Pretendimi: Ish-kryeministri Fatos Nano vdiq më 20 tetor 2025
Verdikti: E pavërtetë
——————————————–
Më 20 tetor 2025, mediat shqipfolëse njoftuan se ish-kryeministri shqiptar Fatos Nano ishte shtruar në spital në gjendje të rëndë prej disa ditësh.
Megjithatë, disa portale, më 20 tetor, raportuan në mënyrë të nxituar se Nano kishte ndërruar jetë.

Ky lajm është i pavërtetë.
Nuk ka ende ndonjë njoftim zyrtar nga familja e Nanos për humbje jete.
Në mbrëmjen e 20 tetorit, gazetarja e Top Story Anisa Braho raportoi se, sipas mjekëve të spitalit privat ku ai po mjekohet, gjendja e Nanos mbetet kritike. Sipas mjekëve, “problem konsiderohet rizgjimi i trurit si organi me vulnerabël, si pasojë e hypoksisë së zgjatur në kohën e arrestit kardiorespirator.”
Më 21 tetor, Top Channel raportoi se “situata neurologjike e ish-liderit socialist mbetet njësoj pa ndryshime.”
Ndëkaq, sipas Shqiptarja, Nano “dje pësoi dhe një arrest kardiak. Sipas burimeve nga spitali gjendja është përkeqësuar dhe ai nuk është më koshient.”
Çfarë është e sigurt është se, fatmirësisht, Nano nuk ka ndërruar jetë më 20 tetor 2025.
Ndërsa familjarët dhe të afërmit e Nanos po përjetojnë momente tejet të vështira, shpërndarja e parakohshme e lajmeve të tilla e rëndon edhe më shumë situatën dhe dhimbjen e tyre.
Shënim: Data 21 tetor 2025 faqja First Hello World e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.