Plani për menaxhimin e zonës historike të Durrësit u shpall me bujë nga qeveria si një projekt vizionar, por për të disatin vit rresht mbetet pezull dhe në mungesë të tranpsarencës. Për ironi, edhe banesa e arkeologut të njohur Fatos Tartari, pranë zonës së amfiteatrit që sipas familjarëve të tij mbart vlera kulturore, është planifikuar të shembet. Dhjetëra familje të tjera ankohen se po përballen me një proces arbitrar lidhur me trajtimin dhe vlerësimin e pronave të tyre.
Erjola Azizolli
Qetësinë që ra në banesën ku gëlonin bisedat për arkeologjinë përballë amfiteatrit romak në Durrës, e prishi lajmi që solli punonjësi i Bashkisë Durrës.
Aty banoi deri në ditët e fundit të jetës arkeologu i shquar durrsak, Fatos Tartari.
“Në janar të këtij viti një punonjës i Bashkisë së Durrësit kontakoi me mamin në shtëpi dhe i bëri me dije se banesa jonë është pjesë e shembjes”, thotë e përlotur Megi Tartari, një prej vajzave të arkeologut të ndjerë. Banesa e tyre është një vilë tipike e periudhës së ndikimit të arkitekturës italiane, e vendosur mes ndërtesave të tjera, të gjitha në rrezik shembjeje pasi qeveria prezantoi “Planin e Menaxhimit të Integruar të Zonave Arkeologjike ‘A’ dhe ‘B'”.
Projekti synon transformimin e zonës antike të qytetit të Durrësit, dhe ekspozimin e ndërtesave historike dhe monumenteve, si amfiteatri i periudhës romake.
Por 2 vite pas shpalljes, projekti ka ngritur një tymnajë që po kërcënon të gjitha familjet që jetojnë përreth Amfiteatrit të Durrësit. Ato janë të paqarta nëse shtëpia ku kanë jetuar deri më sot do të shembet për t’i hapur rrugë zbulimit të plotë të amfiteatrit.
Transformim rrënjësor, por jo transparent
Projekti, i pari në këto përmasa në Durrës, financuar nga Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në bashkëpunimin me Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, u miratua nga këshillat shkencorë për trashëgiminë kulturore, me synimin për të krijuar një vizion të ri për menaxhimin e aseteve arkeologjike të Durrësit.
Bashkia Durrës shpjegoi zyrtarisht se projekti parashikon 3 tipologji ndërhyrjesh në ndërtimet ekzistuese:
“…prishje që janë të propozuara nga PDYV e vitit 2019, prishje që vijnë si rrjedhojë e projektit dhe propozimit për implementimin e projektit të Restaurimit dhe Rikualifikimit Urban të Zonës Perspektive Tid, me vendndodhje në Parkun Arkeologjik të Durrësit, dhe objekte që prishen dhe rindërtohen”, sqaroi Bashkia në rrugë zyrtare.
Projekti ësht një bashkim i planeve vendore me ato të trashëgimisë kulturore, duke përfshirë edhe vendosjen e rruspës në shumë objekte, proces që në vetvete ka pasur më shumë qëllim zbatimin direkt se sa informimin e komunitetit.
Plani i Detyruar Vendor në këtë zonë parashikon prishjen e 55% ose 54 objekteve, nga parashikimi fillestar prej 98 banesash. 45% e shembjeve lidhet me projektin “TID”, ku 44 banesa do të prishen dhe do të rindërtohen.
Abdulla Deliallisi, aktivist i shoqërisë civile për mbrojtjen e vlerave të qytetit dhe promovimin e trashëgimisë kulturore tregon:
“Fillimisht më thanë që do të prekej edhe banesa ime që ndodhet në pjesën e tretë të zonës, ndërsa më pas mësova që nuk do të përfshihet”.
Situata e krijuar ka ngritur shumë pikëpyetje edhe për zhvillimin e sipërmarrjeve të reja në zonë. Pak metra larg banesës së Familjes Tartari, një aktivitet i ri shërbimesh ka nisur të hedhë hapat e parë.
Ideja e Ester Ilazajt, u pasua me çeljen e një dyqani suveniresh dhe pak më tutje, një bar që shërben kryesisht për turistët që vizitojnë amfiteatrin antik. Sapo shkeli aty, pyetja e parë që ajo bëri në zonë ishte nëse prona do të prekej apo jo nga projekti.
“Si qytetare e Durrësit, e dija që këtu do të bëhet një projekt, por nuk dija shumë. Pyetëm pronarin e pronës dhe rreth zonës, na u sigurua që nuk do të ketë përfshirje në listat e objekteve që do të prishen”, shpjegoi ajo.
Teksa ka investuar të gjitha kursimet në këtë biznes, banesës së Familjes Tartari aty ngjitur, i ka shkuar pak muaj më parë njoftimi i shembjes si pjesë e planit që synon nxjerrjen në pah të amfiteatrit dhe të mureve rrethuese të qytetit.
“As si banor, as si drejtues i ‘Shoqatës Durrësi Autokton’, të cilën e drejtoj prej vitesh, nuk më ftuan në dëgjesën që u organizua. Sapo mësova për planin, si banor, por dhe si drejtues i një shoqate shkova dhe dhashë mendimet e mia në diskutime”, thotë Abdulla Deliallisi, inxhinieri tashmë në pension, duke kujtuar dëgjesën publike, që sipas bashkisë Durrës është mbajtur në dhjetor 2021.
Dëgjesa që në atë kohë u shoqërua me akuzat e banorëve për mungesë transparence, duket se ka mbetur e para dhe e fundit për një projekt kaq kompleks, që transformon “zemrën historike” të qyetit mbi 3000 vjeçar.
Arkeologu i ndjerë Fatos Tartari, ishte një nga njohësit më të mirë të arkeologjisë së zonës, por as si banor ai nuk u ftua në takime që mblidhnin opinionin e familjeve që jetojnë pranë qendrës së projektit.
“Ai na thoshte gjithmonë që ne nuk jemi pjesë e projektit, që shtëpia jonë nuk prishet, pasi nuk cënon as Amfiteatrin, as Murin e Kalasë”, thotë Megi Tartari duke kujtuar fjalët e të atit arkeolog.
Bashkia Durrës sqaroi se i ka informuar banorët në vijimësi dhe se ky është një proces që vijon të zhvillohet, për të gjitha palët e interesuara.
“Procesi i njoftimit për shpronësimin në zonën që grupi ndërinstitucional po trajton, është kryer nga një prej specialistëve të Bashkisë së Durrësit, i shoqëruar nga përfaqësuesi i njësisë administrative. Njoftimet janë bërë derë më derë për një periudhë prej 2 javësh”, shpjegoi zyrtarisht Bashkia Durrës.
Shpronësimet, një sfidë e trashëguar
Qeveria e sotme erdhi në pushtet me premtimin se Rilindja e Durrësit do të niste me zbulimin e plotë të amfiteatrit të periudhës romake, por procesi mbeti në vendnumëro që prej vitit 2015.
Projekti i qeverisë nisi me hov, por arriti të shpronësonte vetëm 3 familje, ndërsa faza e dytë që parashikonte prishjen e 9 objekteve të tjera brenda vitit 2016 nuk nisi kurrë, me argumentin e mungesës së fondeve për kompensim.
Gjithashtu projekti i fundit i përgatitur me financimin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), përveç pikëpyetjeve për menaxhimin final dhe kostot totale të ndërhyrjeve, ka hasur në një zvarritje të shpronësimeve për 89 objekte që përzgjodhi grupi i punës.
Referuar vendimit të Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin, deri më tani numërohen 10 blloqe përfituesish që janë shpronësuar për banesat e tyre ose 31 përfitues në total. Ata kanë marrë 89.163.005 lekw ose rreth 880 mijë euro, por ky është një numër i vogël përfituesish që janë shpronësuar në këmbim të lirimit të truallit, krahasuar me parashikimin e parë për 89 objekte.
“Brenda asaj shtëpie ka qenë zyra e noterit të parë publik në Durrës, përveç kësaj ka qenë shtëpia e babait tim, Fatos Tartari, që të gjithë e dimë se sa ka kontribuar për Shqipërinë dhe për Durrësin”, rrëfeu Megi Tartari e përlotur, duke ngritur pikëpytje nëse projekti i ruan vlerat historike të zonës.
Bashkia Durrës shpjegoi se situata e krijuar është vetëm një pjesë e panoramës së përgjithshme, sepse projekti do të zgjerohet, me përfshirjen e anës tjetër të zonës historike, që prek kryesisht Bulevardin Epidamn.
“Sjellim në vëmendje që grupi po trajton vetëm një pjesë të zonës së projektit në këto momente (krahun e majtë të bulevardit, nga Torra Veneciane deri te Amfiteatri). Pas përfundimit të kësaj zone do të vazhdohet me krahun e djathtë të bulevardit”, shpjegoi zyrtarisht Bashkia Durrës.
“Unë kam kërkuar nga bashkia dhe nga Ministria e Kulturës që të na vijë një ekspert për të na vlerësuar shtëpinë, deri më tani nuk kemi marrë përgjigje”, shpjegoi Megi Tartari, duke theksuar vlerat historike të banesës.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit nuk iu përgjigj Kërkesës për Informacion për ecurinë e këtij projekti. Ndërsa Bashkia Durrës shpjegoi se shpronësimi është në proces vetëm në një pjesë të vogël të totalit të banesave që do të preken dhe se ka marrë ankesa herë pas here nga qytetarët.
“Pranë Bashkisë Durrës janë drejtuar ankesa nga banorët dhe aktivitetet ekonomike me vendndodhje brenda territorit të projektit, ato janë të drejtuara edhe drejt institucioneve të përfshira në këtë proces”, shpjegoi zyrtarisht ky institucion.
Sipas përgjigjes shumica e banesave janë në bashkëpronësi të më shumë se një familjeje dhe ende nuk është përcaktuar numri i përfundimtar i atyre që do të preken nga projekti, duke lënë ende pezull për të disatin vit radhazi këtë proces, me shumë të panjohura për banorët e një prej lagjeve historike të Durrësit.