Deklarata e përfaqësueses së Pfizer se kompania nuk e dinte nëse vaksina parandalonte transmetimin e Covid-19 kur u aprovua për përdorim është raportuar si një lajm i ri ‘shokues’ dhe ‘skandaloz’. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se ky nuk është lajm i ri. Kompania dhe agjensitë e barnave e kanë ‘pranuar’ këtë që kur vaksina doli në treg.
———–
Në 10 tetor presidentja e Pfizer për tregjet e zhvilluara ndërkombëtare Janine Small, gjatë dëshmisë së saj përpara Parlamentit Evropian, iu përgjigj një pyetje nga nga eurodeputeti hollandez Rob Roos, duke thënë se Pfizer nuk ishte dijeni nëse vaksina e tyre mund të parandalonte transmetimin e Covid-19 apo jo.
Kjo përgjigje u etiketua si “skandal” në media, të cilat e raportuan atë si një lajm shokues i “pranimit” të një gabimi nga Pfizer. Disa tituj, në nxitimin e tyre për të nxjerrë lajmin, ngatërruan ‘parandalimin e transmetimit’ me ‘parandalimin e virusit’.
Eurodeputeti Roos publikoi një video në Twitter ku deklaroi: “Kjo për mua është shokuese, madje kriminale.” Video po qarkullon në internet dhe media sociale, si material kundër vaksinës anti-Covid-19.
“Faktoje” vendosi të verifikojë më tej këtë çështje që ka një ndjeshmëri të lartë për shëndetin publik. Vaksina anti-Covid-19 e Pfizer u autorizua për përdorim emergjent pasi provat klinike treguan se ajo ishte e sigurtë dhe kishte 95% efikasitet në parandalimin e sëmundjes me Covid-19. Këto prova klinike nuk vlerësuan nëse vaksina mund të ulte transmetimin e virusit. Ky nuk është lajm i ri.
Kur autorizuan përdorimin e vaksinës Pfizer/BioNTech në muajt kur pandemia ishte ende në kulmin e saj, si Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA), si dhe Agjensia Evropiane e Barnave (EMA), pohuan se nuk dihej nëse vaksina parandalonte transmetimin e Covid-19.
Në 11 dhjetor 2020, FDA pohonte se “Në këtë kohë, nuk ka të dhëna në dispozicion për të dalë në një përfundim se për sa kohë vaksina do të mbrojë, dhe nuk ka prova se vaksina parandalon transmetimin e SARS-CoV-2 nga personi në person”
Në 19 shkurt 2021, EMA pohonte se “Në të tashmen, nuk dihet nëse vaksina mbron kundër infektimit asimptomatik, as ndikimi i saj në transmetimin viral. Kohëzgjatja e mbrojtes nuk dihet.”
Që në Dhjetor 2020, drejtori i Pfizer Albert Bourla tha se nuk dihej ende nëse njerëzit që janë vaksinuar mund të ishin ende bartës të virusit, dhe nëse mund t’ia transmetonin atë të tjerëve.
Studimet mbi aftësinë e vaksinës Pfizer për të parandaluar transmetimin e virusit SARS-CoV-2 filluan pasi vaksinat ishin aprovuar për përdorim. Kjo nuk është një praktikë e pazakontë. Duhet të qartësohet se efektet indirekte të vaksinave, si parandalimi i transmetimit, zakonisht testohen pasi vaksina është licensuar. Në rastin e vaksinës anti Covid-19, nevoja urgjente për të parandaluar sëmundjen me Covid-19 e theksoi edhe më shumë nevojën për të prioritizuar dobinë parësore të vaksinës që ëshrë parandalimi i sëmundjes simptomatike.
*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin