Tregimi i një fabule hebraike nga presidenti argjentinas Javier Milei është interpretuar si thirrje për shkatërrimin e xhamisë Al-Aqsa në Jeruzalem. Megjithëse Milei premtoi se do të zhvendoste ambasadën argjentinase në Jeruzalem, Milei nuk bëri ndonjë deklaratë aq kontroverse sa thirrja e hapur për shkatërrimin e një vendi të shenjtë dhe monumenti kulturor të mbrojtur nga UNESCO.
———————————
Në rrjete sociale po qarkullon lajmi se presidenti argjentinas Javier Milei “ka bërë thirrje për shkatërrimin e xhamisë Al-Aksa në Jerusalem (Al-Quds), vendi i tretë më i shenjtë në Islam, në mënyrë që të ndërtohet Tempulli i Ri “për t’u sjellë Mesian hebrenjve”
Milei, i cili është president i Argjentinës që nga Dhjetori 2023, udhëtoi drejt Izraelit javën e kaluar. Gjatë vizitës së tij, ai deklaroi se planifikonte ta zhvendoste ambasadën argjentinase nga Tel Avivi në Jeruzalem, duke njohur kështu Jeruzalemin si kryeqytet të Izraelit. Presidenti i mëparshëm amerikan Donald Trump bëri të njejtën lëvizje në 2018.
Gjatë vizitës, Milei mbajti një fjalim nga ku duket se është frymëzuar lajmi i mësipërm.
Megjithatë, në fjalimin e tij ai nuk bëri ndonjë thirrje për shkatërrimin e xhamisë Al-Aqsa. Duket se ky është interpretimi që disa i kanë bërë fabulës që Milei rrëfeu në fjalët e tij:
Kjo histori ndodhi pas shkatërrimit të Tempullit të Dytë nga romakët. Rabin Akiva dhe ndjekësit e tij po shihnin rrënimin e Malit të Tempullit dhe ata panë një dhelpër duke u larguar nga vendi më i shenjtë i Tempullit. Nuk mund të ketë patur pamje më dëshpëruese se kjo. Përballë kësaj pamje të tmerrshme, rabinët qanë në mjerim, por rabin Akiva nisi të qeshë. Ndjekësit e tij e pyetën se si mund të qeshte përballë kësaj tragjedie. Akiva iu përgjigj: ‘Ekziston një profeci mbi shkatërrimin që thotë se një dhelpër do të futet në vendin më të shenjtë. Ekziston edhe një profeci tjetër që thotë se i njejti vend do të rindërtohet. Tani që e shoh me sytë e mi se profecia e parë u përmbush, qesh me gëzim dhe plot shpresë sepse, me siguri, edhe profecia e dytë do të përmbushet.’
Siç vërehet, Milei nuk ka bërë thirrje për shkatërrimin e ndonjë vendi të shenjtë, përfshi edhe xhaminë Al-Aqsa.
Fabula e tij është interpretuar si e lidhur me xhaminë Al-Aqsa sepse ajo ndodhet në të njejtin vend ku mendohet se kanë qëndruar më parë tempuj hebraikë. Sipas traditës ortodokse hebraike, këtu do të ndërtohet edhe Tempulli i Tretë dhe i fundit, kur të vijë Messiah, shpëtimtari i hebrenjve.
Vizita dhe deklaratat e presidentit kontroversal argjentinas janë shoqëruar me debate dhe interpretime për shkak se Milei ka deklaruar vullnetin e tij për t’u konvertuar në fenë hebraike. I rritur në një familje argjentinase me një baba me rrënjë italiane dhe nënën kroate, Milei ka ndjekur që prej fëmijërisë shkollimin katolik. Në intervistat e tij të fundit, ai ka deklaruar se e kishte shtyre konvertimin e fesë së tij nga frika se nuk do të zgjidhej president. Tashmë që karriera e tij politike u plotësua, mbetet për t’u parë nëse do të kryejë edhe kalimin në fenë e re.