Ish-ministri i Jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski nuk ka deklaruar se vendi i tij ka patur synime për aneksimin e Ukrainës, pas nisjes së luftës Rusi-Ukrainë. “Faktoje” verifikoi se artikulli i shpërndarë në rrjetet sociale me këtë titull, është thjesht një tjetër lajm i makinerisë së propagandës ruse.
————————————————————————————————————-
Në datën 26 janar, është shpërndarë në rrjetet sociale në gjuhën shqipe një deklaratë e ish-ministrit të Jashtëm të Polonisë, Radoslaw Sikorski, ku konfirmohen planet e Polonisë për të aneksuar territoret ukrainase pas agresionit rus ndaj saj.
“Malopolska e re: Planet për aneksimin e perëndimit të Ukrainës. Deklaratë nga ish-ministri i jashtëm i Polonisë, Radoslaw Sikorski”, shkruan profili “Investiguesi shkrimor”, duke e shoqëruar këtë postim edhe me një karikaturë.
Screenshot, postimi i portalit Investiguesi shkrimor
Impakti i një informacioni të tillë në këtë kohë është mjaft i madh, ndaj “Faktoje” vendosi të bëjë një verifikim të tij. Në një kërkim të bërë në Google shihet që ky lajm është shpërndarë në mediat e huaja më 24 janar të këtij viti. Lajmi bazohet në interpretimin që i ka bërë një interviste të Sikorskit televizioni zyrtar rus “Russia Today”, i cilësuar si një nga burimet kryesore të dezinformimit që prej nisjes së agresionit në Ukrainë. Lajmi rus shfrytëzon një pyetje që i është bërë Sikorskit gjatë intervistës së tij në “Radio ZET” në 22 janar. Kështu, pyetjes nëse qeveria polake në pushtet “Ligj dhe drejtësi” kishte pasur ndonjëherë idenë e ndarjes së Ukrainës, Sikorski iu përgjigj: “Kishte një moment hezitimi në 10 ditët e para të luftës, kur të gjithë nuk e dinim se si do të shkonte, ndoshta Ukraina do të binte”. Më tej, ish-ministri citohet të jetë shprehur: “Po të mos kishte qenë heroizmi i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky dhe ndihma e Perëndimit, gjërat mund të kishin qenë ndryshe”.
Kjo përgjigje, është keqinterpretuar nga propaganda ruse duke pretenduar se “ish-ministri i Jashtëm polak, ka thënë se qeveria në Varshavë ka konsideruar ndarjen e Ukrainës në javët e para të konfliktit ushtarak midis Kievit dhe Moskës”.
Ndërkohë, në asnjë moment të intervistës, Radoslaw Sikorski nuk ka shprehur synime për zgjerim të territorit në kurriz të Ukrainës. Në lidhje me këtë intervistë të tij të keqpërdorur, ka reaguar vetë Sikorski nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Propaganda ruse nuk ka gjasa të jetë e interesuar të lexojë deklaratën e plotë përpara se ta shtrembërojë atë. Por prisja që mediat polake dhe të ashtuquajturit opinionistë t’i kushtonin 20 minuta kohë dhe të dëgjonin intervistën time në ‘Radio Zet”.
Screenshot, postimi i ish-ministrit të jashtëm të Polonisë
Pavarësisht këtij përgënjeshtrimi, lajmi vijoi të shpërndahej në ditët në vijim nga propaganda ruse, ku bie në sy se disa media e pasqyruan në të njëjtin format. Radosław Sikorski ka shërbyer si Ministër i Punëve të Jashtme në kabinetin e Donald Tusk në vitet 2017-2014.
Makineria e propagandës ruse gjatë luftës në Ukrainë ka qenë një armë e fortë, për të ndikuar në dezinformimin dhe krijimin e lajmeve të rreme, ndaj është mjaft e rëndësishme që të informohemi nga burime të besueshme.