Pretendimi: Vladimir Putin është djali i një fermeri të thjeshtë rus

Verdikti: E pavërtetë

Një pretendim se Vladimir Putin vjen nga një familje fermerësh dhe se është krenar për jetën që ka pasur po qarkullon në rrjet. Fillimisht ky pretendim është shpërndarë nga një faqe ruse.

Më pas ai është shpërndarë dhe në gjuhën shqipe i shoqëruar me të njëjtin imazh që i ngjan më shumë një pikture, sesa një fotografie të vërtetë.

Me një kërkim në Google Images të këtij imazhi rezulton se prej disa muajsh në internet qarkullojnë një seri imazhesh që tregojnë presidentin rus Vladimir Putin me veshje fermeri, por në asnjë rast imazhet nuk janë shpërndarë nga media apo faqe zyrtare të besueshme.

Në fakt, sipas informacioneve zyrtare pretendimi se Presidenti rus Vladimir Putin është djali i një fermeri është i pasaktë. Edhe pse familja e tij ka rrënjë rurale, prindërit e tij nuk ishin të angazhuar në bujqësi.

Vladimir Putin lindi më 7 tetor 1952 në Leningrad (tani Shën Petersburg), Rusi.
Babai i tij, Vladimir Spiridonovich Putin (1911–1999), shërbeu në flotën nënujore të Marinës Sovjetike në fillim të viteve 1930. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai ishte pjesë e batalionit të shkatërrimit të NKVD-së dhe më vonë shërbeu në ushtrinë e rregullt, ku u plagos rëndë në vitin 1942. Pas luftës, punoi si përpunues teknik në një fabrikë.
(Burimi: Wikipedia, Los Angeles Times)

Nëna e Putinit, Maria Ivanovna Putina (e lindur Shelomova; 1911–1998), punonte gjithashtu në një fabrikë. Familja jetonte në kushte të varfra, në një apartament komunal që ndahej me familje të tjera në Leningrad.
(Burimi: Los Angeles Times)

Familja Putin e ka origjinën nga rajoni i Tverit, ku banorët ishin bujq që nga shekulli XVII. Paraardhësi më i hershëm i njohur, Yakov Nikitin, ishte një fshatar nga fshati Borodino në rrethin e Tverit.
(Burimi: Wikipedia)

Gjyshi nga babai i Putinit, Spiridon Putin (1879–1965), punoi si kuzhinier për udhëheqësit sovjetikë Vladimir Lenin dhe Joseph Stalin.
(Burimi: Russia Beyond)

Megjithëse familja e Putinit ka origjinë fshatare nga zonat rurale të Rusisë, prindërit e tij nuk ishin fermerë. Babai i tij ishte ushtar detar dhe punëtor fabrike, ndërsa nëna ishte punëtore fabrike. Prandaj, pretendimi se Vladimir Putin është djali i një fshatari është i gabuar dhe çorientues.

Artikulli paraprakE manipuluar përplasja mes Berishës dhe këshilltarit pas humbjes
Artikulli tjetërLufta pa zhurmë për gështenjën
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë