BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPremtimi i rremë se ngrënia e kumbullave shëron sëmundjet

Premtimi i rremë se ngrënia e kumbullave shëron sëmundjet

Konsumimi i kumbullave nuk shëron sëmundje, siç thuhet në disa artikuj të shpërndarë në media. Studimet e kryera, por edhe profesionistë të shëndetit shprehen se këto pretendime nuk kanë ansjë bazë shkencore.

Një artikull i shpërndarë në portale pretendon se ngrënia e kumbullave bën mrekullinë kundër sëmundjeve.

Ndryshimi befasues, sëmundja që zhduket nëse hani 12 kumbulla në ditë”-shkruan AK Report Media.

Lajmi është shpërndarë edhe nga portale të tjera si: Gazeta Stop, Newz Online, Albeu.com. apo edhe në profile në Facebook si në faqen ‘Shqipëria’.

Artikulli i publikuar në mediat online

Nëse do shohim në brendësi të artikullit thuhet se konsumi i 12 kumbullave çdo ditë shëron disa sëmundje, por nuk specifikohet se cilat sëmundje zhduken. Në tekst përmenden disa sëmundje që thuhet se trajton përdorimi i kumbullave, si astma, artriti, goditja në tru dhe kanceri.

Studimet e mëparshme kanë treguar se kumbulla forcon eshtrat, zvogëlon rrezikun e kancerit të zorrës së trashë dhe konsumi i 12 kumbullave me madhësi mesatare në ditë për dy muaj e zvogëlon nivelin e kolesterolit të keq LDL”- thuhet ndër të tjera në artikull.

Por sa çudibërës mund të jetë fruti i kumbullës?

Kërkimet e bëra tregojnë se si kumbullat e freskëta ashtu edhe ato të thata përmbajnë fibra dhe antioksidantë.

Kumbullat falë këtyre përbërësve mund të ndihmojnë për të reduktuar mundësinë e prekjes nga sëmundjet e zemrës, ankthi, presioni i lartë i gjakut, goditjet në tru dhe kapsllëku. Mirëpo, në asnjë prej studimeve nuk thuhet që kumbullat shërojnë sëmundje të caktuara.

E pyetur nga Faktoje në lidhje me këtë çështje, mjekja e përgjithshme, Bruna Shiroka sqaron: “Çdo produk bimor, shtazor, në dietën ushqimore ditore ka vlerat e veta. Në dijeninë time, të literaturës e përvojës, thuhet ruajtja e një ekuilibri të produkteve ushqimore në dietë sipas prioriteteve (proteina, karbohidrate, yndyrna e vitamina e kripëra minerale)

Nuk e mendoj se kumbullat shërojnë sëmundje. Kam në përdorim një libër të terapisë me kura natyrale, që janë ndihmuese në purifikimin e organizmit, por asnjëherë kura bazë”.

Në lidhje me këto pretendime, kolegët e verifikimit të fakteve në Kosovë kanë pyetur mjekë, të cilët kanë sqaruar se kumbullat nuk zhdukin sëmundje.

Doktor Besim Buda, specialist i mjekësisë së përgjithshme tha për “Kallxo” se këto pretendime nuk kanë bazë shkencore.

“Kumbulla është e mirë për t’u ngrënë, por nuk është ilaç që shëron sëmundje”- thotë ai.

Edhe mjeku Agim Krasniqi sqaron se përcaktimi për të ngrënë 12 kumbulla në ditë në asnjë mënyrë nuk mund të kenë efekt për shërimin e ndonjë sëmundjeje.

“Në bazë të protokolleve mjekësore ne nuk mund të shërojmë sëmundje duke përcaktuar sa kumbulla duhet t’i konsumojë një person”- argumenton doktor Krasniqi.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img