.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookPortalet “bëjnë për spital” Rudina Xhungën

Portalet “bëjnë për spital” Rudina Xhungën

Një incident që i ka ndodhur gazetares Rudina Xhunga është kapur në ajër nga portalet për t’u transformuar në tituj të ekzagjeruar deri në pavërtetësi me qëllimin e mbledhjes së klikimeve. 

—–

Një postim në Instagram i gazetares Rudina Xhunga e ka bërë atë subjektin e lajmeve të rreme në portalet online. Titulli sensacionalist që ngre alarmin: “Rudina Xhunga përplaset nga Benzi në Tiranë, shtrohet me urgjencë në spital” është publikuar më 21 tetor në të njëjtin format të kopjuar në portalin TvAlbania, alfapress.al, lexo.al dhe tetovasot.com 

Nëse lexuesi kurioz, apo një i njohur i shqetësuar, e ha ‘karremin’ e titullit abuzues, dhe klikon artikullin për të lexuar më shumë, do të zbulojë se vetë brendia e artikullit e përgënjeshtron titullin.

Artikulli citon një postim në Instagram të zonjës Xhunga, ku ajo tregon se ishte penguar padashje dhe ishte rrëzuar përpara një makine tip Benz. Në asnjë pjesë të postimit ajo nuk thotë se ka shkuar në spital me apo pa urgjencë.

Ky titull abuzues i portaleve jo vetëm që keqpërdor postimin e zonjës Xhunga, mesazhi i të cilit duket se përmblidhet në fjalinë e saj: “Tirana është plot njerëz të mirë dhe jeta është shumë e çmuar të të ikë, sa hap e mbyll sytë. Nuk duhet lënë në mëshirë të benzave.” Ai gjithashtu krijon ankth të panevojshëm tek të njohurit e këtyre figurave publike që kanë fatin e keq të bëhen subjekt i këtyre ‘lajmeve’.

E kontaktuar nga “Faktoje” në lidhje me këtë çështje, zonja Xhunga tha se postimi i saj në Instagram është “marrë nga mediat, duke vënë secila titullin që do dhe asnjë prej portaleve nuk e kishte kontaktuar për të konfirmuar lajmin”. Ajo konfirmoi se nuk kishte shkuar në spital pas këtij aksidenti të vogël, dhe nuk ishte në dijeni se disa media kishin shkruar këtë.

Ajo shtoi se qëllimi i postimit të saj ishte të tregonte që ka njerëz të mirë dhe që t’u jepte zë këmbësorëve në rrugët e Tiranës, për të cilët pakkush flet.

Lajme të tilla, me tituj ‘bombastikë’ bëhen me qëllim që të tërheqin klikime, ndonëse në këtë mënyrë manipulojnë audiencën. A është moralisht e justifikueshme të përdoret shqetësimi dhe ankthi që krijohet tek publiku prej këtyre lajmeve, për të marrë sa më shumë klikime?

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img