Pretendimi: Muharrem Saliu është kandidati i parë shqiptar për zgjedhjet europiane

Verdikti: Missing context


Barbara Halla

Javët e fundit, mediat shqipfolëse kanë festuar kandidimin e Muharrem Salihut, një sipërmarrës me banim në Itali, në zgjedhjet e Parlamentit Europian, të cilat do të mbahen me 6-9 qershor të këtij viti. Në media, Salihu është prezantuar si kandidati i parë për eurodeputet me origjinë shqiptare. Por kjo nuk është e saktë, pasi Arba Kokalarit, një politikane shqiptaro-sudeze, u zgjodh si eurodeputete në 2019-tën.

Si në titull, edhe në trupin e këtyre lajmeve, Saliu është përshkruar si: “shqiptari i parë që propozohet për të kandiduar për eurodeputet.” Por, Arba Kokalari ka tashmë gati katër vjet që shërben si deputete në Parlamentin Europian, si pjesë e grupimit të qendrës së djathtë Partia Popullore Evropiane (European People’s Party). Kokalari u kandidua nga Partia e Moderuar e Suedisë. 

Kokalari ka lindur në Tiranë më 27 nëntor 1986, por u rrit në Stokholm të Suedisë. “Unë kam lindur në Shqipëri dhe kam shumë prej historisë sime atje, ndërsa në Suedi u rrita dhe kam jetën time. Ndryshimet midis Shqipërisë dhe Suedisë i kam parë gjithmonë si pasuri dhe vlera. Shpresoj dhe besoj se Shqipëria do t’i bashkohet komunitetit europian një ditë,” ka thënë ajo për ambasadën Suedeze në Tiranë.

Në fakt, kur Kokalari u zgjodh si eurodeputete në 2019-tën, mediat shqiptare e festuan atë si politikanen e parë me origjinë shqiptare në Parlamentin Europian.

Nëse zgjidhet, Muharrem Salihu do të jetë eurodeputeti i dytë me origjinë shqiptare. Salihu ka lindur në Tupallë të Medvegjës, një zonë më popullsi etnike shqiptare në jug të Serbisë. Salihu ka studiuar në Zvicër dhe prej 20 vitesh jeton në Itali. Është kandiduar për eurodeputet nga Stati Uniti d’Europa, një grupim pro-evropian dhe liberal partish politike e themeluar nga politikania Emma Bonino dhe ish-kryeministri italian, Matteo Renzi.