Pretendimi: Në këtë video presidenti francez Emmanuel Macron pranon se lufta në Ukrainë u humb
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Një video e presidentit francez Emmanuel Macron ku ai flet për rolin e Francës në luftën në Ukrainë po qarkullon në rrjete sociale me pretendimin se në të Macron “pranon se e humbën luftën në Ukrainë.”
Në klipin 30-sekondësh, Macron thotë: “Unë kam një respekt dhe admirim të madh për popullin, ushtarët dhe udhëheqësit ukrainas. Por ju duhet të kuptoni se ne kishim një model ushtrie që nuk ishte i projektuar për konflikte tokësore me intensitet të lartë. Dhe kështu ne dhamë gjithçka që kishim madje dhe prodhuam shumë më shumë dhe shumë më shpejt, e famshmja ekonomi e luftës. Por ne nuk mund të japim çfarë nuk kemi, as nuk mund t’ia heqim vetes atë që është e nevojshme për vetë sigurinë tonë.”
Ai nuk përmend humbjen e luftës.
Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale nga është shkëputur klipi i mësipërm. Ajo është një intervistë tre-orëshe e dhënë nga Macron më 13 maj 2025 për televizionin francez TF1.
Duke komentuar mbi ndihmën ushtarake për Ukrainën, Macron përmendi gjithashtu se vendi i tij i kishte dhënë Ukrainës një numër të madh predhash dhe sistemesh artilerie vetëlëvizëse Caesar.
“Ne jo vetëm që kemi transferuar gjithçka që mundëm, por kemi trefishuar prodhimin tonë. Dhe këtë vit, gjithçka që prodhojmë po shkon në Ukrainë. Madje i kthyem armët që ua kishim shitur më parë vendeve të tjera për t’ia dhënë Ukrainës”, tha udhëheqësi francez.
Ai sqaroi se disa vende ishin të kufizuara në ndihmën e tyre ushtarake për Ukrainën nga konsiderata politike, por ky nuk ishte rasti për Francën.
Sipas Militarnyi, Franca tani është përgatitur të rrisë ndjeshëm prodhimin e sistemeve CAESAR, me plane për të prodhuar 12 sisteme në muaj. Para pushtimit rus të Ukrainës, Franca prodhonte vetëm dy sisteme vetëlëvizëse CAESAR në muaj. Pas vitit 2022, ky numër fillimisht arriti në gjashtë njësi në muaj, pastaj në tetë. Tani, prodhuesi po zgjerohet në një shkallë prodhimi prej 12 sistemesh në muaj, gjithsej 144 njësi për vit.
Vendosur në kontekst, edhe më tej bëhet e qartë se Macron nuk pranoi apo la të kuptohet se lufta në Ukrainë ishte e humbur. Nëse kjo do të ishte e vërtetë, ridrejtimi i të gjithë industrisë franceze të prodhimit të armëve për t’u përqendruar tek kjo luftë do të ishte e pakuptimtë.
Megjithatë, Macron shtoi se një armëpushim i zgjatur në Ukrainë është thelbësor, duke argumentuar se kjo do t’i lejonte Ukrainës të rifillonte negociatat nga një pozicion force.
“Një armëpushim do të siguronte kushtet më të mira të mundshme humanitare dhe do të hapte derën për diskutime rreth çështjeve territoriale”, deklaroi Macron.