Lajmi se Prishtina u përmbyt një ditë pasi Parada e Krenarisë u mbajt atje është i rremë. Verifikim i “Faktoje” zbuloi se foto e sjellë si provë për këtë qarkullon në rrjet që nga 2015. Zyrtarët e Prishtinës, gjithashtu, e mohojnë se ka patur vërshime të tilla pas Paradës së Krenarisë.

————————————-

Një foto që tregon sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë të përmbytur po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se ajo është shkrepur pasi “Parada e Krenarisë LGBT” u mbajt në këtë qytet. 

Foto është përdorur për të fyer komunitetin LGBT duke u shoqëruar me përshkrime si: “Allahu e pastron tokën nga ata të ndyrit qe dje e flliqen qytetin” dhe “Zoti e pastron tokën nga turpësitë dhe nga fëlliqësitë!”

Në të vërtetë, ky spastrim hyjnor duket se është sajesë e imagjinatës njerëzore.

Siç kanë treguar edhe kolegët e Kallxo, një kërkim me motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search zbulon se foto e mësipërme është botuar në internet së paku që në 2015. 

Parada e Krenarisë u mbajt në Prishtinë më 10 qershor 2023

Drejtori për Siguri dhe Emergjenca në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica tha për Kallxo se “nuk kemi pasur kësi lloj vërshime pas mbajtjes së Paradës së Krenarisë”. Ai shtoi se përmbytje të tilla nuk ka patur fare në Prishtinë këtë vit.