KLEVIS PALOKA
Në 25 prill 2019 në ambientet e Kryeministrisë u prezantua projekti për rijetëzimin e Piramidës nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Në fjalën e tij, kryebashkiaku Veliaj premtoi se punimet për ta ndryshuar këtë godinë dhe për ta bërë atë funksionale tërësisht do të fillojnë në muajin qershor.
Por sa herë janë prezantuar projekte për rikonstruksionin e kësaj godine dhe sa herë është premtuar për të?
Jo pak herë numri një i bashkisë më të madhe në vend ka dalë në media dhe ka folur për këtë temë.
Kështu, në prill të 2016-ës, kryebashkiaku Veliaj në prezantimet e projekteve e reja për Tiranën, premtoi se do të ishte hera e fundit që do të takoheshin tek Piramida në gjendjen në të cilën ishte.
Më pas, në maj të 2018-ës në ambientet e Piramidës u prezantua për herë të parë projekti për rijetëzimin e saj, një projekt i quajtuar “Tumo Tirana” dhe që do e shndërronte ish-piramidën në një qendër inovative.
Më vonë në një konferencë ndërkombëtare të zhvilluar në tetor të 2018-ës në Tiranë, qytetari i parë i metropolit shqiptar premtoi për të disatën herë se në fund të vitit 2018-të do të fillonin punimet për rikonstruksionin e Piramidës.
Por asnjë ndryshim nuk ndodhi dhe pamjet aktuale tregojnë të kundërtën pasi kjo godinë vazhdon të mbetet në të njëjtën gjendje dhe e tillë do të mbetet edhe për pak kohë derisa të fillojnë punimet në qershor (siç u deklarua dhe u premtua nga kreu i Bashkisë Tiranë). Asnjë punim nuk është kryer në këtë godinë edhe pse Veliaj në prezantimin e tij për herë të dytë të këtij projekti e ndryshoi afatin se kur do fillonin punimet.
Duke qënë se deri tani punimet nuk kanë filluar ende, “Faktoje” e kategorizon deklaratën për rijetëzimin e Piramidës si Premtim të Pambajtur.