Monitorimi përmes matjeve të vazhdueshme dhe shtimi i hapësirave të gjelbra përreth zonës së ish-Metalurgjikut, për uljen e nivelit të ndotjes ishin dy ndër premtimet e kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja para se të merrte mandatin. Një vit më pas, Elbasani vijon të vuajë nga ndotja, ndërkohë që shtimi i hapësirave të gjelbërta ka ecur me ritme të ngadalta, ndërsa monitorimi dështoi thuajse që në nisje.
Qytetit industrial i Elbasanit është një nga zonat më të ndotura në Shqipëri, fakt i cili pranohet edhe nga pushteti vendor. Gjatë fushatës elektorale të qershorit të vitit 2019, kandidati Gledian Llatja, aktualisht kryetar i Bashkisë Elbasan, ndër premtimet listoi edhe angazhimin për uljen e ndotjes në qytet, përmes shtimit të hapësirave të gjelbra në gjithë territorin e bashkisë dhe atë të zonës përreth ish-Metalurgjikut veçanërisht.
Zona industriale e ish-Metalurgjikut, si burim i vazhdueshëm ndotjeje!
Kombinati Metalurgjik i Elbasanit, i ndërtuar në vitin 1966, me një sipërfaqe prej 160 hektarësh ndodhet rreth 4 kilometër larg nga qyteti. Aktualisht në ish-Metalurgjik punohet vetëm në disa reparte, siç janë uzina e çelikut, apo ajo e përpunimit të naftës, të cilat administrohen nga shoqëria “Kurum”.
Rehabilitimi i zonës së ish-Metalurgjikut përmes gjelbërimit renditet në listën e prioriteve të Bashkisë Elbasan dhe me qëllim zbatimin e tyre u hartua edhe një koncept-projekt.
Për zbatimin e rehabilitimit të zonës së ish-Metalurgjikut në veçanti dhe uljen e nivelit të ndotjes në përgjithësi, kryebashkiaku Gledian Llatja më 3 mars 2020 prezanoti edhe Planin Vendor të Mbrojtjes së Mjedisit.
“Muri i Gjelbër”, “shpresa” e bashkisë dhe banorëve të Elbasanit!
Pjesë intergrale e Planit Vendor të Mbrojtjes së Mjedisit ishte edhe ndërtimi i “Murit të Gjelbër”.
“Nëpërmjet Planit Vendor të Mbrojtjes së Mjedisit 2020-2022, Bashkia do të realizojë misionin e saj për përmirësimin e jetës së qytetarëve, duke e patur prioritet kryesor parandalimin e ndotjes së mjedisit, sigurimin e një mjedisi të pastër, të shëndetshëm, shlodhës e argëtues për qytetarët duke iu afruar standardeve të BE-së” – u shpreh kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.
Sipas Bashkisë Elbasan, “Muri i Gjelbër” është parashikuar të ndërtohet në zonën e ish Kombinatit Metalurgjik, duke mbjellë pemë përreth kësaj zone.
“Mbjellja e pemëve në këtë zonë, sipas ambientalistëve, do të ndikojë ndjeshëm në uljen e nivelit të ndotjes, por edhe si një pengesë natyrale, që ndotja të mos shkojë drejt qytetit” – thuhet në njoftimin e Bashkisë Elbasan.
Në muajin qershor 2020, “Faktoje” pyeti Bashkinë Elbasan në lidhje me projektet e zbatura për shtimin e hapësitrave të gjelbërta në qytet.
“Bashkia Elbasan për vitin 2020 ka shpenzuar 9 milionë Lekë për reabilitimin e hapësirave të gjelbra dhe do të investojë edhe 7 milionë në 6 – mujorin e dytë të vitit 2020. Bashkia Elbasan ka ndërmarrë një sërë masash për shtimin e hapësirave të gjelbra dhe shtimin e pemëve në të gjithë teritorin e Bashkisë Elbasan të cilat kanë konsistuar në krijim të shesheve të reja dhe me mbjellje të mbi 700 pemëve gjatë fillim-vitit 2020” – thuhet në përgjigjen e Bashkisë Elbasan.
Në fillim të tetorit “Faktoje” ishte në zonën përreth ish-Metalurgjikut.
“Këto pemët janë disavjeçare, shumica i kanë mbjellë banorët e zonës se po na vdesin të gjallë. Zona është mbi 150 hektarë e këtu duhen miliona pemë. Unë të them të drejtën nuk kam parë pemë të reja. Ato që kanë qenë janë” – i tha “Faktojes” 55-vjeçari Bardhyl Idrizi nga Bradasheshi, zonë ku shtrihet ish-Metalurgjiku.
Ndotja dhe dështimi i bashkisë për monitorimin e saj!
Në vitin 2016, nëpërmjet programit të Rilindjes Urbane, Bashkia Elbasan me financim nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve, hapi procedurën e prokurimit për ndërtimin e një sistemi informatik për monitorimin e cilësisë së ajrit.
Sipas të dhënave, tenderi “Projekti i monitorimit të ambientit në qytetin e Elbasanit” me vlerë 24.2 milionë lekë u fitua nga bashkimi i operatorëve “Soft and Solution” dhe “Fastech”.
Kontrata parashikonte prokurimin e infrastrukturës së nevojshme për mbështetjen e sistemit të monitorimit të cilësisë së ajrit dhe pajisjet e përdoruesve të bashkisë, mirëmbajtjen e sistemit të krijuar, si dhe rritjen e kapaciteteve njerëzore të bashkisë përmes trajnimit dhe përgatitjes së stafit të dedikuar për përdorimin e këtij sistemi.
Realizimi i kësaj kontrate dhe mirëmbajtjes së saj, do të monitorohej nga një komision i posaçëm i ngritur nga autoriteti kontraktor. Sipas kontratës, sistemi do të mirëmbahej nga kompanitë fituese për një periudhë 4-vjeçare pas ngritjes së tij dhe të dhnat do publikoheshin në sesksionin “Parametrat Ambientalë” në faqen zyrtare të Bashkisë Elbasan.
Mirëpo, ndonëse seksioni duhet të paraqiste të dhëna mbi nivelin e ndotjes në ajër, ai nuk është funksional.
Referuar të dhënave të buxhetit afatmesëm të Bashkisë Elbasan (2019-2021), për “Reduktimin e ndotjes” janë programuar të investohen 4,994,000 lekë për vitin 2020, shifër e njëjtë kjo me vitin 2019.
Po ashtu, për “Mbrojtjen e mjedisit”, Bashkia Elbasan ka programuar të investojë 1,500,000 lekë për vitin 2020, shifër e njëjtë edhe me vitin paraardhës.
Siç edhe vërehet nga programi për shpenzimet e Bashkisë Elbasan, investimet në fushën e mjedisit vijojnë të mbeten në nivele të njëjta duke vështirësuar përballjen me ndotjen e qytetit.
Nga verifikimi në terren dhe informacioni që grumbulluam, premtimet e kryebashkiakut të Elbasanit për monitorimin e ndotjes së ajrit dhe shtimin e hapësirave të gjelbra do i kategorizojmë si “Të Pambajtura”.