Bashkimi Evropian do të shpërndajë 6 miliardë euro fonde për Ballkanin Perëndimor, me qëllim përshpejtimin e integrimit europian të Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës. Mesazhi për qeveritë ishte i qartë – paratë i merrni nëse përmbushni reformat. Në përgjigje të kësaj sfide, kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria do të jetë gati për aplikim në qershor të këtij viti. Por përvoja e deritanishme, dëshmon se dekadën e fundit aftësia e qeverisë për të thithur fondet e huaja (grante apo kredi) lë për të dëshiruar. Ekspertët vendas janë skeptikë për zbatueshmërinë e planit.

Esmeralda Topi 

Tirana u kthye këtë të enjte fundshkurti në qytetin mikpritës të Samitit Rajonal për planin e rritjes dhe konvergjencës, me fokus integrimin e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Europian. 

Plani i BE-së për Ballkanin Perëndimor synon rritjen ekonomike të rajonit, përshpejtimin e reformave dhe kryerjen e investimeve, bazuar në katër shtylla kryesore:

  • Rritja e integrimit ekonomik me Tregun Unik të Bashkimit Evropian. 
  • Rritja e integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor, përmes Tregut të Përbashkët Rajonal.
  • Përshpejtimi i reformave themelore 
  • Rritja e ndihmës financiare 

Për të zbatuar këtë plan, BE-ja ka propozuar një instrument të ri financimi: 6 miliardë euro në tre vitet e ardhshme për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke kombinuar grantet me kreditë e buta. 

“Ambicia jonë si Shqipëri është të jemi gati në qershor për aplikimin tonë.”–  tha kryeministri Edi Rama, në Samit, pa lënë mënjanë sfidat që adreson zbatimi i planit. 

“Ka një sërë kushtesh që duhen përmbushur nëqoftëse duam të marrim për vendet tona fondet shtesë që kanë të bëjnë me planin e ri të rritjes.”– bëri të qartë Rama. 

Edhe Komisioneri i BE për Zgjerimin dhe Fqinjësinë, Oliver Varhelyi pranoi se plani i rritjes është ambicioz. 

“Ne kemi gjysmën e kohës për ta vënë atë në zbatim, ai do duhet të vazhdonte deri në 2027, por mendoj që ne kemi besim të plotë tek të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor që ju do të mund të arrini t’i merrni përfitimet e këtij plani, të mirat që sjell ky plan, i cili ka mundësi që të kontribuojë për të dyfishuar ekonomitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor, në dhjetë vitet e ardhshme.”, u shpreh Varhelyi në Samitin e së enjtes duke shpjeguar: 

“Pra dyfishimin e ekonomive tuaja të Ballkanit Perëndimor, do të thotë që boshllëku i zhvillimit që tashmë është i konsiderueshëm, sepse po flasim për vende që kanë 50 % apo 30 %  të zhvillimit përsa i përket për shembulll mesatares së Bashkimit Europian, krahasuar me të do të thotë që disa vende do të kenë arritur 100 % të këtij zhvillimi dhe ato vende që ndoshta mund të jenë më pas tashmë, do të arrijnë 60 % të këtij zhvillimi në krahasim me mesataren e Bashkimit Europian.”

SI DO TË FUNKSIONOJË PLANI I RRITJES? 

Mbështetja 6 miliardë euro nga Bashkimi Evropian për Ballkanin në periudhën 2024-2027, do të çelet pasi instrumenti të jetë miratuar nga Parlamenti dhe Këshilli Evropian. 

  • 3 miliardë euro (2 miliardë € grante dhe 1 miliard € kredi të buta) do të shkojnë për investime përmes Kornizës së Investimeve të Ballkanit Perëndimor (WBIF). 
  • 3 miliardë eurot e tjera, janë në formën e kredive të buta për qeveritë në Ballkanin Perëndimor, me kusht që ato të përmbushin Agjendat e Reformës.

Për të përfituar nga fondet, secili vend i Ballkanit Perëndimor do të duhet të përgatisë një Agjendë Reformash, në mënyrë të veçantë ato në fushën e rendit dhe të sundimit të ligjit.

Pagesat do të bëhen dy herë në vit, në bazë të kërkesave të paraqitura nga partnerët e Ballkanit Perëndimor dhe pas verifikimit nga Komisioni për arritjen e kushteve dhe parakushteve përkatëse të pagesës, si stabiliteti makrofinanciar, menaxhimi i shëndoshë i financave publike, transparenca dhe mbikqyrja e buxhetit. 

Nëse kushtet e pagesës nuk plotësohen, Komisioni pezullon ose zbret një shumë të caktuar nga fondi. Secili prej 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor, do të ketë 1-2 vjet kohë për të përmbushur kushtet, në të kundërt shuma do të rishpërndahet mes të tjerëve në vitet në vijim.

EKSPERTËT – SUKSESI I PLANIT VARET NGA REFORMAT 

Eduart Gjokutaj nga qendra ALTAX e sheh me shqetësim zbatueshmërinë e planit të rritjes në Shqipëri. 

“Ajo që shikoj si një sfidë shumë e madhe dhe me shqetësim është pikërisht programi që duhet të ketë hartuar qeveria Rama 3 lidhur me përshpejtimin e reformave, të cilat nga monitorimi i vazhdueshëm, janë ende larg asaj që konsiderohet rritje e qëndrueshme ekonomike.”- argumenton Gjokutaj.

Sipas tij, aftësia e qeverisë për të thithur fondet e huaja (grante apo kredi) lë për të dëshiruar. Në një analizë të fundit të kryer nga ALTAX, ku paraqiten të dhënat e ndikimit të financimave të huaja në projektet e buxhetit të shtetit, vihet re rënie ndikuese në vlerë dhe në peshë.

“E gjitha kjo çfarë ka ndodhur në të kaluarën e afërt është e nevojshme të përdoret si një pikë kritike reflektimi të thelluar për të kuptuar se së pari, zhvillimi i qëndrueshëm nuk bëhet dhe nuk mund të jetë vetëm autorësi e qeverisë, pasi është harmonizmi i burimeve dhe ndërthurja e politikave që nëpërmjet gjithpërfshirjes (pra hapja e qeverisjes) mund të përshpejtojnë ritmet e zhvillimit të qëndrueshëm, si dhe së dyti, vullnet i ri politik për të kryer detyrat e papërfunduara për një ekonomi më elastike dhe të formalizuar duke ndikuar edhe në uljen e korrupsionit që e ndjen vetveten të fortë në këtë ambjent që jetojmë.”– përfundon Gjokutaj. 

FINANCIM I HUAJ ME PIKATORE

Referuar shifrave zyrtare të buxhetit të shtetit, gjatë dekadës së fundit, investimet kapitale në Shqipëri rezultojnë në vlerën 993.2 miliardë lekë, apo 8 miliardë euro.  Nga ky total, vetëm 2.2 miliardë euro janë projekte me financim të huaj (grante apo kredi). 

Pra prej më shumë se 10 vitesh, Shqipëria ka arritur të përthithë shumë pak projekte konkrete për qytetarët, në kuadër të zhvillimit dhe rritjes ekonomike. 

“Nëse shikon listën e investimeve publike në vite ka një zvarritje dhe moskapje të afateve të përcaktuara në kontrata. Nga ana tjetër, shikohet se vetë projektet me financim të huaj janë pakësuar në numër dhe nuk kanë më atë peshë ndikuese në investimet jetike infrastrukturore, ku qeveria në këtë dekadë të fundit ka shpresuar shumë që të përfitonte fonde të mjaftueshme për të përfunduar një pjesë të korridoreve rrugore.”, argumenton Eduart Gjokutaj, nga qendra ALTAX. 

Të dhënat zyrtare tregojnë se deri në vitin 2012, pesha e financimit të huaj dominonte atë nga burimet e brendshme. Në 2012, rezulton se 56% e projekteve në buxhet financoheshin nga fonde të huaja dhe 44% nga burime të brendshme. Por pas 2013, trendi është përmbysur duke e humbur shkëlqimin vit pas viti. Në fund të vitit 2023, vetëm 11% e investimeve kapitale rezultojnë me fonde të huaja pasi 89% e tyre janë përballuar nga burimet e brendshme të buxhetit të shtetit.