Video e prodhimit të ëmbëlsirave po shpërndahet në vendin tonë si pamje e prodhimit artificial të mollëve në Kinë. Verifikimi i Faktoje tregon se ato janë thjesht produkte të ëmbla që përgatiten dhe dhurohen për festa.
Video të shpërndara në rrjetet sociale në vendin tonë pretendojnë se janë pamje nga prodhimi artificial i mollëve në një fabrikë në Kinë.
“Një mollë në ditë largon doktorin’ – thuhet. Nuk përcaktohet e kuqe apo e verdhë…”-shkruajnë me ironi përdorues në rrjetet sociale.
Në video shihen disa punëtorë në një kompani prodhuese, duke ngjyrosur me të kuqe disa produkte të verdha që në pamje të parë duken si mollë të vërteta. Nëpërmjet aludimeve të ngritura, po tentohet të krijohet panik të qytetarët mbi cilësinë e produkteve, ndonëse nuk jepet asnjë informacion i saktë se çfarë janë realisht ato pamje.
Faktoje vendoi të bëjë një verifikim, fillimisht nëpërmjet mjeteve të verifikimit të fotove dhe videove, ku konstatuam se video i përket dhjetorit të vitit 2021. Në fakt shihet se ato nuk janë mollë të vërteta, por artikuj të përgatitur për festa me çokollatë, në formën e këtij fruti. Në videon e gjatë shihet se mbi paketimin e tyre shkruhet: “Gëzuar Krishtlindjet”.
Teksa po kërkonim më shumë detaje mbi videon, një foto e ngjashme e një produkti të tillë të kuq, në forme molle të paketuar u shfaq në një faqe online kineze, të quajtur “Taobao”.
Kjo faqe interneti e përshkruan artikullin si “Karamele kreative me çokollatë në formë molle për të dashurin dhe të dashurën”. Kinezët i dhurojnë këto karamele si dhurata për Krishtlindje apo Shën Valentin për të dashurit e tyre. Këto karamele me mollë me çokollatë janë të disponueshme në të gjitha faqet e internetit të tregtisë online kineze.
Gjithashtu, në një nga faqet e internetit, shihet qartë se çfarë fshihet brenda mollës me çokollatë.
Pra, video në fjalë tregon procesin e prodhimit të çokollateve në formën e një molle dhe jo mollë artificiale, siç thuhet në publikimet e shpërndara në rrjetet sociale. Artikulli është verifikuar edhe nga kolegë të tjerë të verifikimit të fakteve.