Plasaritjet e duarve nuk janë shenjë fillestare e tumorit në trupin e njeriut

865

Një artikull i botuar në portale, që pretendon se simptomat e para të kancerit shfaqen tek duart, nuk është i bazuar në studime shkencore. Institucionet shëndetësore listojnë një sërë simptomash dhe shenjash të hershme të kancerit, por asnjë nga to nuk lidhet me ato të përshkruara në artikull.

—————————————————

Një artikull i botuar fillimisht nga Telegrafi, e më pas në portale të tjera, mban titullin: “Simptomat e para të kancerit: Ku shfaqen dhe çka duhet të dini!”

Njohja e publikut me shenjat fillestare të kësaj sëmundjeje vdekjeprurëse është një qëllim i admirueshëm. Por, në brendi të artikullit, lexuesi has, çuditërisht, vetëm disa ‘simptoma’ që lidhen me duart, specifikisht: “plasaritjet e thata në shuplaka, duart e enjtura, dhe dhembja e duarve.”

Megjithëse nëse kërkon simptomat e tua në internet, gjasat që do ‘diagnostikohesh’ me tumore janë aq të larta sa ky fenomen është shëndrruar në një batutë, faqet zyrtare të organizatave kryesore të luftës kundër kancerit në ShBA dhe Mbretërinë e Bashkuar nuk i përfshijnë simptomat e mësipërme në listat e tyre të treguesve të kancerit. Këto simptoma nuk shfaqen as në doracakun e botuar nga OBSh për kontrollin e kancerit.

Simptomat dhe shenjat fillestare të tumorit varen nga vendndodhja në trup, sa i madh është, dhe sa ndikon tek organet apo indet pranë tij. Doracaku i OBSh, për shembull, i ndan simptomat fillestare për t’u vënë re sipas llojit të kancerit. 

Shenjat e hershme sipas llojit të kancerit, OBSh

Sipas fondacionit Cancer Research UK, shenja më të përgjithshme të kancerit përfshijnë lodhje, djersitje të rëndë gjatë natës, gjakderdhje apo të nxira të pashpjegueshme, dhimbje te pashpjegueshme, humbje peshe e pashpjegueshme, dhe enjtje apo gunga të pazakonta. Sipas organizatës American Cancer Society, simptomat e hershme përfshijnë gjithashtu probleme me të ngrënën, ndryshime në lëkurë (p.sh. një gungë që rrjedh gjak, një nishan i ri ose një ndryshim në nishane ekzistues, një plagë që nuk shërohet), kollë ose ngjirje e vazhdueshme, ndryshime në jashtëqitje dhe urinim, dhimbje koke, dhe probleme të shikimit dhe dëgjimit.

Gjithsesi, është e mundur që kanceri të zbulohet përpara se të shfaqen simptomat. Për këtë arsye, organizatat e shëndetit rekomandojnë kontrolle të rregullta për kancer tek një sërë grupesh demografike.

Shënim:

Data 8 qershor 2024 website Telefgrafi dhe faqja e tyre ne Facebook (Këtu dhe këtu) e ke ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.