.

.

BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëPersonat me statusin e jetimit në Shkodër, ende nuk kanë hyrë në banesat sociale

Personat me statusin e jetimit në Shkodër, ende nuk kanë hyrë në banesat sociale

BEPIN KOLVATAJ

Prej disa vitesh, pjesëtarë të komunitetit me statusin e jetimit në Shkodër, jetojnë në kushte të vështira, edhe pse u ishte premtuar se do të akomodoheshin në banesa me standarde, që në vitin 2017. Kur kanë kaluar thuajse 3 vjet nga premtimi i kryebashkiakes Voltana Ademi, përfituesit ende i shtyjnë ditët nëpër konvikte dhe në mungesë të kushteve higjienike. Apartamentet në ndërtesën që do të shërbejë si qendër multifunksionale, ende nuk janë mobiluar, ndërsa bashkia thotë se janë në fazën e lidhjes së kontratave me banorët e rinj.


Ne përfundimisht zgjidhim problemet për jetimët. Në këtë projekt që është një projekt që realizohet për herë të parë në një bashki, zgjidhim çështjen me jetimët, që jetojnë në konviktet tona në kushte shumë të vështira.”- tha kryetarja e bashkisë Shkodër, Voltana Ademi më 14 shkurt 2017, ndërsa inspektonte ish konviktin e shkollës pyjore, e shndërruar në qendër multidisiplinare.

Për këtë projekt janë investuar 300 milionë lekë të vjetra dhe rreth 70 familje, që i përkasin komunitetit të jetimëve duhet të ishin akomoduar aty që në vitin 2018. Në 17 maj të atij viti,  Voltana Ademi foli mbi arsyet e kësaj vonese duke akuzuar Ministrinë e Financave për shkelje të afateve, ndërsa jashtë mjediseve të bashkisë jetimët protestonin.

“Kjo ishte një nismë e Bashkisë së Shkodrës, është një çështje që ka mbi 20 vite që nuk është zgjidhur. Nga Ministria e Financave ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje. Projekti ka përfunduar, unë e pres dhe shpresoj që vullneti politik të jetë në mbështetje të Bashkisë, që ne të vazhdojmë procedurat, pra të fusim jetimët në këtë godinë” – tha Ademi.

Më shumë se dy vite pas kësaj deklarate, ne shkuam të verifikonim nëse janë strehuar familjet, sipas premtimit të kryebashkiakes së Shkodrës.

*Godina e qendrës multidisiplinare, ish konvikti shkollës Pyjore

Në bashkinë Shkodër thonë se qendra pritet të hapet së shpejti, pasi po verifikohet dokumentacioni i familjeve aplikuese, por nuk ka shpjegim përse ky proces po zgjat përtej afatit që ka 2 vjet që ka skaduar.

“Jemi në fazën përfundimtare të përmbylljes edhe të programit të dytë që janë banesat sociale me qira pranë ish shkollës pyjore. Janë 15 familje individ të miratuara nga këshilli bashkiak. Jemi në pritje të ligjshmërisë nga ana e prefektit dhe do të procedojme me lidhjen e kontratës me aplikuesit. Ata deri më sot kanë jetuar në konvikte të tjera.”- shprehet Ergys Ivziku.

*Godina ku do akomodohen personat me statusin jetim

Objekti ndërkohë rezulton i përfunduar në aspektin e punimeve të brendshme e të jashtme. Në të janë vendosur dyert e dritaret, është bërë lidhja me sistemin ujësjellës, sistemi elektrik dhe ka përfunduar i gjithë rrjeti i kanalizimeve. Por dhomat ku do të akomodohen përfituesit, janë të pamobiluara. Për kompletimin e tyre duhet të mendojnë vetë personat që banojnë aty. Brenda ndërtesës katërkatëshe është çelur qendra shëndetësore, zyrat rajonale për ofrimin e shërbimeve nga Bashkia Shkodër dhe një kopësht. Të gjitha këto janë të pozicionuara në katin e parë të ndërtesës, ndërkohë që për banimin e komunitetit të jetimëve do të jenë 3 katet më sipër.

*Mjedise të brendshme të godinës ku do akomodohen personat me statusin jetim

*Mjedise të brendshme të godinës ku do akomodohen personat me statusin jetim

Sot jetimët vijojnë të jenë të ndarë nëpër konviktet e qytetit, një pjesë tek “Salo Halili”, të tjerë tek shkolla e muzikës “Prenk Jakova”, apo “Arben Broci”, në kushte të papërshtatme banime dhe të ekspozuar ndaj pandemisë, për shkak të, mungesës së higjienës.

Shkodra është një prej bashkive që në 30 vite të pluralizmit politik, e ka patur shqetësim strehimin social. Nga viti 2005, në bashki dhe në Entin Kombëtar të Banesave janë dorëzuar 1880 kërkesa për strehim, por vetëm 222 familje e kanë përfituar këtë të drejtë gjatë 10 viteve të fundit. Shkodra, sipas raportit të KLSH, rezulton që ka marrë vetëm një banesë sociale me 35 apartamente në vitin 2010. Vitet e tjera shifra është zero, sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Bashkia Shkodër ka parashikuar në buxhetin e vitit 2020  për “Strehimin social”  një fond prej 80 milion e 554 mijë  lekë.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img