.

.

Home Pertej Verifikimi i lajmeve në Facebook Profili i rremë i Mourinho mashtron portalet me entuziazmin për Kombëtaren

Profili i rremë i Mourinho mashtron portalet me entuziazmin për Kombëtaren

0
Profili i rremë i Mourinho mashtron portalet me entuziazmin për Kombëtaren

Pretendimi: Jose Mourinho vlerëson me superlativa Kombëtaren shqiptare

Verdikti: E pavërtetë

Jose Mourinho nuk i ka thurrur elozhe Shqipërisë, siç pretendohet në artikuj të shpërndarë masivisht në portale në vendin tonë. Verifikimet tregojnë se profili në rrjetin X nuk i përket portugezit, por është një llogari e krijuar nga fansa në emër të trajnerit.

Pa asnjë dyshim që pjesëmarrja e Shqipërisë në “Euro 2024” ka marrë gjithë vëmendjen e sportdashësve dhe jo vetëm. Së fundmi, në portale në vendin tonë ka qarkulluar masivisht një lajm ku pretendohet se një prej ikonave të futbollit, aktualisht trajner i Fenerbahçe, Jose Mourinho ka vlerësuar lojën e kuqezinjve në këtë kompeticion.

Mourinho elozhe kuqezinjve: Shqipëria po thyen çdo parashikim. Na kishte munguar diçka e tillë, jeni kulmi i futbollit”-shkruajnë portalet.

Postimet e shpërndara në portale

Faktoje vendosi të bëjë një verifikim të këtij profili, për të parë nëse i përket vërtetë Jose Mourinho. Profili është me ‘tik’ blu, por kjo nuk do të thotë që është profili i tij, pasi gjatë një kërkimi të bërë në rrjetin X shihen se janë disa profile të verifikuara në emër të portugezit.

Veç kësaj, që në krye të faqes në rrjetin X shihet se janë shënuar dy emra, ai i Mourinho dhe i një tjetri ish-futbollisti, Rúben Amorim. Nëse profili do të ishte i trajnerit Mourinho, nuk kishte arsye që shkruhej edhe një emër tjetër krahas tij.

Profili ka 68 mijë ndjekës, shumë pak për një ikonë të futbollit si Jose Mourinho dhe postimet janë në vetë të tretë, një tregues tjetër që kemi të bëjmë me një llogari të krijuar nga fansat në emër të tij.

Gjithashtu, nëse do shohim komentet në postimin e bërë për Shqipërinë në këtë profil të rremë, vihet re se disa komentues e kanë evidentuar që llogaria nuk është e tij.

“Vëlla, ti je i famshëm në Shqipëri. Çdo portal mendon se Mourinho i vërtetë e ka shkruar këtë postim”, shkruan një prej komentuesve.

Jose Mourinho ka një profil në Instagram ku numëron më shumë se 5 milionë ndjekës, por në këtë llogari të tij nuk kishte asnjë postim ku ai të ketë përmendur Shqipërinë.

Kjo konfirmohet për Faktoje edhe nga gazetarë të sportit, të cilët e kanë mbuluar këtë fushë prej më shumë se 15 vitesh.

“Nuk është llogaria zyrtare e Jose Mourinho. Ka dhjetëra persona që blejnë ‘tick blu’ në Twitter mujor dhe duket si llogari zyrtare. Mourinho nuk ka Twitter/X, por vetëm Instagram”, sqaron Ermal Kuka, gazetar sporti.

Shënim: Data 25 qershor 2024 website Newsbomb ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Shënim: Data 28 qershor 2024 website Koha Jonë ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

Previous article Asnjë gjobë nëse vishni uniforma fallco në EURO 24
Next article Aktori Mel Gibson nuk po bën dokumentar mbi trafikimin e fëmijëve në Ukrainë
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.