Projekti për transformimin e qendrës historike të qytetit të Durrësit nuk ka nisur ende të zbatohet, pavarësisht premtimit të bërë nga kryebashkiakja Emiriana Sako. Zyrtarisht Bashkia e Durrës thotë për Faktoje se nuk është miratuar fond në buxhet, por jep detaje si do të transformohet qyteti bregdetar nga ky projekt.
…………………………………………………………
“Parashikojmë që edhe me fillimin e punës për qendrën historike nga ADF, që është një projekt shumë i rëndësishëm me të cilin po ecim me ritme shumë të mira. Është mbaruar studimi i fizibilitetit dhe pikërisht ky projekt këtë do bëjë jo vetëm rivitalizimin e zonës nga ana arkitektonike dhe rivendosjen e të gjithë elementëve urban, por do të ketë edhe një impakt në biznes dhe një formim e rritje kapaciteti për biznesin. Do të kemi rritje të frekuentueshmërisë dhe turizmit”, deklaroi kryebashkiakja Emiriana Sako.
Rivitalizmi i qendrës historike të qytetit të Durrësit ishte një prej premtimeve të bëra nga kryebashkiakja Emiriana Sako në muajin maj të këtij viti. Sipas saj, ky investim do të ndikonte në shtimin e turistëve dhe për rrjedhojë do të kishte një impakt pozitiv në zhvillimin e bizneseve.
Në lidhje me këtë zotim, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës në muajin gusht, për të mësuar se çfarë parashikon konkretisht projekti i ri për transformimin e qendrës historike të qytetit bregdetar.
Por, në përgjigjen e dhënë, Bashkia nuk jep asnjë detaj në lidhje me projektin, por thekson vetëm që nuk është parashikuar fond në buxhet për të.
“Në lidhje me qendrën historike të qytetit, Bashkia ka miratuar planin e detyruar për zonën e re në Zhvillim Zona 5 me Vendim nr.39 datë 19.05.2021 dhe është dërguar për miratim në Këshillin Kombëtar të Territorit. Nuk është parashikuar fond në buxhet”, njofton Bashkia Durrës.
Pëgjigjia e Bashkisë Durrës
Vendimi i Këshillit Bashkiak për zonën e re në zhvillim
Por, çfarë përfshin konkretisht projekti? Për të zbuluar më shumë detaje rreth tij, Faktoje iu drejtua sërish me një kërkesë për informacion Bashkisë Durrës më 15 dhjetor 2021.
Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 15 dhjetor 2021
Në përgjigjen zyrtare theksohet ndër të tjera se mes Bashkisë Durrës, AADF dhe Ministrisë së Kulturës është lidhur dhe një Memorandium Mirëkuptimi për planin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit si dhe krijimin e TID Durrës, mes Bashkisë Durrës dhe AADF-së.
“Albanian-American Development Foundation është duke financuar projekte në zonën A të qytetit të Durresit, të cilat janë identifikuar gjatë përgatitjes së Planit të Menaxhimit të Integruar të Durrësit. Midis Bashkisë Durrës, AADF dhe Ministrisë së Kulturës është lidhur dhe një Memorandium Mirëkuptimi për planin e Menaxhimit të Integruar të Zonës Arkeologjike A dhe B të qytetit të Durrësit si dhe krijimin e TID Durrës mes Bashkisë Durrës dhe AADF-së.
Zona e ardhme TID e Durrësit ndodhet brenda zonës arkeologjike A. Qëllimi kryesor i projektit është ‘Projektimi i restaurimit dhe rikualifikimit urban të zonës së ardhshme TID Durrës, e cila ndodhet brenda zonës arkeologjike A në qytetin e Durrësit’, në mënyrë që të rritet turizmi. Zona e ndërhyrjes është afersisht 8 ha. Objektivi kryesor është përgatitja e një metodologjie për ndërhyrjen në ndërtesat, sheshet dhe rruget/shtigjet brenda zonës së ardhshme TID Durrës.
Zona e projektit në qytetin e Durrësit përfshin në total afërsisht 202 ndërtesa. Në lartësi dominojnë strukturat 1 dhe 2 katëshe. Gjithashtu në zonë gjenden dhe godina me 5 kate, 6 kate, një godinë 12 katëshe, të cilat e prishin harmoninë arkitektonike midis ndërtesave. Një numër i përgjishëm prej 15 ndërtesash janë vlerësuar për shkak të statusit të dukshëm të rrezikshëm ose të përkeqësuar të strukturave.
Pas analizave, janë hartuar planet e restaurimit dhe rigjenerimit urban për këto kategori objektesh në zone: Restaurimi/Rikualifikimi dhe harmonizimi i fasadave të ndërtesave të zonës së projektit të mbetura pas realizimit të prishjeve dhe hapjes së hapsirave. Restaurimin e mureve të kalasë pas prishjes së ndërtesave që mbeshteten në këto mure. Harmonizimin dhe përshtatjen e shtresave rrugore me pamjen e re të zonës pas ndërhyrjeve restauruese”, sqaron Bashkia e Durrësit.
Më tej bëhet e ditur nga ky institucion që janë identifikuar 55 pika me interes te trashëgimisë arkeologjike ose kulturore: “Ekipi i Konsulentëve i përbërë nga Ekspertë të Arkeologjisë dhe Ekspertë të Trashegiminisë Kulturore ndërmorën një studim të hollësishëm dhe identifikuan potencialin arkeologjik dhe të trashëgimnisë kulturore që mund të shërbejë si atraksion turistik në zonën e projektit.
Janë identifikuar 55 pika me interes të trashëgimisë arkeologjike ose kulturore, përfshirë edhe pika të padukshme sot për shkak të ndërtimeve të bëra ndër vite. Këto pika mund të shtojnë vlerë në objektet kryesore me interes në zonë: Amfiteatri Antik, shtëpia e Aleksandër Moisiut, Xhamia, Hamami dhe muret rrethuese të Kalasë duke e kthyer të gjithë zonën TID, në një tërheqje turistike të fuqishme.
Për të unifikuar dhe evokuar epokat e hershme të ndërtimit të zonës, rrugët brenda zonës do të shtrohen me kalldrëm guri duke formuar vizatime të ndryshme, ndërsa në zonën arkeologjike duke përfshirë edhe zonen e re që do të krijohet nga prishjet e propozuara, shtigjet do kalldrëmohen me gur lumi duke ruajtur pamjen e sotme në hyrje të Amfiteatrit. Sheshet e reja të përftuara më se shumti nga prishjet dhe që do të kombinohen me zona të reja të gjelbërta, do të shtrohen gjithashtu me kalldrëm me gurë”.
Por kur pritet të nis puna dhe çfarë thonë banorët?
Edhe pse, sipas deklaratës së kryebashkiakes, më këtë projekt po ecet me ritme të mira, bashkia Durrës, nuk ka dhënë asnjë të dhënë në lidhje me ecurinë e këtij projketi, apo me afatet e përcaktuara për të.
Për të mësuar sa të informuar ishin banorët për projektin, ne ishim në qytetin bregdetar në fund të nëntorit 2021. Gjatë komunikimit që patëm me disa qytetarë, vumë re që ata nuk dinin asgjë për këtë transformim që është premtuar.
Pjesa e zonës historike në Durrës, nëntor 2021
“Nuk kemi dëgjuar gjë të themi të drejtën, por edhe nëse ka thënë që do bëjnë diçka, deri tani nuk ka pasur ndonjë investim, sepse do e kishim parë”, tha një banor.
Një banor tjetër rreth të 40-ve dha versionin e tij për projektin e premtuar: “Për pjesën e amfiteatrit, për pjesën e Kullës flitet që mund të ketë shpronësime nëse do të bëhen rikonstruksione të shtëpitë e vjetra, ato që kanë vlerë dhe ato që nuk kanë vlerë. Kështu flitet, sa të vërteta janë nuk e dimë, sepse është diçka që flitet prej kohësh. Plane ka, ka pasur, por nuk janë zbatuar”.
Pjesa e zonës historike në Durrës, nëntor 2021
Teksa ecnim rrugicave të asaj që njihet si qendra historike e qytetit, takuam një zonjë rreth të 60-ve, e cila na tregoi për rivitalizimin që përmendet nga kryebashkiakja Sako.
“Çdo gjë është në letër. Këtu ka vite që thuhet do rregullohet, do rregullohet. Sipas projektit që kanë nxjerrë këta, thonë që do bëhet siç është pazari i Korçës dhe të gjitha shtëpitë do rrinë kështu siç janë, por do rregullohen rrugicat, do përshtaten me stilin. Me zgjedhjet që ishin tani u përmend shumë, por kur dhe si do zbatohet nuk e dimë. Projekti thuhet që do përfshijë zonën nga amfiteatri deri te Torra”, u shpreh ajo.
Rrugicat e Durrësit, pjesë e zonës historike, nëntor 2021
Në 9 qershor të vitit 2020, u nënshkrua Memorandumi i Mirëkuptimit, ku konfirmohej angazhimi i të gjitha palëve për të bashkëpunuar dhe përcaktuar përgjegjësitë, të drejtat dhe detyrimet në hartimin e këtij Plani Menaxhimi, i cili ka për qëllim të ofrojë një perspektivë të re me një kornizë të prekshme dhe të matshme për qëndrueshmërinë e ardhshme të zonës, si dhe për hartimin e projektit arkitektonik për Zonën TID Durrës me Bashkinë Durrës.
Nisur nga premtimi i bërë, përgjigjia e Bashkisë Durrës dhe verifikimi në terren, këtë premtim të kryebashkiakes Sako do ta kategorizojmë TË PAMBAJTUR.