Verën e kaluar, teksa shtëllungat me tym të zi mbulonin Vlorën nga djegia masive e plehrave, kryebashkiaku Ermal Dredha premoi zgjidhje të shpejtë për mbetjet. Kryebashkiaku tha se landfilli i Sherishtës do të vihej në punë në pranverë të këtij viti, por verfikimet tregojnë se premtimi nuk u mbajt. Landfilli në Shërshitë vijon të jetë jashtë funksioni.
Afrovita Hysaj
Pika nevralgjike e një qyteti bregdetar si Vlora, mbetet menaxhimi i mbetjeve urbane. Situata arriti kulmin një vit më parë, ku i gjithë sezoni turistik (korrik-shtator) u shoqërua nga zjarre të njëpasnjëshme në pikën e grumbullimit të mbeturinave në lagjen “Kushtrimi” Vlorë.
Për sezonin turistik të këtij viti gjendja pritej të ishte rregulluar duke vënë në punë landfillin e ri të ndërtuar në Sherishtë. Kjo ishte zgjidhja që ofroi edhe kryetari i bashkisë Vlorë Ermal Dredha në 24 Korrik të vitit 2023.
“Zgjidhja afatgjatë është të vendoset funksion të plotë landfilli që është ndërtuar në Sherishtë.”, deklaroi një vit më parë kryebashkiaku Dredha.
Disa muaj më vonë, gjatë një vizite në Vlorë edhe kryeministri Edi Rama iu rikthye vënies në punë të landfillit. Rama kërkoi që landfilli të ishte gati pranverën e këtij viti.
“Duhet ta mbyllim përpara sezonit”, tha kryeministri Rama.
Në përgjigje të këtij urdhëri, kryetari i bashkisë së Vlorës Ermal Dredha premtoi se landfilli do të fillonte punën më shpejt.
“Ne themi ta fillojmë tani.”, premtoi Dredha.
Verifikim
Në shkurt të 2024-ës, edhe Drejtoresha e Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike Vlorë, Erinolda Lushaj tha për mediat se landfilli do të vendosej në punë këtë prill.
Por deri më tani (korrik 2024) ende nuk ka asnjë gjurmë të funksionimit të Landfillit të Vlorës. Asnjë prej zotimeve të zyrtarë publik nuk është përmbushur.
Verifikimet në terren tregojnë se landfilli i Sherishtës në Vlorë jo vetëm që nuk është vënë në punë këtë pranverë, sikurse u premtua. Madje, nuk është e qartë as se kur do të jetë në funksion.
Jerola Ziaj, sekretare e Unionit Turistik për Jugun i druhet përsëritjes së zjarreve masive në kulmin e sezonit turistik.
“Dikush duket të marrë përgjegjësi të zgjidhë këtë ngërç të krijuar për më shumë se katër vite radhazi. Reja kancerogjene e tymit mbi qytet nuk mund të jetë opsion për më tepër në një qytet turistik si yni.”, thotë ajo.
Për të mësuar mbi arsyet e shkeljes së premtimit, Faktoje i është drejtuar me një kërkesë për informacion Bashkisë së Vlorës. Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ne nuk kemi marrë një përgjigje nga ky institucion.
Si është situata me mbetjet në Vlorë?
Shqetësim edhe këtë vit mbetet vija bregdetare, e cila duket se ka mungesë të koordinimit për pastrim mes privatit dhe Bashkisë.
Ndërkohë në mungesë të Landfillit, masat parandaluese të Bashkisë së Vlorës për situatën e ndotjes dhe zjarret në pikën e grumbullimit të mbetjeve konsistojnë në vendosjen e ndriçimit dhe kamerat monitoruese të pikës me 8 hektarë për grumbullimin e mbeturinave. Kjo për të shmangur zjarret e qëllimshme.
Edhe në brendësi të qytetit situata me mbetjet ka probleme. Banorët e Vlorws ankohen për koshat e tejmbushur të mbetjeve.
Në lagjen “Hajro Çakërri” koshat janë dëmtuar.
Edhe në sytë e turistëve plehrat bëjnë përshtypje. Ermioni Velaj, turiste e përvitshme e qytetit bregdetar tregon se Vlora ka përmirësime të dukshme infrastrukturore krahasuar me një vit më parë. Por plehrat mbeten problem sipas saj.
“Vlora është një qytet i bukur, vijmë gati cdo vit për plazh. Ne jetojmë në Itali por për pushime kthehemi në vendlindje. Ka ndryshuar Vlora, është bërë shumë e bukur, ama me plehrat është çik problem. Në plazh nuk ka kosha. Duhet parë çik kjo punë, se na vijmë edhe të huajt. Vjet ishte më keq, sikur ka ndryshuar pak, ama ishalla bëhet edhe më mirë.” – tregon ajo.
Për zgjidhjen e kësaj situatës Bashkia ka tenderuar tek kompania “Clean Fast” pastrimin e njësive administrative, ndërsa Ministria e Turizmit po nëpërmjet prokurimit publik i ka kaluar privatit pastrimin e vijës bregdetare, praktikë e ndjekur edhe vitin e kaluar ku fitues u shpall “Fusha Shpk & Alko Impex Construksion”.
Por zbatimi i kontratave mes Bashkisë dhe Privatit në terren ka qenë një pikë problematike.
Nga verfikimet rezulton se firma e cila ka në kompetencë pastrimin e vijës bregdetare, nuk ka nisur të zbatojë kushtet e kontratës që pritej të niste në 15 qershor, si:
- Vendosja e 350 kontenierëve të rinj (Vlorë)
- Vendosja në punë e 4 automjeteve të tonazhit 10-15 ton.
- Puna në : Pastrim kontenierësh, fshirje aksi rrugor dhe transport deri në pikën e grumbullimit, me 2 turne gjatë ditës.
- Angazhimi i 48 punonjësve në këtë zonë.
Në bazë të informacioneve të marra nga përfaqësues të kësaj firme, aktualisht janë në funksion: 2 automjete teknologjike, 1 kamionçinë dhe 6 punonjës.
Një tjetër masë e njoftuar nga Bashkia për mbarëvajtjen e pastrimit është vendimi për caktimin e orarit 22:00 me 24:00 për depozitimin e mbetjeve nga bizneset. Në rast të shkeljes së këtij orari Bashkia ka njoftuar masa administrative nga gjoba progresive (5000 lekë për shkeljen e parë; 20 000 lekë për shklejen për herë të dytë) deri në ndjekje penale për biznesin për “ndotje mjedisore” nëse shkelet orari i caktuar për herë të tretë.
Pavarësisht masave të marra, përgjegjësia kryesore e menaxhimit të qyteti i mbetet Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.
“Jemi angazhuar maksimalisht dhe po punojmë me të gjithë kapacitetin logjistik të Ndërmarrjes. Kërkojmë bashkëpunimin e banorëve dhe biznesit për një sezon të suksesshëm. Është sfidë së pari e jona, e pastaj e të gjithë aktorëve dhe faktorëve në qytet.” – thotë Dorian Xhelili, Drejtor i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.
Pas prishjes së kontratës mes Bashkisë Vlorë dhe kompanisë që kryente shërbimin e pastrimit të qytetit, në qershor të vitit të kaluar, kjo kompetencë i kaloi Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike.
Situata pritet të shihet se si do vijojë në muajt korrik dhe gusht, kur fluksi është më i madh e mbetjet urbane shtohen.
Projekti i Landfillit të Vlorës
Në qershor 2020, Integrated Technology Services në bashkëpunim me kompaninë italiane Bulfaro Spa, u shpallën fituese të një tenderi prej 9.8 milionë eurosh – pjesë e një projekti të financuar nga banka gjermane KfË për ndërtimin e landfillit me një kapacitet prej 350 mijë ton mbetje. Sipas kontratës Landfilli i Sherishtës duhej të ishte gati për punë që në qershor të vitit 2021.
Por prej 14 dhjetorit 2021, kompania Integrated Technology Services është nën sekuestro preventive me urdhër të Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Aksioneri i saj i vetëm, Klodian Zoto është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Policia e Shtetit, i akuzuar për pastrim parash dhe korrupsion – si pjesë e aferës famëkeqe të inceneratorëve.
Ndërtimi i landfillit të Sherishtës është pjesë e një projekti të integruar për menaxhimin e mbetjeve në qarkun e Vlorës me vlerë 20.8 milionë euro të financuar nga KfË, nga të cilat 12.5 milionë euro janë kredi dhe pjesa tjetër grante.
Nga viti 2020 deri në dhjetor 2021 kur GJKKO sekuestroi objektin, vetëm 90% e punimeve të projektit kishin përfunduar. Sekuestrimi ndaloi punën në landfill.
Përfundim
Nisur nga informacionet e mbledhura dhe verifikimet e kryera në terren, premtimin e kryebashkiakut Ermal Dredha se landfilli i Sherishtës do të vihej në punë brenda pranverës së këtij viti, do ta kategorizojmë si premtim të pambajtur.
Vlora, qyteti ku mbetjet digjen në qiell të hapur – Faktoje.al