Pretendimi: Trump paralajmëroi se Bashkimi Europian do të zhduket për shkak të emigrantëve
Verdikti: Mungon konteksti
Një postim i shpërndarë në Facebook citon presidentin amerikan Donald Trump të ketë paralajmëruar se së shpejti Bashkimi Europian dhe Europa vetë nuk do të ekzistojnë më. Megjithatë, kur shihen nga afër komentet e Trump përgjatë një udhëtimi të javëve të fundit në Skoci, nuk bëhet fjalë për një paralajmërim për BE-në, por një deklaratë provokuese e Trumpit mbi situatën e emigracionit në Europë.
Gjatë një vizite në Skoci në fund të korrikut 2025, Trump deklaroi: “Përsa i përket emigracionit, duhet të veproni shpejt. Përnryshe nuk do ta keni më Europën.” Është pikërisht kjo deklaratë, “Nuk do ta keni më Europën”, që është interpretuar nga përdoruesit në Facebook si një paralajmërim për diçka katastrofike në strukturën e Bashkimit Europian. Megjithatë, deklarata e Trump kishte për qëllim kritikimin e politikave evropiane mbi emigracionit dhe refugjatët, një kthim favori ndaj partive të djathta në Europë, dhe nuk parashikon fundin e Bashkimit Europian. Trumpi për më tepër vazhdoi me të njejtën retorikë duke folur për një “pushtim të tmerrshëm” dhe i vuri fajin emigracionin për “vrasjen e Evropës.”
Trump përdor shpesh një retorikë të ekzagjeruar dhe të sensacionalizuar për të shtyrë drejt kontrolleve më të rrepta ndaj imigracionit. Në SHBA, ai ka nisur një politikë të rreptë kundër emigrantëve, duke rritur buxhetin e agjentëve të ICE (Zyra për Zbatimin e Imigracionit dhe Doganave) me disa miliarda dollarë dhe duke rritur ndjeshëm deportimet.
Fjalët e Trump i bëjnë po ashtu jehonë asaj që njihet si teori e “Zëvendësimit të Madh.” Këtu bëhet fjalë për besimin e pabazuar se popullatat perëndimore po zëvendësohen qëllimisht nga emigrantë jo-evropianë.
Faktoje i ka hedhur poshtë këto teori kur figura si Elon Musk (që deri para disa muajsh ishte mjaft i afërt me presidentin) paralajmëruan në mënyrë të ngjashme se Europa po humbet identitetin dhe popullsinë nga emigracionin që vjen nga Afrika. Por këto pretendime bazohen më shumë në frikë sesa në fakte. Për shembull, në vitin 2023, 4.3 milion persona migruan drejt BE-së nga një vend që nuk është pjesë e Bashkimit Europian. Megjithatë kjo përfaqëson një ulje prej 18% (rreth 1 milion veta më pak) në krahasim me vitin 2022.
Në përgjithësi edhe përse trendi ndër vite ka qënë në rritje, me një rritje të fortë sidomos në vitin 2021 pas shpërthimit të COVID, këto numra janë stabilizuar në vitet e fundit. Për më tepër, vende si Gjermania që kanë një fluks të lartë emigrantësh, shpesh i kërkojnë vetë emigrantët për të plotësuar vendet e punës të nevojshme në ekonominë gjermane, siç e tregon dhe vetë Deutsche Welle.
Edhe në rastin e SHBA-së, përqindja e emigrantëve është rreth 14.3% e popullsisë totale. Edhe pse kjo shifër ka qënë në rritje prej vitit 1970, kjo përqindje është historikisht jo më e lartë se për shembull në fund të shekullit të 19-të, kur emigrantët nga Europa lëvizën për në SHBA. Migrimi dhe refugjatët paraqesin sfida të shumta për BE-në, por nuk ka fakte konkrete se BE-ja apo kontinenti Europian do të shfarosen për shkakt të emigrimit.