.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaPrishtinë/ 3 vite pas premtimit për qendrën strehimore, qentë e rrugës ende problem për qytetarët

Prishtinë/ 3 vite pas premtimit për qendrën strehimore, qentë e rrugës ende problem për qytetarët

Tirana Bytyqi

Rrugët e Prishtinës vijojnë të jenë të mbushura nga grupe të qenve endacakë, që janë kthyer në një problematikë serioze për qytetarët e kryeqytetit të Kosovës. Në mënyrë të vazhdueshme është raportuar për sulme ndaj qytetarëve nga qentë e rrugës, në sheshe, parqet dhe hapësira publike. Në vitin 2019, komuna e Prishtinës premtoi ngritjen e një qendre strehimore, që do të zgjidhte problematikën, por thuajse 3 vitesh kjo qendër ende vijon të mbetet në letra.


Në nëntor të vitit 2019, kryetari i atëhershëm i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti në një postim në Facebook, ka paralajmëruar ndërtimin e një strehëze për trajtimin e qenve endacakë duke e bashkëngjitur videon e projektimit të qendrës.

Postimi i Shpend Ahmetit në Facebook, 13 Nëntor 2019

Edhe pse kanë kaluar thuajse 3 vite nga ky njoftim dhe ende nuk është ndërtuar një qendër e tillë.

Faktoje, kërkoi nga Komuna e Prishtinës informacione rreth procesit të ndërtimit të strehimores dhe në përgjigjen e komunës thuhet se strehimorja nuk është ndërtuar ende, sepse fillimisht projekti kishte dështuar për shkak të mos kompletimit të dokumentacionit, ndërsa për herë të dytë investitori ishte tërhequr për shkak të rritjes së çmimit të hekurit.

Nuk është nënshkruar ende, pasi që nuk ishte planifikuar në buxhet, marr parasysh se ne kemi trashëguar buxhet veçse të aprovuar, por ne jemi në kontakt me disa organizata ndërkombëtare dhe po shpresojmë se do te nënshkruajmë marrëveshjen shpejtë”, thuhet në përgjigjen e komunës, të pyetur lidhur me nënshkrimin e kontratës për ndërtim të kësaj strehimoreje.

Përgjigja e Komunës së Prishtinës, 7 Prill 2022

Në lidhje me vendi ku planifikohet të ndërtohet kjo qendër strehimore si dhe koston e ndërtimit, komuna e Prishtinës bën të ditur se ajo do të kushtojë deri në 200 mijë euro dhe do të ndërtohet në rajonin e Hajvalisë në drejtim të liqenit të Badovcit.

Përgjigja e Komunës së Prishtinës, 7 Prill 2022

Komuna gjithashtu ka thënë se ka një strategji për trajtimin e qenve endacakë në kryeqytet, strategji kjo e cila përmban disa pika: si identifikimin dhe regjistrimin e qenve me vathë dhe mikroçipa, subvencionimin e vazhdueshëm për kastrim, sterilizim e vaksinim të qenve me pronarë, kontrollë të rreptë të mbarështimit dhe shitjes së tyre, kontrollim të vazhdueshëm të riprodhimit të qenve endacakë përmes metodës KSVL (Kap, Sterilizo, Vaksino, Lësho).

Po ashtu, pjesë e kësaj strategjie janë edhe qendrat për trajtim të përkohshëm (QTP), qendrat e shpëtimit, prezantimi i kujdestarëve të lagjes për kafshët endacake, fushatat për vetëdijesimin e shoqërisë, parku i qenve me pronarë (për socializim dhe rekreacion) si dhe inspektorët komunalë për veterinari.

Së fundi, Komuna e Prishtinës ka vendosur 23 pika ushqyese në disa zona të ndryshme të kryeqytetit për qentë endacakë, në përpjekje të kujdesit ndaj tyre, por edhe në përpjekje të parandalimit të sulmeve që u bëhen qytetarëve e në rastet më të shpeshta kur ata kanë mungesë të ushqimit.

Njëra nga pikat ushqyese për qentë endacak, Prishtinë, 7 Prill 2022

 Qytetarët raportojnë kafshime nga qentë e rrugëve

Pavarësisht masave të marra nga komuna, sulmet nga qentë endacakë në drejtim të qytetarëve kanë vijuar. Vetëm para disa ditëve janë raportuar në media https://www.facebook.com/GazetaSinjali/videos/947655156117259/ disa sulme nga qentë e rrugës, ku qytetarët janë kafshuar.

Erblin Hoxha, i cili jeton në lagjen “Kodra e Diellit” në Prishtinë tregon për Faktoje, se gjatë kohës që ishte duke shëtitur me qenin e tij në parkun e fëmijëve në këtë lagje, është kafshuar në këmbë nga një qen endacak.

Në çdo lagje shoh qenë endacakë, edhe në lagjen ku jetoj unë ka mjaft shumë, afër shkollës dhe afër kontejnerëve të bërllokut, vazhdimisht ka të tillë”, është shprehur Hoxha.

Ai gjithashtu ka thënë se së shpejti do të bëj padi ndaj Komunës së Prishtinës, lidhur me sulmin.

Qentë endacakë në Prishtinë, prill 2022

Mirëpo, ky nuk është rasti i vetëm i sulmit nga qentë endacakë. Edhe studentët të cilët kalojnë çdo ditë në kampusin universitar në Prishtinës tregojnë janë të rrezikuar dhe gjithmonë me frikë kalojnë nga ato rrugë ku qëndrojnë qentë.

Një studente e Fakultetit e Filozofik, tregon për Faktoje se është ndjekur nga një grup qensh ndërkohë që shkonte në fakultet.

“Gjithmonë me frikë kaloj nga rruga që lidh Bibliotekën Kombëtare deri tek Ministria e Arsimit, kur shkoj në fakultet.  Shpesh më duhet të shkoj nga disa rrugë tjera alternative, se që të mos sulmohem nga grumbulli i qenve, të cilët qëndrojnë gjithmonë në atë pjesë të kampusit “, thotë studentja.

Qentë endacakë në Prishtinë, prill 2022

Qendra strehimore a është zgjidhja e duhur?

Ndërtimi i një qendre strehimore nuk është zgjidhja e problemit, shprehet për Faktoje, Elza Ramadani, nga Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve.

Ramadani tregon se Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve, ka hartuar një strategji kombëtare për menaxhimin e qenve endacakë dhe kjo strategji është dërguar në qeveri, ku edhe pritet miratimi i saj.

Qentë endacakë në Prishtinë, prill 2022

“Në situatën e tanishme me qentë endacakë, ndërtimi i strehimoreve si masë urgjente për zvogëlimin e numrit të qenve endacak do të kishte kosto tejet të lartë dhe nuk do të kishte aspak efekt për zvogëlimin e numrit të tyre në rrugë, pasi që strehimoret mbushen shpejt deri në kapacitetet e tyre të plota, ndërsa qentë zëvendësohen në rrugë përmes shumimeve të vazhdueshme dhe braktisjes. Prandaj, strehimoret pa mbështetje financiare, pa sistematizim të punës, pa zbatim të masave të tjera për menaxhim të popullsisë së qenve endacak, dhe pa gatishmërinë e qytetarëve për të adoptuar qen, do të mbi popullohen shpejt dhe do të nxisin pronarët t’i braktisin qentë e tyre afër strehimoreve dhe në rrugë” – shkuruhet thuhet në planin strategjik të këtij fondacioni.

Përmes kësaj strategjie “Fondacioni për të Drejtat e Kafshëve”, propozon që të themelohen qendra shpëtuese, hapësira me sisteme të ristrehimit për qentë, të cilat sigurojnë strehim të përkohshëm për qentë deri në adoptimin e tyre. Sipas kësaj strategjie, krijimi i qendrave të përkohshme të strehimit mund të jenë ndihmesë e madhe, që qentë e trajtuar të rrugës të adoptohen nga familjet.

Shkrimi u publikua si pjesë e “Unë bëj Fact-Checking”, që ka si qëllim të trajnojë dhe mentorojë gazetarë në Shqipëri, nën projektin e UNESCO-s “Ndërtimi i besimit në media në Evropën Juglindore dhe Turqisë- Faza II” i financuar nga Bashkimi Evropian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img