.

.

BallinaProjekteForcimi i gazetarisë fact-checkingPremtimi i shkelur për ujësjellësin dhe dëmet e parikuperushme në qendrën historike të Gjirokastrës

Premtimi i shkelur për ujësjellësin dhe dëmet e parikuperushme në qendrën historike të Gjirokastrës

RAIMOND KOLA

Në gusht 2021 Gjirokastra do kishte ujësjellës të ri dhe furnizim me ujë 24 orë, sipas premtimit të ministres së Infrastrukturës, Balluku. 6 muaj pas këtij afati, qyteti përballet me dëmet e pakthyeshme që po i shkaktojnë qendrës historike punimet e për ujësjellësin i cili ende s’ka përfunduar. Vetëm Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore dhe banorët pranojnë masakrën që po i bëhet rrugëve të gurta. Ndërsa për Insitutin Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, situata në Qendrën Historike të mbrojtur nga UNESCO, është nën kontroll.


“Projekti i Ujësjellësit të Gjirokastrës dorëzohet sipas kontratës në gusht 2021, por ne synojmë ta mbarojmë para sezonit turistik. Në fillim të majit, qyteti i Gjirokastrës do të ketë 24 orë ujë me një cilësi më të mire!”- deklaroi më 13 korrik 2020 Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në prani të kryeministrit Rama, gjatë inspektimit në Gjirokastër.

Bazuar në këtë zotim të ministres Balluku, ujësjellësi i ri i Gjirokastrës duhet të kishte përfunduar në 17 gusht të vitit 2021. Por, punimet që nisën në nëntor 2019 me një finacim prej 7 milionë e 550 mijë euro (pa TVSH ) të  siguruar nëpërmjet bankës gjermane KFW, ku është kontraktuar kompania “Strabag AG ALBANIA”, nuk kanë përfunduar ende, edhe pse kanë kaluar 5 muaj nga skadimi i afatit të vendosur nga qeveria.

Ne vendosëm të bëjmë një verifikim duke iu drejtuar fillimisht me një kërkesë për informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë e cila, deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka kthyer përgjigje.

Screenshot i kërkesës për informacion dërgur MIE, 19 nëntor 2021

Edhe kompania Strabag AG ALBANIA që është kontraktuar për zbatimin e punimeve për ujësjellësin nuk iu përgjigj interesimit të Faktoje.

Screenshot i kërkesës për informacion dërguar firmës Strabag që kryen punimet për Ujësjellësin Gjirokastër

Bashkia e Gjirokastrës, e cila iu përgjigj në kohë kërkesës për informacion në emër të Faktoje pohon:

“Specifikisht në kontratën e punimeve për ujësjellësin në Gjirokastër, për shkak të punimeve dhe vonesave të paparashikuara me aprovimin e bankës Gjermane, është bërë shtyrja e afatit të punimeve deri në datë 25.02.2022. Leja e ndërtimit njëkohësisht është zgjatur deri në këtë datë”.

Screenshot i përgjigjes së bashkisë Gjirokastër, 24 nëntor 2021

 

Kjo përgjigje, konfirmon edhe zyrtarisht, përveç konfirmimit nga verifikimi në terren, se projekti i ujësjellësit nuk ka përfunduar ashtu sikurse u zotua ministrja e Infrastrukturës dhe Energjië, Balluku. Përtej mungesës së furnizimit me ujë të komunitetit, zvarritja e këtij projekti po shkakton një tjetër dëm madhor.

Projekti: dëme të mëdha në rrugët me kalldrëm të Qendrës historike që mbrohet nga UNESCO

Projekti i Ujësjellësit ka hapur pothuajse të gjitha segmentet e Qendrës Historike të mbrojtur nga UNESCO, për shtrimin e tubacioneve. Mjete të rënda të kompanisë zbatuese, kanë hapur kanale të thella të cilat kanë prekur bazamentin historik të kalldrëmeve prej guri, të ndërtuara prej gati 40 vitesh.

Kanale të hapura përgjatë kalldrëmeve të qendrës historike në Gjirokastër për vendosjen e tubave për ujësjellësin, janar 2022

 

Mjetet e rënda në qendrën historike të Gjirokastrës duke çarë kalldrëmin për vendosjen e tubacioneve

Dëmet janë shtuar nga shirat e shumtë të stinës së dimrit që në disa zona kanë dëmtuar shtratin e rrugëve të shtruara me kalldrëm.

Mjeshtri Spiro Bezhani thotë:

“Dëmet janë të parikuperueshme dhe kalldrëmet nuk do mund të vijnë siç kanë qenë më parë. Kalldrëmi do mjeshtëri dhe po lëvizi nga vendi është vështirë të kthehet siç ka qenë.”

Mjeshtri i kalldrëmit Spiro Bezhani, Gjirokastër, janar 2022

Vetë banorët e lagjeve të sipërme të qytetit kanë shprehur herë pas here si në median vendore edhe atë kombëtare shqetësimin që kanë krijuar punimet për ujësjellësin. Krahas bllokimit të hyrjes nëpër shtëpitë e tyre me automjete, për javë të tëra për shkak të punimeve, banorët i druhen faktit se kompania nuk do të arrijë të rikthejë kalldrëmet siç kanë qenë më parë. Edhe më herët punime të këtij lloji, të kryera nga kompanitë e telefonisë apo rrjetit të energjisë kanë shkaktuar mjaft pakënaqësi tek banoret pasi ato nuk kanë punuar me cilësi dhe nuk kanë arritur t`i rikthejnë rrugët me kalldrëm në gjendjen e mëparshme.

Ndërhyrja në qendrën historike për vendosjen e tubave, Gjirokastër, janar 2022

Bashkia e Gjirokastrës në përgjigjen e saj për Faktoje pohoi se ka marrë në konsideratë të gjitha ankesat dhe pakënaqësitë që qytetarët kanë shprehur në lidhje me punimet në zonën muzeale.

“Këto punime janë zgjatur për shkak të pandemisë, kushteve natyrore dhe vështirësisë që është hasur në rinkostruksionin e kalldrëmit, sepse është një punë që kërkon më shumë mjeshtëri dhe specialistë të fushës. Në mbarëvajtjen e punimeve, një rol kryesor ka luajtur edhe UNESCO e cila gjatë gjithë kohës ka asistuar dhe vëzhguar punimet, ndërsa ne jemi përpjekur të respektojmë rregulloren dhe kushtet e përcaktuara prej saj”- pohon Bashkia.

Më e alarmuar për situatën e krijuar është Drejtoria Rajonale e Monumenteve në Gjirokastër e cila është përgjegjëse kryesore e mbrojtjes së vlerave të Qendrës Historike të Gjirokastrës. Ky institucion pohon se firma sipërmarrëse e punimeve “STRABAG AG ALBANIA”, ka lidhur kontratën me subjektin e liçensuar “LIDA MIRAJ ZEQO”, por kontrata me firmën që ka ekspertizën në fushën e restaurimit ka përfunduar që në qershor 2021.

Screenshot i përgjigjes zyrtare të Drejtorisë rajonale të Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër, 24 nëntor 2021

“Projekti Rehabilitimi i rrjetit të Ujësjellësit në Qendrën Historike dhe në Zonën e Mbrojtur të qytetit të Gjirokastrës, është miratuar në KKR, me Vendim nr 335 të datës 10/10/2019. Në vendim ishte një kusht, që gjatë zbatimit të punimeve subjekti duhet të kontaktojë një shoqëri të liçensuar në fushën e restaurimit dhe të arkeologjisë. Firma sipërmarrëse e punimeve “STRABAG AG ALBANIA”, ka lidhur kontratën me subjektin e liçensuar “LIDA MIRAJ ZEQO”, për këto punime në muajin Dhjetor 2020. Koha e zbatimit të punimeve të këtij projekti është 12/08/2020 – 18/06/2021.”-thuhet në përgjigjen zyrtare të DRTKGJ për Faktoje.

Më tej, në këtë përgjigje ngruhet shqetësimi për shkeljen e grafikut të punimeve në qendrën historike, ku kërkohej edhe monitorimi i firmës që ka ekspertizën në fushën e mbrojtjes së trashëgimisë.

“Drejtoria jonë ka qenë e pranishme gjatë gjithë kohës në zbatimin e punimeve. Kemi kërkuar me këmbëngulje që të vendoset firma e liçensuar, si për punimet ashtu edhe për monitorimet arkeologjike. Këto punime ishin parashikuar që do të kryheshin në Qendrën Historike dhe në lejen që kanë marrë nga Bashkia Gjirokastër, është miratuar dhe grafiku i punimeve. Nuk është zbatuar plotësisht grafiku i punimeve dhe prandaj ata kanë kërkuar shtesë afati, që iu është dhënë nga Bashkia Gjirokastër. Theksojmë se firma zbatuese, akoma nuk ka përmbushur një pjesë të mirë të detyrimit për rehabilitimin e kalldrëmit të dëmtuar dhe për këtë qëllim ka kërkuar shtyrjen e afatit të punimeve. Për shkak të përballjes së tyre me limitet e afateve të realizimit të kontratës, subjekti ka hapur disa fronte njëkohësisht duke sjellë edhe shqetësimin e komunitetit.”-thekson ndër të tjera Drejtoria Rajonale e Monumenteve Gjirokastër.

Por ndryshe nga Drejtoria Rajonale, Instituti i Trashëgimisë Kulturore në një përgjigje zyrtare për Faktoje konfirmon se situata është nën kontroll, pa dhënë asnjë sqarim nëse është respektuar marrëveshja trepalëshe mes investitorit, firmës me ekspertizë në arkeologji dhe ujësjellësit, për punimet në qendrën historike të Gjirokastrës.

Screenshot i përgjigjes zyrtare të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, 9.12.2021

 Ndër të tjera, ky institucion madje konfirmon se nuk është depozituar ndonjë ankesë nga banorët e Gjirokastrës, ndonëse Drejtoria Rajonale e Trashgimisë pohonte të kundërtën.

Screenshot i përgjigjes zyrtare të Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore, 9.12.2021

Në mesin e muajit janar të këtij viti, punimet për ujësjellësin në Qendrën Historike të Gjirokstrës vijonin dhe nga ritmet e deritanishme, nuk ka gjasa që projekti I ujësjellësit të përfundjë as në muajin shkurt, kur përfundon afati i zgjajtes së kontratës me firmës zbatuese.

Në një pjesë të rrugëve të hapura, madje nuk po punohet për mbylljen e kanaleve apo rikthimin e kalldrëmeve dhe situata vështirësohet nga moti here me ngrica dhe reshje shiu.  Kompanisë do t`i duhet sërish një kërkesë ligjore për shtyrjen e punimeve, ndërsa qytetarëve të mprehin edhe më shumë durimin nga kanalet e hapura, rrugët e bllokuara dhe vështirësitë e panumërta.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img