të UÇK-së”. – Kështu shkruan media serbe Blic.rs duke komentuar gjestin e futbollistit Mirlind Daku. Ajo vijon duke e portretizuar golshënuesin Daku përmes retorikës nacionaliste serbe, duke e quajtur “të lindur në Serbi, në Gjilan”. Media serbe Blic.rs e mbyll një tjetër artikull rreth ngjarjes me fjalinë “Le të shohim nëse UEFA do të reagojë për këtë”.

Edhe media serbe “Serbian.posten.com” kërkoi reagimin e UEFA-s për këtë veprim. “Edhe pse i njohur për idenë se politika nuk duhet të ketë vend në sport, reagimi i UEFA-s ka mbetur për momentin i munguar”. – shkruan ajo.

Në vijim retorika u ashpërsua më shumë, duke e “pasuruar” me disa të pavërteta si për shembull:

  1. Një skandal i madh! Futbollisti tregoi këpucën që shkel simbolin e Kosarit, lavdëroi UÇK-në terroriste dhe foli për Shqipërinë e Madhe: Të bashkojmë të gjitha trevat tona! – Blic.rs
  2. Tifozët polakë të ardhur për të vizituar kryeqytetin e Shqipërisë kanë brohoritur para dhe gjatë ndeshjes: “Kosova është Serbi”. – Serbian.posten.com
  3. Mirlind Daku, bëri thirrje për “bashkimin e të gjitha trevave shqiptare”, ndërsa glorifikoi UÇK-në terroriste. – Serbian.posten.com

Artikulli i medias serbe Blic pretendon se Daku bëri thirrje për bashkim të territoreve shqiptare, kur ai në fakt falenderoi publikisht në video ata që “kanë kontribuuar që ne të mblidhemi nga të gjithë trevat dhe të luajmë me këtë fanellë”.

Vetë videoja që artikulli i Blic.rs ka vendosur krah citimit të pavërtetë, përgënjeshtron pretendimin e artikullit. Një publikim në rrjetin social Twitter (X) me emrin “Kosovar Football” ka përkthyer gabim deklaratën që vetë e ka publikuar edhe me video.

Lajmi për reagimin e mediave serbe dhe kërkesën e tyre ndaj UEFA-s u pasqyrua gjerësisht në mediat që shkruajnë në gjuhën shqipe.

*tituj të lajmeve shqip për reagimin e mediave serbe

Shpesh mediat cituan media të tjera rajonale lidhur me pretendimin e ngritur në Serbi:

Ai hoqi fanelën e Shqipërisë dhe kështu u zbulua tatuazhi në shpinën e futbollistit – guri i thyer në kufirin Kosovë – Shqipëri dhe “Katana 138” kushtuar komandantit Agim Ramadani. Media kroate “Dnevnik” shkruan se për shkak të shfaqjes së këtij tatuazhi media të ndryshme në Serbi kanë kërkuar dënimin e sulmuesit gjilanas”. – raportin KOHA.

Çfarë simbolizon “Katana 138”

“Katana” është nofka me të cilën njihet komandanti Agrim Ramadani, një prej luftëtarëve më të shquar dhe më aktivë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, komandant i zonës së Kosharës (Ferizaj). Ai lindi në 3 Maj 1963 në komunën e Gjilanit dhe ra dëshmor në 11 Prill 1999 në Koshare gjatë një beteje me forcat serbe.

*përmendore në Kosovë

betejën e Koshares, ku edhe u vra, Ramadani ishte komandat i Brigadës 138. Pas përfundimit të luftës atij iu akordua titulli Hero i Kosovës. Beteja e Koshares u zhvillua për 77 ditë me radhë, duke nisur më 9 Prill dhe përfunduar me 19 Qershor 1999.

Grupi Operativ i Tretë (GO – 3) – ka funksionuar nën Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së përmes Komandës së Zonës Operative të Dukagjinit (KOMZOD) dhe përbëhej nga tri njësi operative ushtarake:

1. Brigada 131;

2. Brigada 134;

3. Batalioni Diversant Vëzhgues (BDV),

Këto njësi ishin të themeluara me urdhër të Ministrit në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës – Z. Kolonel Ahmet Krasniqi. Më vonë “GO – 3” është riemëruar “Brigada 138 – Agim Ramadani”.

Retorika nacionaliste serbe e quan Ramadanin “kriminel dhe terrorist” duke përhapur informacione të pavërteta me qëllim nxitjen e ndjenjave nacionaliste tek populli serb përmes gjuhës së urrejtjes. Një pasqyrim i kësaj retorike gjendet sot lehtësisht në rrjet në faqe serbe, ku Ramadani portretizohet si “dora e djathtë e Ramush Haradinajt dhe bandës së tij terroriste që prej dekadash bastis Kosovën duke kryer shumë krime”.

Edhe pse Ramush Haradinaj është shpallur i pafajshëm dy herë nga gjykata në Hagë për akuzën për krime lufte, kjo nuk e ka frenuar retorikën nacionaliste serbe, që e portretizon atë dhe luftëtarë të tjerë të shquar të UÇK-së si kriminelë.

Përfundim

Shpesh ndeshjet e futbollit kthehen në arenën perfekte për të bërë politikë dite duke nxitur ndjenja nacionaliste, gjuhë urrejtjeje dhe duke krijuar perceptime të gabuara përmes dizinformimit. Ky ishte edhe rasti i ndeshjes Shqipëri – Poloni, ku tatuazhi i një Heroi Kombëtar në Kosovë, dënohet në Serbi si imazh i një terroristi dhe krimineli.

Debati historik mes Serbisë dhe Kosovës lidhur me përkatësinë e kësaj të fundit, mungesa e njohjes së Republikës së Kosovës nga Serbia dhe këmbëngulja e kësaj të fundit për ta quajtur UÇK-në një organizatë terroriste, sjell herë pas here lajme dhe pretendime që ngrihen kundër figurave të ndryshme të luftës çlirimtare të Kosovës.

Viktima e fundit e kësaj “histerie nacionaliste” është pikërisht luftëtari i UÇK-së, Agim Ramadani dhe futbollisti nga Gjilani, Mirlind Daku, i portretizuar padrejtësisht si “promovues i Shqipërisë së Madhe” nga mediat serbe.

*Ky shkrim është prodhuar si pjesë e iniciatiavës rajonale Qendra Kundër Dizinformiminit e Ballkanit Perëndimor

Redaktoi: Viola Keta & Aimona Vogli