BallinaPertejPolitika "lë turistët tek dera", numër serioz anulimesh

Politika “lë turistët tek dera”, numër serioz anulimesh

MERXHAN DACI

Prej muajsh Shqipëria është nën trysninë e konfliktit dhe paqëndrueshmërisë politike. Ndërsa ka filluar numërimi mbrapsht deri në ditën e zgjedhjeve, janë shtuar aktet e dhunës, përfshirë edhe protestat me molotov. Një shkolle iu vu zjarri dhe materiale zgjedhore u flakën rrugëve, ndërsa në televizione gëlojnë debatet shpesh të shoqëruar me gjuhë urrejtjeje, me tituj si “Ku po shkon Shqipëria”, “Vendi drejt konfliktit civil” e të tjerë si këto.

Ky “publicitet” ekstrem i gjendjes që po kalon vendi, vështirë të mos ketë ndikim tek një turist para se të vendosë të vizitojë Shqipërinë.

“Faktoje” vendosi të verifikojë nëse është ulur numri i turistëve që prenotojnë pushimet, dhe për këtë pyeti disa struktura akomoduese dhe agjenci turistike në Shqipëri. Disa prej operatorëve konfirmuan se konstatojnë një lloj stepje nga ana e të huajve teksa emri i Shqipërisë po lakohet në mediat ndërkombëtare për akte dhune dhe gjendje pasigurie.

————————————————————————————————

Brunilda Liçaj, eksperte e turizmit dhe lektore në Universitetin “Aleksandër Moisiu” në Durrës thotë për “Faktoje” se konflikti politik po jep pasoja në këtë fushë.

Mendoj se situata politike ka ndikuar në lëvizjen turistike gjatë këtij viti. Dy muajt e parë u vu re një ulje e numrit të vizitorëve në krahasim me vitin e kaluar. Shifrat treguan rritje në muajin mars. Duhet të jemi të kujdesshëm për imazhin për vitet në vijim teksa po punohet për kontratat për vitin e ardhshëm”, tha Liçaj.

Ekspertja bën paralelizëm me rastin e Egjiptit, turizmi i të cilit mori goditje nga situata që prodhoi “Pranvera Arabe” për të ilustruar dëmin që mund të sjellë paqëndrueshmëria politike në ekonomi.

Janë konstatuar anulime rezervimesh, sipas Liçajt, por ajo pranon se ka tregje si ai italian i cili po e ndihmon turizmin shqiptar.

Nga kontaktet që kam me biznese turistike ka anullime grupesh (20-30 persona). Megjithatë nga ana tjetër e Adriatikut, kolegët e mi  e kanë futur Shqipërinë në top listë bashkë me Algjerinë dhe Egjiptin ku trendi i udhëtimeve të italianëve është në rritje”, tha ajo duke shtuar se operimi i linjave të reja ajrore do të ndikojë pozitivisht.

Samet Aliu, menaxher i përgjithshëm i Bougainville Resort në Sarandë është i shqetësuar për shkak të anulimit të disa rezervimeve nga turistët javët e fundit.

Konflikti politik ka ndikuar te bashkëpuntorët tanë vendas, por edhe te agjencitë e huaja. Pavarësisht se ne mundohemi t’i qetësojmë duke u thënë se konflikti politik është shumë larg nga Saranda, ka një lloj frike”, thotë Aliu teksa shton se Saranda këtë vit është dobët kundrejt pritshmërive të larta që ai kishte.

Arben Çipa, president i “Çipa Tours”, agjenci turistike që operon në Sarandë dhe Durrës konfirmon gjithashtu se ka pasur anulim të prenotimeve nga turistët e huaj.

Shkalla e anulimeve është 15%. Ka pasur një rënie nga tregu polak i cili përfshin rreth 60% të fluksit të të huajve në Shqipëri, ndërsa tregjet skandinave dhe italiane janë më të qëndrueshme”, thotë ai.

Mediat e huaja ndonjëherë e ekzagjerojnë, por situata gjithsesi ndikon. Tregjet tuniziane, algjeriane dhe egjiptiane po rikthehen fuqishëm me turizmin dhe janë gati të joshin turistët europianë”, thotë Çipa.

Cënimin e imazhit të Shqipërisë në këto momente e pranon edhe Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi i cili e gjen fajin tek keqinformimi.

Turizmi është një nga sektorët delikat, i ndjeshëm ndaj çdo informacioni që keqinformon, sikundër është një nga ekonomitë që ka nevojën e të gjithë zërave publikë, për të konsoliduar imazhin turistik të vendit”.

Sa ndikon turizmi në ekonominë shqiptare

Industria e turizmit zë një vend të rëndësishëm në ekonominë shqiptare si  një ndër burimet kryesore për zhvillimin e ekonomisë.

Vitin e shkuar sipas INSTAT në Shqipëri hynë 5,9 milionë të huaj që autoritetet shtetërore i quajnë vizitorë. Përtej debatit nëse numri nuk tregon realitetin mbi turistët, ai rezulton të jetë rritur.

Rreth 15-mijë persona punuan vitin e shkuar në sektorin e turizmit, numër edhe ky në rritje në krahasim me vitin paraardhës.

Sipas Këshillit Botëror të Turizmit dhe Udhëtimit, turizmi në Shqipëri ka një kontribut prej 27,3% të Produktit të Përgjithshëm Bruto.

Vitin e kaluar ishin në funksion 1.326 struktura akomoduese (hotele, motele, kampe, bujtina, streha malore dhe struktura të tjera për qëndrime afatshkurtra), me kapacitet rreth 38 mijë shtretër.

Edhe të dhënat e vitit 2019 flasin për një rritje të të huajve që vijnë me pushime në Shqipëri, por precipitimi i situatës, sipas operatorëve turistikë mund të trembë turistët dhe t’i detyrojë ata të bëjnë anulime në minutën e fundit.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img