DENIS TAHIRI
Fushata e vogël “Solar në Kutë” shkon përkrah një beteje të gjatë të komunitetit lokal dhe aktivistëve mjedisorë për të ndalur ndërtimin e digave mbi Vjosë, lumi i fundit i egër i Evropës.
Në fund të majit, një grup organizatash mjedisore nisën një fushatë simbolike për fshatin Kutë, i cili rrezikon të zhduket nga planet e qeverisë shqiptare për të ndërtuar një hidrocentral të vogël në lumin e egër të Vjosës.
Fushata është pagëzuar me emrin “Solar në Kutë” dhe shkon përkrah një beteje të gjatë të aktivistëve mjedisorë për të shpëtuar lumin e Vjosës nga digat.
“Fshati Kutë preket më shumë nga ndërtimi i HEC-eve, pasi humb pjesën më të madhe të tokave bujqësore. Mesazhi është se nuk është i nevojshëm shkatërrimi i lumit për energji elektrike, kur ka alternativa të tjera shumë të mira, siç është shfrytëzimi i energjisë diellore,” thotë Besjana Guri, koordinatore e projektit nga organizata Eco Albania.
Projekti synon ta kthejë Kutën në fshatin e parë në Shqipëri që e prodhon vetë energjinë elektrike përmes paneleve diellore. Megjithatë, financimet mbeten pengesa më e madhe.
Organizata mjedisore Eco Albania, në bashkëpunim me organizatat ndërkombëtare RiverWatch dhe EuroNatur kanë çelur një fushatë të mbledhjes së fondeve për realizimin e projektit, fillimisht me vendosjen e paneleve diellore mbi godinat publike të fshatit Kutë.
Fushata “Solar në Kutë” është ende larg mbledhjes së vlerës financiare të nevojshme, por ka mbledhur ndërkohë rreth vetes simpatizantët e saj. Njëra prej tyre, Iris Murataj është e shqetësuar se ndërtimi i hidrocentralit në Vjosë do ta dëmtonte përgjithmonë fshatin e saj të lindjes, Kutën dhe kujtimet e saj të fëmijërisë.
“Do të doja që fëmija im të përjetonte ato ditët e nxehta të verës, që të ftonte të gjithë kushërinjtë e saj dhe të bëhej gati të shkonte në lumë. Nuk e harroj dot kurrë, ishte një gëzim i madh për ne si fëmijë kur na thoshin ‘bëhuni gati se sot do të shkojmë në lumë’… do të doja shumë që fëmijët e mi ta përjetonin diçka të tillë,” tha 23-vjeçarja.
Fshati Kutë në Mallakastër është tashmë i njohur për rezistencën e gjatë kundër ndërtimit të hidrocentralit të Poçemit në lumin Vjosë, i cili rrezikon të përmbytë rreth 2500 hektarë tokë të fshatit. Të mbështetur nga organizatat mjedisore brenda dhe jashtë vendit, banorët e Kutës janë përfshirë në protesta dhe në një betejë gjyqësore për ndaljen e ndërtimit të HEC-it në Poçem.
Prej vitit 2002, në Shqipëri janë firmosur dhjetra kontrata koncesionare për ndërtimin e gati 500 hidrocentraleve të vegjël dhe një pjesë prej tyre janë kundërshtuar nga ekspertët e mjedisit dhe komunitetet lokale për dëmet e tyre ndaj mjedisit. Leje koncesionare janë dhënë edhe në zonat e mbrojtura, duke cenuar monumentet natyrore të vendit.
Përgjatë lumit të Vjosës – e cila konsiderohet edhe si “zemra blu e Evropës” janë planifikuar për t’u ndërtuar nga qeveritë shqiptare tetë hidrocentrale të mëdha. Projektet janë kundërshtuar vazhdimisht nga organizatat ndërkombëtare dhe në Raportin e Progresit 2014, Komisioni Evropian i kërkoi qeverisë shqiptare që të rishikonte planet për ndërtimin e HEC-eve në Vjosë “pasi ato do të dëmtonin një prej ekosistemeve të fundit të paprekur natyrorë në Evropë”.
Ekspertët mjedisorë kritikojnë mungesën e studimeve të plota për ndërtimin e këtyre hidrocentraleve, ndërsa parashikojnë dëme të shumëfishta për mjedisin, nëse ato do të ndërtohen.
Aktivisti mjedisor, Lavdosh Ferruni thotë se HEC-et përgjatë Vjosës janë planifikuar të ndërtohen pa marrë parasysh efektin që do të kenë në mjedis.
“Për HEC-et mbi Vjosë mungojnë studimet e plota. Kryesisht janë shfrytëzuar të dhëna të veçanta nga studime të bëra nga institutet e vendit para vitit ’90 si dhe me vrojtime të përcipta nga koncesionarët. Madje në rastin e HEC Pocem, është gjetur nga Gjykata se rreth 60% e studimit të ndikimit në mjedis është plagjiaturë,” tha Ferruni.
Ai shtoi se ekipet e shkencëtarëve kanë identifikuar mbi 100 specie të rëndësisë së veçantë në Vjosë, dy prej të cilave të panjohura deri më tani, të cilat mund të rrezikohen.
Edhe Olsi Nika, drejtori ekzekutiv i organizatës EcoAlbania paralajmëron se ndërtimi i digave rrezikon të sjellë zhdukjen e shumë gjallesave. Ai shtoi se ndikimi negativ do të shtrihet deri në vijën bregdetare dhe në veçanti në lagunën e Nartës.
“Vjosa ende sot ka një popullatë shumë të madhe të ngjalës evropiane dhe kjo është pikërisht për shkakun se rrjedhja është e lirë. Nëse ti vendos digën, nuk e lejon më peshkun, rasti i troftës, të shkojë të gjejë pellgjet ujore në lumë me parametrat e duhur për të shtruar vezet dhe të riprodhohet,”thotë Nika.
“Nëse vendos diga, ti e ul drastikisht popullatën deri sa të vijmë në një situatë ku specie të caktuara të zhduken, do kemi zhdukje të ngjalës, troftës dhe rrjedhimisht edhe të gjallesave të cilat jetojnë me troftën, ngjalën…,” shtoi ai.
Efektet parashikohet të jenë dramatike edhe për komunitetet që jetojnë në fshatrat përgjatë lumit të Vjosës, përfshi edhe fshatin Kutë.
“Janë një sërë fshatrash që nëse ndërtohet diga e hidrocentralit të Pocemit, do të detyroheshin të jetonin brenda shtëpive të tyre,” thotë Nika. ”Historia e Shqipërisë ka njohur edhe shpërngulje qytetesh, por janë bërë studime nëse ia vlen barra qiranë, ne këtë rast nuk ka,” përfundoi ai.
Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.