Pretendimi: Presidenti amerikan Joe Biden thirri atentatin kundër ish-presidentit Trump

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————

Pas atentatit kundër ish-presidentit amerikan Donald Trump, në rrjetet sociale po qarkullon pretendimi se pas këtij atentati qëndron presidenti i tanishëm amerikan Joe Biden. 

Si provë për këtë sillet një citat i 8 korrikut nga Biden i cili thotë se “nuk do të flasim më për debatin, është koha ta vëmë Trump në shënjestër.”

Në të vërtetë, në 8 korrik, disa ditë para atentatit, është bërë publike në shtypin amerikan një mesazh që është dërguar nga Biden në një telefonatë private me Komitetin e tij Kombëtar të Financave.

Biden citohet të ketë thënë në këtë mesazh: “Unë kam një detyrë, dhe ajo është të mund Donald Trump. Jam absolutisht i sigurtë që unë jam personi më i mirë për ta bërë këtë. Kështu, nuk do të flasim më për debatin, është koha ta vëmë Trump në shënjestër.”

Kjo pjesë e mesazhit, e cila i drejtohet një audience të gjerë, është nxjerrë jashtë kontekstit për të mbështetur një kërcënim për jetën e Trump. Përkundër këtyre aludimeve, Biden nuk ishte duke urdhëruar eleminimin e kundërshtarit të tij politik, por për mundjen e Trump në zgjedhjet e nëntorit 2024.

Menjëherë pas atentatit, Biden e dënoi sulmin kundër Trump duke thënë për shtypin se “nuk ka vend për këtë lloj dhune në Amerikë.” 

“Ideja që ka dhunë politike, ose dhunë në Amerikë si kjo, është thjesht e padëgjuar, është thjesht e pavend. Gjithëkush duhet ta dënojë. Gjithëkush,” tha Biden.