Pretendimi: Pedofilët po festojnë pasi Gjermania dekriminalizoi mbajtjen e materialeve pornografike të të miturve
Verdikti: Mungon konteksti
Lajmi se Gjermania ka dekriminalizuar ditët e fundit mbajtjen e pornografisë së të miturve ka ngjallur reagime të shumta në publik. Si provë e këtij vendimi të debatueshëm po qarkullon imazhi i një artikulli të titulluar: “Aktivistët pro-pedofilëve festojnë ndërsa Gjermania dekriminalizon posedimin e materialeve pornografike të fëmijëve”. Postimet vënë në dukje degradimin e shoqërive evropiane apo zbatimin e agjendave të grupimeve të caktuara, të shoqëruara shpesh me pikëpyetjen: Ku po shkon Gjermania?
Të njëjtën foto, ka ndarë në 22 maj në profilin e tij në Facebook edhe kleriku Ahmed Kalaja, të shoqëruar me tekstin: “O Ju Njerëz! Pa dallim! Reagoni sepse deri këtu do të shkojnë kërkesat e tyre! Ja argumenti!.”
Postimi i ndarë në Facebook
Teksti në anglisht dhe pak shpjegime që mund të ofrohen për ndjekësit e shumtë të z.Kalaja, kanë ngjallur habi, por edhe shumë indinjatë në komentet që e shoqërojnë postimin.
Por a ka dekriminalizuar në fakt Gjermania posedimin e pornografisë së të miturve?
Në 15 maj, Parlamenti gjerman ka arritur shumicën e nevojshme të votave për të amenduar një seksion të Kodit Penal Gjerman, duke reduktuar dënimet me burg për “përhapjen, blerjen dhe posedimin e përmbajtjes pornografike për fëmijë”, të parashikuar në nenin 184/b të Kodit Penal.
Qeveria gjermane prezantoi një projekt-ligj sipas të cilit “posedimi dhe përvetësimi i përmbajtjes pornografike për fëmijë duhet të dënohet në të ardhmen me një dënim minimal prej tre muajsh burgim dhe shpërndarja me një dënim minimal prej gjashtë muajsh burgim”.
Zyrtarët federalë që mbështetën projektligjin besojnë se këto lehtësime mbrojnë prindërit dhe mësuesit që shkarkojnë materialin për të informuar policinë, por edhe shkelësit kryesorë të këtij neni që kryesisht ishin të rinj në moshë, të nxitur nga kurioziteti.
“Raste të tilla kanë ndodhur veçanërisht shpesh midis prindërve dhe mësuesve të fëmijëve më të rritur ose të rinjve që gjejnë pornografi me fëmijë në pajisjet e tyre dhe ia kaluan atë prindërve të tjerë, mësuesve ose drejtuesve të shkollës për t’i informuar ata për problemin,” thuhet në projektligj.
Megjithatë, opozita në parlament nënvizoi se nevojitej të bëheshin disa përjashtime nga Kodi Penal për të akomoduar këtë shqetësim dhe jo të ndërhyhej në të gjithë veprën penale.
Pika që ka shkaktuar debat në këtë lëvizje të qeverisë gjermane është dekriminalizimi i veprës së parashikuar në nenin 184/b në Kodin Penal.
Posedimi i materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve u klasifikua për herë të parë si krim në Gjermani në vitin 2021, pasi ministrja Federale e Drejtësisë Christine Lambrecht e Partisë Social Demokrate (SPD) propozoi një dënim minimal prej një viti për këtë krim. Lëvizja e klasifikoi aktin si një krim penal, i cili mbeti në fuqi deri në uljen e fundit.
Ulja e dënimit minimal në 3 muaj është interpretuar nga kundërshtarët si një ndryshim në konsiderimin e këtij krimi si kundravajtje dhe jo më si vepër penale.
Duke iu përgjigjur miratimit të projektligjit, kryetari i shoqatës “Ndihma Gjermane për Fëmijët – Përfaqësimi i Përhershëm i Fëmijëve” (Deutsche Kinderhilfe – Die ständige Kindervertretung), Rainer Becker, vuri në dukje se Gjermania mund të shkelë Direktivën 2011/92/EU të Bashkimit Evropian, e cila e klasifikon çdo material pornografik të të miturve si vepër e rëndë penale.
Ndërkohë, vendimi është vlerësuar pozitivisht nga një grup aktivist famëkeq gjerman pro-pedofilë, i njohur si Krumme-13, ose thjesht K13, i cili e përshkruan veten si një organizatë “vetëndihme” për “pedoseksualët”.
Në një postim në blog të shkruar nga themeluesi i tij në 17 maj, K13 ankohet se “asnjë politikan në të gjitha fraksionet nuk u kërkoi falje mijëra e mijëra personave të prekur që ranë viktima” të ligjit të vitit 2021, i cili e kishte bërë krim posedimin e materialeve të abuzimit seksual të fëmijëve”. Ky publikim ka shërbyer si zanafillë e artikullit që ka shkaktuar indinjatë në rrjet.
Deklarata e grupimit në mbrojtje të të akuzuarve për pedofili
Megjithatë, vetë deklarata e këtij grupimi, kujdeset që të hyrje të theksojë se posedimi i materialeve pornografike me të mitur vijon të mbetet një krim dhe të gjithë duhet të kenë përsëri kujdes ndaj dënimit të mundshëm nga autoritetet ligjore.
Në përfundim, mund të konsiderohet i vërtetë lehtësimi i masës së dënimit nga parlamenti gjerman, por mbajtja e materialeve pornografike të të miturve vijon të jetë një vepër e dënueshme me burgim në Gjermani.