Numërimi i votave për kandidatët për kryetarë bashkie dhe këshillat në 61 bashkitë e Shqipërisë deri në orët e pasdites së të hënës kishte nxjerrë rezultatin për gati 2/3 e tyre. Një ditë pas mbajtjes së procesit të votimit, Komisioneri Shtetëror Celibashi, përmendi vetëm një incident gjatë procesit të numërimit në Kavajë. Nga ana tjetër Sali Berisha fliste për një farsë elektorale, ndërsa ODIHR vlerësoi se zgjedhjet e 14 majit u miradministruan, por u karakterizuan nga polarizimi dhe problematika në respektimin e Kodit Zgjedhor.  

Ilda Hoxha

Rezultatet e numërimit pas procesit të votimit më 14 maj, deri në orët e pasditës së të hënës flasin epërsi të Partisë Socialiste në shumicën e bashkive, kundrejt kandidatëve të forcave të tjera. Sipas të dhënave zyrtare nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, deri në orën 16:00 kishte përfunduar procesi i numërimit në 41 bashki, ku PS ka marrë 35 bashki, ndërsa koalicioni “Bashkë Fitojmë” vetëm 6.

Celibashi vlerëson procesin e numërimit

Në një deklaratë për mediat pak pas mesditës së të hënës, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi njoftonte:

“Rezultatin zyrtar të pjesëmarrjes do ta kemi në orën 22:00 (të së hënës) duke shpresuar që mund ta kemi edhe pak më herët nëse do procesojmë më shpejt…Sipas informacioneve të marra një ditë më parë rreth orës 22:30 ka përfunduar dorëzimi i të gjithë kutive pranë qendrave të numërimit.  Ndërkohë 9 kuti janë konstatuara të parregullta. Në Kavajë ka filluar me vonesë numërimi, rreth orës tre të mëngjesit dhe në Malësinë e Madhe numërimi ka qenë më i vonuar.

Me Librazhdin patëm një problem me hedhjen e të dhënave, me pas u normalizua. Bashkia Divjakë është një tjetër që ka nisur me vonesë numërimin. Ka mbaruar procesi i numërimit në 34 bashki dhe në 4 bashki ka nisur procesi për numërimin e votave për Këshill Bashkiak.  Ndërkohë në Finiq, Shijak dhe Malësinë e Madhe dhe në 4 KZAZ në Tiranë është bllokuar numërimi, për shkak të lodhjes së Komisionerëve”.

Celibashi theksoi se procesi i numërimit deri në atë moment vlerësohej si më i mirë se në vitin 2021.

Berisha: Procesi zgjedhor, farsë elektorale

Por Sali Berisha, në deklaratën e parë pas zgjedhjeve, pak minuta para daljes publike të Komisionerit Shtetëor të Zgjedhjeve, e cilësoi procesin e 14 majit, si një farsë elektorale. Gjithashtu, ai u bëri thirrje të gjithë komisionerëve të opozitës që të vijojnë punën deri në numërimin e votës së fundit.

“Kjo është një ditë e vështirë, një ditë e rëndë për liritë dhe të drejtat e qytetarëve shqiptarë. Është një moment agonie për vlerat demokratike në vend. Unë jam këtu për të dënuar me forcën më të madhe, për të hedhur poshtë këtë farsë elektorale, e karakterizuar nga alfa tek omega, nga krimi shtetëror elektoral dhe krimi ordiner.

Jam këtu gjithashtu për t’u bërë thirrje të gjithë përfaqësuesve të opozitës në komisionet e numërimit të vazhdojnë me përkushtim detyrën e tyre, pasi është në qëllimin tonë të bëjmë gjithçka për mbrojtjen e votës së qytetarëve shqiptarë”, tha Berisha.

Ilir Meta flet për asgjësim të zgjedhjeve

Një ditë pas zgjedhjeve vendore të 14 majit, reagoi nëpërmjet një postimi në Facebook edhe kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Sipas tij, zgjedhjet u asgjësuan që pa filluar, ndërsa shtoi se e gjithë kjo u bë me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe te narkotrafikantëve.

“Zgjedhjet u asgjësuan edhe ditën e zgjedhjeve, me zhbërjen e elementit themelor të sigurisë në zgjedhje, që ishte identifikimi elektronik i zgjedhësve, duke i kthyer qendrat e votimit në vende ku u dhunua hapur ligji dhe ku u ushtrua presion i pashembullt duke u mbushur me qindra drejtorë ministrish, sekretarë të përgjithshëm, drejtorë bashkie, administratorë komunash e nëpunësa gjithfarësh, përfshirë dhe policë e banditë. E gjithë kjo me mbështetjen e hapur nga grupet kriminale dhe te narkotrafikantëve, që fatkeqësisht u bënë njësh me Policinë e Shtetit”, shkruan Meta në rrjetet sociale.

Vëzhguesit ndërkombëtarë raportojnë problematikat e 14 majit

konferencën e parë për mediat në lidhje me zgjedhjet e 14 majit, kryevëzhguesja e OSBE-ODIHR, Audrey Glover renditi disa nga shqetësimit kryesore që u evidentuan. Glover u shpreh se shqetësim ka qenë mosrespektimi i Kodit Zgjedhor, pavarësia e medias dhe punësimi në administratë.

“Shqetësimi ynë është se ka pasur problem në respektimin e Kodit Zgjedhor. 50% e votuesve nuk kanë marrë pjesë në votime… Ka pasur ndërhyrje sa i përket punës së medias për të ndikuar te pavarësia e tyre editoriale, mbulimin e fushatës zgjedhore dhe raportimin e lajmeve nga disa media dhe kjo ka ndikuar në dizinformim. Media nuk mund të ndalohet në zgjedhje. Ne kemi qenë të shqetësuar në lidhje me votimin elektronik. Punësimet në administratë publike kanë qenë një tjetër shqetësim yni, që mund të kenë ndikuar në votën për partinë në pushtet”, theksoi zonja Glover.

Qëndresa Qytetare rendit problematikat e evidentuara gjatë procesit zgjedhor

Organizata joqeveritare, Qëndresa Qytetare raportoi një ditë pas zgjedhjeve se kishtë kryer vëzhgim të procesit të votimit në 14 bashki të vendit, me pjesëmarrjen e 24 vëzhguesve në qendrat e votimit,  të cilët aksesuan 75 qendra votimi. Referuar të dhënave nga kjo organizatë, gjatë procesit zgjedhor në këto 14 bashki janë evidentuar problematika të shumta tekniko-administrative, të cilat kanë shoqëruar gjithë ditën e votimeve. Disa nga këto problematika janë:

“Prania e personave të paautorizuar në QV të cilët kanë intimiduar, ushtruar presion dhe shoqëruar për në QV një numër të konsideruar votuesish, pothuajse në të gjitha Qendrat e Votimit të monitoruara.

Votimi familjar. U evidentuan 6 raste të votimit familjar në Bashkitë Shkodër, Tiranë,dhe Kukës.

Votimi Elektronik. Elbasan në zonat Kuqan dhe Shirgjan te Elbasanit, QV 2473/00 dhe 2474/00 ekrani i pajisjes qe tregonte voten, ishte izoluar me ngjitës dhe nuk ishte transparent per votuesin qe te shihte subjektin qe kishte votuar.

Përdorimi i aparateve celularë. Janë evidentuar raste të përdorimit të aparateve celularë brenda qendrave të votimit dhe tentativave për të fotografuar votën, konkretisht në QV 732, 734, 741, 734/1, 741/1 në Bashkinë Lezhë.

Aksesi në QV. Në QV 1357 në zonën e Yzberishit në Tiranë janë penguar vëzhguesit dhe përfaqësuesit e medias për të vëzhguar procesin e votimit me jusitfikimin e hapësirave të ngushta”.

Artikulli paraprakNumërim elektronik me ritëm breshke
Artikulli tjetërI rremë bllokimi i furgonit me ushqime për votuesit në Memaliaj
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.