Pretendimi: Koreja e Veriut ka dërguar trupa në Ukrainë për të mbështetur Rusinë.
Verdikti: Mungon konteksti
Vjolanda Peca
Të pabaza lajmet që qarkullojnë duke thënë që Koreja e Veriut ka dërguar trupa për të luftuar në Ukrainë në mbështetje të Rusisë.
Në javët e fundit, një seri lajmesh kanw qarkulluar në rrjete sociale, duke pretenduar se Koreja e Veriut ka dërguar trupa për të luftuar në Ukrainë në mbështetje të Rusisë. Këto pretendime janë bazuar në marrëveshjen e nënshkruar midis dy vendeve dhe raportimeve të ndryshme nga burime jo të verifikuara.
Megjithatë, analiza e thelluar dhe verifikimi i këtyre informacioneve tregon se këto lajme janë të pabaza.
Më 19 qershor 2024, Rusia dhe Koreja e Veriut nënshkruan një pakt mbrojtjeje të ndërsjellë në Phenian. Ky pakt përfshinte mbështetje reciproke në rast të një akti agresioni kundër cilitdo nga vendet. Pas këtij nënshkrimi, TV Chosun, një rrjet televiziv në Korenë e Jugut, raportoi se një zyrtar i qeverisë së Koresë së Jugut kishte deklaruar se Koreja e Veriut po planifikonte të dërgonte trupa në Ukrainë brenda një muaji për të ndihmuar Rusinë. Megjithatë, nuk u gjet asnjë provë për një njoftim të tillë nga Koreja e Veriut, Rusia apo SHBA-ja.
Më 26 qershor 2024, një llogari në platformën X pretendoi se Koreja e Veriut kishte shpallur planet për të dërguar trupa në Ukrainë brenda një muaji për të luftuar përkrah ushtarëve rusë. Ky postim ka grumbulluar 13.3 milionë shikime deri në publikimin e shkrimit.
Në një postim pasues, e njëjta llogari shtoi se Koreja e Veriut do të dërgonte një njësi inxhinierike ushtarake për të mbështetur forcat ruse në rajonin e Donjeckut, sipas një burimi anonim të qeverisë së Koresë së Jugut.
Snopes, një platformë e njohur për verifikimin e fakteve, analizoi pretendimet dhe nuk gjeti prova që Koreja e Veriut kishte bërë një njoftim të tillë. Nga të gjitha njoftimet për shtyp të Agjencisë Qendrore të Lajmeve të Koresë (KCNA) të analizuara, asnjëri nuk përmendte dërgimin e trupave nga Kim Jong Un në Ukrainë. Edhe në deklaratat që përmendnin Rusinë apo Ukrainën, nuk kishte asnjë referencë për dërgimin e trupave.
Një gazetar pyeti presidentin rus, Vladimir Putin, nëse pakti i mbrojtjes me Phenianin nënkuptonte dërgimin e ushtarëve koreano-veriorë në Ukrainë. Putin u përgjigj: “Ne nuk po kërkojmë nga askush ta bëjë këtë, dhe askush nuk na ka ofruar këtë, kështu që nuk ka nevojë për të.” Gjithashtu, gjatë një konference për shtyp më 25 qershor, sekretari për shtyp i Pentagonit, Gjeneral Major Pat Ryder, deklaroi se SHBA-ja do të “mbajë nën vëzhgim” situatën, por nuk konfirmoi nëse një vendim i tillë ishte marrë nga Pheniani.
Deri më tani, nuk ka asnjë provë të besueshme që Koreja e Veriut ka dërguar apo planifikon të dërgojë trupa në Ukrainë për të mbështetur Rusinë. Pretendimet e bëra në rrjetet sociale dhe nga burime jo të verifikuara duhet të trajtohen me kujdes dhe skepticizëm. Me mungesën e provave të qarta dhe deklaratave zyrtare nga vendet e përfshira, këto pretendime mbeten të pabaza.