Në fushatën elektorale të qershorit 2013, teksa kërkonte votën e shqiptarëve për të ardhur në pushtet, Edi Rama angazhohej se përmes programit të rilindjes do të nxirrte të moshuarit nga varfëria.
“Angazhimi ynë pensione dinjitoze për të nxjerrë të moshuarit nga varfëria.”, premtonte Rama në 2013.
Një vit më vonë, pasi kish fituar mandatin e parë qeverisës, qeveria prezantoi reformën e re në pensione. Sipas kryeministrit Rama thelbi i reformës ishte pensioni dinjitoz.
“Nuk mund të vazhdojë më, edhe 20 vjet, edhe 30 vjet të tjera, duke i konsideruar njerëzit që dalin në pension si qenie që thjesht duhet të mbijetojnë me një grusht lekësh…”, angazhohej Rama në 2014.
‘Déjà vu’
Në prag të një viti zgjedhor Rama riktheu kartën e vjetër elektorale të rritjes së pensioneve. Qeveria ka nisur një fushatë informimi me pensionistët nga veriu në jug duke u premtuar të moshuarve rritje pensionesh.
“Qëllimi është që të arrijmë të kushtëzojmë qeverinë me ligj që në përqindjen e rritjes ekonomike, kur ekonomia ka një rritje ekstra, pensionistët të jenë përfituesit e parë, dhe të ndahet kjo.”, premtoi kryeministri Rama në ëelje të diskutimeve publike mbi rritjen e pensioneve fillimisht pa dhënë afate konkrete.
Teksa kreu i qeverisë vijonte turin e takimeve me pensionistët në të gjithë vendin, në parlament u dorëzua buxheti i shtetit për vitin e ardhshëm.
Në dokumentin më të rëndësishëm të financave të shtetit, qeveria nuk ka parashikuar para për rritjen e pensioneve. Edhe në 2025 mbi 791 mijë pensionistët në të gjithë vendin do të përfitojnë vetëm indeksim dhe shpërblim fundviti.
Referuar shifrave të projektbuxhetit, qeveria ka parashikuar 1.6 miliardë lekë si fond për indeksimin e pensioneve nga 4,1 miliardë që ishin të parashikuara këtë vit. Pra, dy herë e gjysmë më pak se indeksimi i këtij viti që ishte në masën 4.1 %.
Ndërkohë fondi për shpërblimin e ëdo fundviti ndaj pensionistëve është thuajse i njëjtë me atë të këtij viti. Në 2025 qeveria ka planifikuar 3,7 miliardë lekë në formën e bonusit, nga 3,6 të planifikuara këtë vit.
Në këtë pikë, Rama u detyrua të jepte dhe afate kohore për rritjen e pensioneve. Premtimin që se përmbushi gjatë një dekade qeverisje, i njëjti kryeministër angazhohet ta realizojë katër vitet e ardhshme.
“Jemi kujtuar që ditën e parë për këtë punë por nuk kemi mundësitë ta adresojmë seriozisht një rritje domethënëse të mbështetje për pensionistët sepse nuk na i ka lejuar ekonomia.”, sqaroi në një tjetër takim me të moshuarit kreu i qeverisë.
Ky fakt krijoi pakënaqësi dhe për herë të parë në dhjetë vite qindra pensionistë u mblodhën në protestë përpara kryeministrisë.
“Kanë nga 30 vjet që na mashtrojnë. Këto që kanë bërë këta s’quhen rritje pensionesh. Jetesa me këto pensione është tepër e vështirë.”, tha për faktoje.al Qazim Mesipi.
Çfarë ka ndodhur në dhjetë vite?
Në Shqipëri jetojnë 791,257 pensionistë. Referuar të dhënave nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore në dhjetë vite pensioni mesatar në qytet është rritur me 4,158 lekë dhe në fshat 3,586 lekë.
Pensioni mesatar urban
2013 14,076 lekë
2023 18,234 lekë
Pensioni mestar rural
2013 7,465 lekë
2023 11,051 lekë
Të dhënat e përpunuara nga Faktoje tregojnë se gjatë dekadës së fundit pensionet janë indeksuar mesatarisht me 4%. Indeksimi është detyrim ligjor që ka synim kompensimin e pasojave të ndryshimit të çmimeve të mallrave dhe të shërbimeve të zgjedhura për nivelin minimal të jetesës së pensionistëve.
Paralelisht me indeksimin, në dhjetë vitet e fundit qeveria ka shpërndarë çdo fundvit edhe bonus nga 3 deri në 5 mijë lekë për pensionistët.
Ekspertët e ekonomisë bien dakord që pensionet duhet të rriten, por zgjimin e vëmendjes ndaj pensionistëve pas një dekade qeverisje e lidhin me zgjedhjet.
“Është vetëm fjala fushatë ajo që vlen, sepse në qoftë se do ishte për pensionistët duhet mbjellë nga pak e për vit. Reformat më të mëdha bëhen në fillim të mandateve qeverisëse në mënyrë që të jepet kohë për t’i zhvilluar, mësuar nga to dhe për të korrigjuar atë që duhet për qeverisjen e ardhshme.”, argumenton Eduard Gjokutaj.
Nga ana tjetër, Irena Beqiraj shton se rritja e pensioneve kërkon adresimin e disa sfidave.
“Pensionet nuk mund te rriten pa adresuar me mjetet e duhura ndryshimet strukturore demografike, pa diversifikuar një orë e më parë strukturën sektoriale ekonomike të vendit,
pa ndryshuar strukturën e taksave të cilat i kemi përdorur herë si morfinë e herë si karamele për të ulur dhimbjet e një ekonomie që nuk prodhon rezultate për të gjithë…”, vlerëson Irena Beqiraj.