.

.

BallinaPremtimeTë pambajturaPremtimet e kryeministrit Rama për rindërtimin e shkollave, "rezultati" 9 me 1

Premtimet e kryeministrit Rama për rindërtimin e shkollave, “rezultati” 9 me 1

Ka kaluar mbi një vit nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit të vitit 2019, i cili shkaktoi humbje në jetë njerëzish dhe dëme materiale. Në ditët e para pas tërmetit, kryeministri Rama premtoi se nxënësit e shkollave dhe kopshteve të shkatërruara, do ta fillonin vitin e ri mësimor në ndërtesat e reja. Sot kur kanë kaluar gati 2 javë nga përfundimi i këtij afati, situata në terren dëshmon se premtimi nuk është përmbushur për pjesën dërrmuese të shkollave.


Prej muajit gusht deri në muajin tetor, kryeministri Rama ka premtuar se nxënësit e disa shkollave do të fillonin mësimin më 26 nëntor në ndërtesat e reja.

Më 16 gusht, kreu i qeverisë e bëri këtë premtim për nxënësit e shkollës “Arif Sula” në Mamurras.

Më 7 dhjetor, “Faktoje” shkoi në terren për të parë në çfarë pike ishte procesi i rindërtimit në këtë shkollë.

Shkolla “Arif Sula”, 7 dhjetor 2020

Shkolla “Arif Sula” ishte ende larg përfundimit të punimeve, që sipas premtimit te kryeministrit duhej të ishin mbyllur brenda 26 nëntorit të këtij viti.

Më 8 shtator, kryeministri Rama premtoi se në shkollën “Hasan Koçi” në Durrës, mësimi për nxënësit do të fillonte brenda datës 26 nëntor.

Më 7 dhjetor, ne shkuam në Durrës për të parë ecurinë e rindërtimit në shkollën “Hasan Koçi”.

Shkolla “Hasan Koçi, 7 dhjetor 2020

Shkolla 9-vjeçare “Hasan Koçi” e kishte përfunduar procesin e rindërtimit dhe mësimi për nxënësit e kësaj shkolle kishte filluar.

Më 12 shtator, kryeministri Rama u zotua se shkolla “Ahmetaq” në Vorë do të përfundonte rindërtimin brenda datës 26 nëntor, datë në të cilën nxënësit e saj do të uleshin në bankat e ndërtesës së re.

Më 7 dhjetor, ne shkuam në këtë shkollë për të parë nëse premtimi i kryeministrit ishte mbajtur.

Shkolla “Ahmetaq”, 7 dhjetor 2020

Punëtorët që ndodheshin aty na konfirmuan se po i jepnin dorën e fundit punimeve.

Më 13 shtator, kryeministri Rama e përsëriti premtimin, këtë herë për shkollën “Njazi Mastori” në Sukth.

Më 7 dhjetor, “Faktoje” shkoi në Sukth për të parë nëse ishte mbajtur premtimi i kryeministrit.

Shkolla “Njazi Mastori”, 7 dhjetor 2020

Në këtë shkollë procesi i rindërtimit vazhdonte dhe shkolla do ende kohë të hapë dyert për 907 nxënësit.

Më 16 shtator, kreu i qeverisë premtoi se shkolla “Gosë” në Kavajë do të mirëpriste më 26 nëntor nxënësit e saj në godinën e re.

Më 7 dhjetor, ne shkuam në fshatin Gosë për të parë nëse 350 nxënësit e kësaj shkolle kishin filluar mësimin në godinën e re.

Shkolla “Gosë”, 7 dhjetor 2020

Ne biseduam me punëtorët e pranishëm në godinën e shkollës, të cilët na thanë se shkolla thuajse kishte përfunduar dhe priteshin vetëm materialet mësimore.

Më 18 shtator, kryeministri Rama e përsëriti premtimin e tij, këtë herë për shkollën “Dan Bajrami” në Gjorm, Kurbin.

Më 7 dhjetor, “Faktoje” shkoi në terren për të parë nëse afati ishte respektuar për rindërtimin e kësaj shkolle.

Shkolla “Dan Bajrami”, 7 dhjetor 2020

Punëtorët e pranishëm në ambientet e shkollës na bënë me dije se godina nuk kishte përfunduar ende procesin e rindërtimit.

Më 26 shtator, kryeministri premtoi rindërtimin e kopshtit “Muçaj” të përfunduar brenda 26 nëntorit.

Më 7 dhjetor, ne shkuam në Vorë për të parë nëse ky kopsht kishte hapur dyert për 200 fëmijët.

Kopshti “Muçaj”, 7 dhjetor 2020

Kopshti ishte ende në kushtet e një kantieri ndërtimi, por godina dukej pranë formës përfundimtare.

Më 27 shator, kryeministri Rama iu premtoi nxënësve të shkollës “Hajdar Hoxha” se më 26 nëntor do uleshin në bankat e ndërtesës së re.

Më 7 dhjetor, ne shkuam në Fushë-Krujë për të parë nëse shkolla 9-vjeçare “Hajdar Hoxha” kishte rilindur me kushte europiane.

Shkolla “Hajdar Hoxha”, 7 dhjetor 2020

Mësimi jo vetëm që nuk kishte filluar, por edhe procesi i rilindjes ishte ende në fazat e para.

Më 1 tetor, kryeministri Rama u zotua për një tjetër shkollë, “Kajo Karafili” në Maminas.

Shkolla ende kishte pamjen e një kantieri ndërtimi, duke dëshmuar qartë edhe një herë shkeljen e afateve të premtuara.

Shkolla “Kajo Karafili”, 7 dhjetor 2020

Më 11 tetor, kreu i qeverisë premtoi se shkolla “Ramazan Subashi” do të priste nxënësit e saj në ndërtesën e re, saktësisht një vit pas tërmetit.

“Faktoje” shkoi më 7 dhjetor në Vorë për të parë nëse kishte filluar mësimi në këtë shkollë.

Shkolla “Ramazan Subashi”, 7 dhjetor 2020

Procesi i rindërtimit dukej i përfunduar, por fëmijët ende nuk kishin filluar të frekuentonin mjediset e kësaj shkolle.

Nga 10 institucione arsimore që vëzhguam në terren, ku përfshihen 9 shkolla dhe 1 kopësht, vetëm për njërin prej tyre ishte përmbushur premtimi i kryeministrit Rama, për nisjen e procesit mësimit në godinën e re më 26 nëntor.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img