MERXHAN DACI
Aeroporti i Vlorës që do të ndërtohet në Akërni, pritej që brenda 2018-ës të niste punimet nga konsorciumi i kompanive turke të cilat kanë shprehur interes por duket se ndërtimi do të fillojë me gjasë vitin tjetër.
Ky aeroport pritet që t’i shërbejë fluksit gjithmonë e në rritje të turistëve që vizitojnë jugun e vendit por edhe zbutjes së hegjemonisë së aeroportit “Nënë Tereza” i cili operon me çmimet më të larta në rajon dhe jo vetëm.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë konfirmoi në fillim të vitit se konsorciumi i tri kompanive turke: Cengiz Construction; Kalyon Construction dhe Kolin Construction kishin paraqitur ofertën për ndërtimin e aeroportit.
Kryeministri Rama, i cili ka folur shpesh për këtë projekt të madh ishte shprehur më parë se punimet do të nisnin në qershor të këtij viti por teksa viti po mbyllet ai ka deklaruar se nuk di ta thotë ekzaktësisht se kur fillon ndërtimi.
“Faktoje” ka listuar disa nga deklaratat e dhëna për aeroportin e Vlorës nga kabineti Rama dhe përfaqësuesi i kompanive turke në Shqipëri:
17 janar 2018– “Kemi kërkesën zyrtare për aeroportin kombëtar të Vlorës. Deri në qershor hapja e kantierit. Shqipëria që duam”, shkruante në Facebook Rama.
23 qershor 2018– “Në muajt në vijim do të fillojmë ndërtimin e aeroportit, do të jetë shumë konkurues me Tiranën”, shprehej Rama në Vlorë pasi kishte deklaruar se në qershor në fakt do të nisnin punimet.
30 korrik 2018– “Nga informacioni që kam unë është drejt përfundimit aspekti procedurial. Brenda muajit shtator do të fillojnë punimet e aeroportit”, tha Sinan Idrizi, përfaqësues i kompanive turke që do të ndërtojnë aeroportin.
1 shtator 2018– “Ndryshe nga çfarë u propagandua, nuk ishte një pazar i mbyllur por është një negociatë e vështirë sepse duam të marrim maksimumin për interesin publik dhe të shtetit, jemi besimplotë se do të mbyllim negociatën dhe do të fillojmë edhe punën për ndërtimin e aeroportit dhe aty do të fillojë një sfidë tjetër për Vlorën”, tha Rama.
7 nëntor 2018- “Jemi në negociata për aeroportin e Vlorës. Nëse ne nuk i përfundojmë këto negociata në kohën e duhur, pra shumë shpejt, do të tentojmë çdo lloj mënyre përfshirë edhe skemë me financim nga buxheti i shtetit për ta bërë të mundur këtë aeroport. Janë parashikuar të gjitha hapësirat buxhetore nga ministria e Financave që të mbulohen brenda limiteve që na lejon hapësira për financimin e PPP të kemi mundësi ta bëjmë këtë aeroport. Sepse e ardhmja e turizmit shqiptar nuk mund të mbahet peng nga mungesa e një aeroporti. Ndryshe ne nuk do të kemi turizëm pa bërë një aeroport në Vlorë”, tha Gjiknuri në raportimin e tij në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvend.
10 nëntor 2018– “S’di ta them kur, por brenda këtij mandati do ta bëjmë Vlorën me aeroport”, tha Rama.
Aeroporti i Vlorës është përmendur dhe premtuar disa herë brenda këtij viti nga Rama dhe qeveria e tij nën euforinë që do të ndihmonte ndjeshëm turizmin në jug por ende mbetet për t’u parë nëse negociatat me kompanitë turke do të jenë të suksesshme. Kjo do të tregojë edhe nëse avioni i parë do të ngrihet nga Vlora në vitin 2021 ashtu siç ishte premtuar.