Fondacioni Gates nuk po financon asnjë projekt për lëshimin e mushkonjave të modifikuara gjenetikisht në SHBA, siç pretendohet në disa postime të shpërndara në rrjetet sociale. Veç kësaj, ekspertët thonë se llojet e mushkonjave që përdoren si iniciativë për kontrollin e sëmundjeve në Florida, nuk e transmetojnë malarien.
Postime të shpërndara në rrjet më 28 qershor, pretendojnë se rastet e rralla të malaries të raportuara në Florida dhe Teksas kohët e fundit u shkaktuan nga një iniciativë për kontrollin e sëmundjeve të mbështetur nga Bill Gates, që përfshinte lëshimin e mushkonjave të modifikuara gjenetikisht në SHBA.
“Bill Gates lëshon mushkonja e modifikuara gjenetikisht në Florida dhe Teksas. Këtë vit, malaria e shkaktuar nga mushkonjat shfaqet në Florida dhe Teksas për herë të parë në 20 vjet”-thuhet në postimet e shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë.
Postimi i shpërndarë në Facebook
Në lidhje me këtë çështje, ne bëmë një kërkim në internet. Fillimisht vihet re se Fondacioni Gates ka ofruar fonde dhe mbështetje për të luftuar malarian. Mirëpo, sipas një zëdhënësi të cituar nga “Associated Press” fondacioni nuk ka financuar asnjë projekt që përfshin lëshimin e mushkonjave në SHBA.
Fondacioni në të vërtetë ka mbështetur kompaninë bioteknike Oxitec, e cila po lëshon mushkonja të modifikuara në Florida si pjesë e një nisme për kontrollin e sëmundjeve, megjithëse një zëdhënës i kompanisë tha se puna e saj në SHBA nuk financohet nga Fondacioni Gates.
Gjithashtu, ekspertët e kësaj kompanie sqarojnë se përhapja e malaries nëpërmjet mushkonjave të modifikuara është e pamundur, pasi ato nuk janë lloje që transmetojnë malarien.
“Nuk ka absolutisht asnjë të vërtetë për këto pretendime”, tha zëdhënësi i Oxitec, Joshua Van Raalte në një email për AP. “Është shkencërisht e pamundur”-shton ai.
Synimi i kompanisë është që mushkonjat e modifikuara të çiftëzohen me mushkonjat femra dhe të kalojnë një ndryshim gjenetik në një proteinë që do ta bënte çdo pasardhëse femër të paaftë të mbijetojë, duke zvogëluar kështu popullsinë e insekteve që transmetojnë sëmundje.
“Një nëngrup i vogël i mushkonjave ‘Anopheles’ janë të vetmet që transmetojnë malarien njerëzore”, tha Besansky në një email për AP. Ajo shtoi se; “Oxitec lëshon vetëm mushkonjat mashkullore ‘Aedes’, por janë mushkonjat femra që pickojnë njerëzit për gjak dhe ‘kështu vetëm mushkonjat femra transmetojnë parazitët e malaries”.
Veç kësaj, nga raportimet vihet re se katër rastet e malaries në Florida u raportuan në qarkun Sarasota, jo pranë Florida Keys, ku ndodhet projekti Oxitec, tha Chad Huff, një zëdhënës për Distriktin e Kontrollit të Mushkonjave në Florida Keys.
“Përveç Florida Keys, Oxitec nuk ka lëshuar mushkonja askund tjetër në SHBA”, tha Van Raalte.
Ndërsa përhapja lokale e malaries e raportuar në Florida dhe Teksas është e rrallë, nuk është e paprecedentë, siç ka raportuar më herët “Associated Press”. Që nga viti 1992, ka pasur 11 shpërthime që përfshinin malarien nga mushkonjat në SHBA. E fundit ndodhi në vitin 2003 në Palm Beach County, Florida, ku u raportuan tetë raste.