Pretendimi: Pasi firmosi për Berishën, tashmë është vetë Blinken që shpallet non grata nga presidenti Trump

Verdikti: Mungon konteksti

Vendimi i presidentit Donald Trump në 9 shkurt për të hequr lejet e sigurisë për Antony Blinken, ish-sekretarin amerikan të shtetit, ashtu si për disa zyrtarë të tjerë të lartë, ka ngjallur edhe më shumë interes në Shqipëri. Kjo për faktin se Blinken ishte zyrtari që firmosi shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha në vitin 2021, një vendim që vijon të krijojë pasoja në politikën shqiptare.

Nën argumentin se çfarë i kishte bërë të tjerëve tashmë po i binte mbi kokë, disa prej mediave online shqiptare e kanë publikuar (link, link) këtë lajm nën titullin “Trump shpall “non grata” ish-sekretarin Blinken”.

Pavarësisht se nuk është një lajm i mirë për të ardhmen e z.Blinken, ai nuk është shpallur non grata apo i padëshiruar në territorin e Shteteve të Bashkuara, ashtu siç presupozon statusi non grata.

Ndëshkimi i premtuar nga presidenti Trump është i kufizuar në heqjen e të drejtës për të pasur akses në informacionet e klasifikuara, një praktikë që kufizon marrjen e raporteve ditore nga agjencitë e sigurisë për ish-zyrtarët në mënyrë që ata të ofrojnë këshilla dhe eksperiencën e tyre në përballimin e rreziqeve për administratën e re. E njëjta praktikë kufizimi ishte vendosur nga ish-presidenti Biden ndaj Trump pas sulmit të dhunshëm të mbështetësve të tij ndaj Kongresin në 6 janar 2021. Kufizime të informacionit janë ndërmarrë ditët e fundit edhe ndaj një sërë zyrtarësh të tjerë të administratës Biden.

Përsa i përket përkufizimit non-grata të Blinken, ky interpretim lidhet me një deklaratë të Trump, i cili iu përgjigj gazetarëve të “The New York Post” kur e pyetën nëse Blinken ishte pjesë e kufizimeve: “Djalë i keq. Hiqni të gjitha kalimet e tij.”

Përsa i përket non-grata të ShBA ndaj ish-kryeministrit Berisha, ky urdhër i firmosur nga Blinken në 19 maj 2021, përcakton refuzimin e vizave amerikane, jo vetëm të zyrtarëve, por në bllok të familjarëve të tyre.   

ShBA e përdor këtë formë kufizimi udhëtimi si një mënyrë ndëshkimi për zyrtarët që akuzohen për përvetësimin e fondeve publike, ndërhyrjen në procese gjyqësore, zgjedhore apo procese të tjera publike.

Sekretari i shtetit ka përcaktuar publikisht rreth 100 persona në të gjithë botën si non-grata, 14 prej të cilëve janë shqiptare. Disa prej emrave të tjera të bërë publikë janë ish-kryeprokurori Adriatik Llalla, deputeti Tom Doshi dhe ish-kryebashkiaku socialist i Durrësit Vangjush Dako.

*Foto kryesore marrë nga: Washington Post