.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaPremtimet e Pambajtura: Jeta e vështirë e Komuniteteve Rom dhe Egjiptian në Durrës

Premtimet e Pambajtura: Jeta e vështirë e Komuniteteve Rom dhe Egjiptian në Durrës

Komunitetet rome dhe egjiptiane prej rreth 450 familjesh, në Durrës bashkëjetojnë me varfërinë ekstreme, mungesën e strehimit dhe pamundësinë e arsimimit dhe punësimit. Një verifikim për Faktoje, tregon se zotimet e bashkisë të shpallura në vitin 2017 janë larg përmbushjes, ndërsa tërmeti i 2019-s vetëm sa e përkeqsoi situatën e komunitetit në lidhje me strehimin. Monitorimi në terren tregon se “punësimi“ kryesor i komunitetit mbetet lypja dhe shfrytëzimi. 

Ervina Garo

“E kaloj natën jashtë. Jetoj në rrugë i vetëm, se prindërit i kam në Gjermani. Jam i detyruar të fle jashtë. Dëshiroj të strehohem në një qendër dhe të shkoj në shkollë!” –  rrëfente Flori, një 15 vjeçar nga komuniteti rom në Durrës në tetor 2022 gjatë një kronike televizive.

Dy vjet më pas, djalin e takojmë sërish në rrugët e qytetit të Durrësit, duke lypur.

“Më mbajtën dy ditë në një qendër dhe pastaj ja ku jam. Nuk më ka takuar më askush. Fle në pallatet e dëmtuara nga tërmeti ose në godinat e braktisura. Nuk dua më të shkoj në shkollë.” – thotë Flori, të cilin pak metra më tej e pret një djalë më i madh se ai në moshë.

17 vjeçari duke lypur, Durrës qershor 2024

Ku është bashkia Durrës me planin zhvillimor?

Një plan i plotē zhvillimi për komunitetin rom dhe egjiptian u hartua dhe publikua nga bashkia e Durrësit në vitin 2017.

Objektiva që preknin çdo fushë, duke nisur nga arsimimi, punësimi, strehimi, apo ndihma dhe mbështetja për këto kategori.

I pyetur nga “Faktoje” mbi përmbushjen e planit të zhvillimit, autoriteti vendor thotë se ka ndjekur dhe zbatuar këtë plan, por situata në terren tregon të kundërtën.

E pyetur se si po operohet me fëmijët në situatë rruge, bashkia e Durrësit refuzoi të përgjigjej duke anashkaluar edhe dhënien e informacionit për veprimin e task forcës për këtë targetgrup, edhe pse përcaktohej si përparësi që nga viti 2018.

Pjesë nga plani zhvillimor për komunitetin rom-egjiptian

Përgjigjja e Bashkisë Durrës

Si tkurren shifrat e arsimimit të fëmijëve rom-egjiptianë

Sipas të dhënave zyrtare, numri i nxënësve nga komuniteti rom-egjiptian tkurret ndjeshëm, kur kalojnë nga arsimi i detyruar në atë të mesëm.

Për vitin mësimor 2022-2023 raportohen 647 nxënës nga komuniteti egjiptian dhe 98 nga ai rom.

Ndërsa, në shkollat e mesme të qytetit raportohen gati 25 herë më pak, 26 egjiptianë dhe 8 romë.

E shprehur në përqindje vetëm 3% e fëmijëve të komunitetit rom dhe egjiptian, të cilët përfundojnë ciklin 9-vjeçar vijojnë studimet në ciklin e mesëm.

Kushtet e vështira të jetesës, ku përfshihet edhe mungesa e një strehimi të sigurtë bëjnë që këta fëmijë të mos arsimohen në të gjitha nivelet.

Elma është një vajzë e vogël, që së bashku me të afërmit e siguron jetesën duke lypur. Ajo thotë se nuk ka qenë asnjëherë në kopsht apo në shkollë.

 “Dalim çdo ditë këtu, po shkojmë dhe nga plazhi. Flemë jashtë se nuk kemi shtëpi.” tregon e mitura, duke buzëqeshur.

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje bashkia e Durrësit mjaftohet duke thënë se për strehimin është punuar, duke e adresuar problematikën te Zyra Vendore Arsimore, por nuk jepet informacion çfarë është bërë me përparësitë që shpalli në 2017-2018.

“Punësimi“ kryesor i komunitetit lypja dhe shfrtytëzimi

Sezoni veror ka rritur ndjeshëm numrin e turistëve në Durrës e bashkë me ta edhe numrin e familjeve apo individëve nga komuniteti rom dhe egjiptian, që lypin.

Të ardhur nga qytete të tjera apo banorë të Durrësit, në mënyrë të veçantë janë fëmijë të pashoqëruar nga prindërit, që i gjen në rrugë dhe në çdo mjedis ku ka grupime turistësh.  

Vetë insitucionet nuk kanë shifra të sakta për këtë komunitet, edhe për shkak të mënyrës së jetesës dhe zhvendosjes së shpeshtë të tyre nga një qytet në tjetrin, për të nxjerrë përfitime nga lypja.

Në 30 qershor 2023, Policia e Durrësit procedoi penalisht 11 shtetas të dyshuar se shfrytëzonin për të lypur të mitur të afërm të tyre të moshave nga 2 deri 13 vjeç. Të gjithë të proceduarit i përkisnin komunitetit rom dhe egjiptian.

Prania e një task force në terren me gjasë do të kishte minimizuar problematikën, mirëpo një strukturë e tillë figuron vetëm në letra.  

Ndërkohë Drejtoria Rajonale e Punësimit Durrës pranon se nuk ka aktualisht marrëveshje të lidhura me përfaqësues të këtij komuniteti për punësimin apo kualifikimin e tyre.

Sipas kësaj drejtorie, në 2023 janë punësuar 142 persona, ndërkohë që vetëm gjatë periudhës janar-prill janë punësuar 68 persona.

Strehimi i komunitetit, sfida më e madhe

Fation Jashari është kryefamiljar dhe së bashku me të ëmën, gruan dhe fëmijët jeton në  kushte ekstreme varfërie në një godine pothuajse të rrënuar, që ka shërbyer si njësi administrative vite më parë. Gjendja e vështirë ekonomike e detyron të mbledhë mbeturina dhe në rastin më fatlum, ushqime të skaduara që i gjen të hedhura.

“Kam shkuar të takoj kryetaren, po nuk më pret. Nga lagështira fëmijët e mi

përfundojnë shpesh në spital dhe nuk kam lekë as për ilaçe. As në kopsht dhe shkollë nuk i dërgoj dot. Për t’i ushqyer them sa mirë kur gjej ushqime të skaduara!”- thotë Fationi.

Strehimi mbetet thembra e Akilit për komunitetin rom dhe egjiptian, edhe si pasojë e të ardhurave të pamjaftueshme. 

Sipas bashkisë Durrës në mungesë të banesave sociale është bërë i mundur subvencionimi i qirasë për këto familje.

“Më vendim të këshillit bashkiak të 6 marsit 2024 do të subvenciohen 50 familje“, thuhet në përgjigjen zyrtare për Faktoje.

Vonesa e bonusit të qirasë, është një problem që e vuajnë të paktën 2500 familje në Durrës të prekura nga tërmeti i nëntorit 2019, siç ka verifikuar më herët Faktoje.

Në 20 shkurt të këtij viti dhjetëra familje të këtij komuniteti protestuan për mosmarrjen në kohë të bonusit të strehimit, ku nuk munguan edhe përplasjet fizike.

“Na premtuan se do na jepnin gjashtë muaj, por na kaluan vetëm tre. Jemi në pritje dhe për tre muaj nga viti i kaluar.” – thotë Ismail Jakupi.

Durrës, anëtarë të komunitetit rom duke pritur para bashkisë

Edhe për këtë çështje, Bashkia Durrës nuk jep një përgjigje shteruese, nëse familjet e këtij komuniteti e kanë përfituar në kohë bonusin e strehimit:

 “Likuidimi kryhet menjëherë pas transferimit të fondeve të dedikuara nga Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Buxhetit.”

Rreth 127 familje të komunitetit rom banojnë në zonën e Nishtullës, që përfaqëson dhe numrin më të lartë të tyre në Durrës, krahas zonave të tjera si: Kullë, Rrashbull Xhafzotaj dhe Fllakë.

Ndërsa, 320 familje të komunitetit egjiptian janë të vendosura në zonat e njohura si: Çezma e Ferrës, Spitalla, ish Fidanishtja, Këneta, por dhe në Nishtulla dhe Kullë, ku jetojnë në kushtet e varfërisë dhe mungesës së kuhteve higjeno-sanitare.

K.Hyseni, drejtor i përgjithshëm ekzekutiv i “Durrës Aktiv” thotë se i është kushtuar vëmendje këtyre komuniteteve duke nisur nga fushatat e bamirësisë deri në zgjidhjen e problematikave.

“Durrësi Aktiv ka filluar adresimin e problematikave të këtyre komuniteteve, që nga koha e pandemisë, për dhënien e ndihmave ushqimore. Më pas është adresuar te institucionet e pushtetit vendor, problematika e ndotjes mjedisore nga kanali në zonën e Nishtullës. Me anën e një peticioni

u vu në lëvizje bashkia e Durrësit dhe u pastrua kanali që ishte shndërruar në një vatër infeksionesh për këto dhe familje dhe jo vetëm.

Në dhjetor të 2023 është realizuar një fushatë bamirësie për këto komunitete. Në të njëjtën kohë është mundësuar edhe vendosja e koshave të mbeturinave në zonën e Nishtullës. Megjithatë,  problematika e mbetjeve nuk ka marrë zgjidhje përfundimtare.”- përfundon Hyseni, i cili pranon se pa angazhimin e përbashkët të aktorëve të çdo niveli, nuk ka zgjidhje.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img