Pretendimi: Intelektuali amerikan Noam Chomsky ka vdekur
Verdikti: E pavërtetë
Një numër portalesh shqipfolës kanë raportuar më 18 qershor lajmin e vdekjes së shkollarit amerikan Noam Chomsky.
“Babai i linguistikës moderne’, shuhet Noam Chomsky”- kumtojnë portalet.
Fatmirësisht, ky lajm është i pavërtetë.
Pasi lajmet për vdekjen e tij nisën të qarkullonin në media, gruaja e Chomsky, Valeria Wasserman Chomsky, është detyruar të përgënjeshtrojë publikisht këto pretendime. “Është një gënjeshtër,” tha ajo, referuar lajmit të vdekjes së Chomsky. “Ai është mirë.”
Gjuhëtari dhe aktivisti 95-vjeçar ishte shtruar në spital në Brazil, ku çifti jeton që prej 2015, për t’u rikuperuar nga një ishemi që e goditi para një viti. Në 18 qershor, ai u largua nga spitali për të vijuar trajtimin në shtëpi.
“E turpshme dhe e trishtueshme që Valeria Chomsky duhet të mohonte lajmet për vdekjen e Noam Chomsky përmes telefonit këtu në Brazil, sepse një mori mediash vendosën të botojnë lajmërime vdekjesh të parashkruara sapo dolën thashethemet e para në internet,” tha akademikja braziliane Sabrina Fernandes. “Meqenëse asnjë media që raportoi vdekjen nuk vendosi të postonte një korigjim, situata vetëm u përkeqësua,” shtoi ajo, duke dënuar “industrinë e skupeve dhe vëmendjes në internet… që presin… si shkaba.”
Spitali “Beneficencia Portuguesa” në Sao Paulo konfirmoi gjithashtu në një deklaratë se Chomsky kishte lënë spitalin në 18 qershor për të vazhduar trajtimin e tij në shtëpi.
Familja Chomsky ka jetuar në Brazil që nga viti 2015. Avram Noam Chomsky është një profesor amerikan dhe intelektual publik i njohur për punën e tij në gjuhësi, aktivizëm politik dhe kritikë sociale. I quajtur “babai i gjuhësisë moderne”, Chomsky është gjithashtu një figurë kryesore në filozofinë analitike dhe një nga themeluesit e fushës së shkencave njohëse. Ndër autorët e gjallë më të cituar, Chomsky ka shkruar më shumë se 150 libra mbi tema të tilla si gjuhësia, lufta dhe politika. Përveç punës së tij në gjuhësi, që nga vitet 1960 Chomsky ka qenë një zë me ndikim në të majtën amerikane si një kritik i vazhdueshëm i politikës së jashtme të SHBA-së, kapitalizmit bashkëkohor dhe ndikimit të korporatave në institucionet politike dhe mediat. Noam Chomsky, i njohur për kritikat e tij ndaj politikës së jashtme të SHBA-së, dha mësim për dekada në Institutin e Teknologjisë në Massachusetts.
Shënim: Data 3 tetor 2024 website zoom.al e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.